Basha: 30 qershori, tentativë për grusht shteti. Do të ndalet me çdo kusht
Dritare.net
Lideri i opozitës tha ndër të tjera se, 30 qershori është një tentativë për grusht shteti
“Me fjalë nuk i shpreh dot emocionet e kësaj pritjeje madhështore që në fakt është mesazhi më i qartë, më i vendosur, më i prerë. Mesazh ndaj atyre dhe atij që e ka mbajtur Beratin peng, qytetarët e Beratit peng me krimin, oligarkinë. I ka vjedhur i ka varfëruar, i ka shpronësuar i ka dërguar në emigracion dhe që guxon të mendojë se do t’i hedhë kularin në fyt Beratit më 30 qershor, nuk do të ketë zgjedhje me krimin, me hajdutët. Dëgjojeni Beratin, shikojeni Beratin, Beratin e shpresës, të lirisë, të demokracisë. Berati dhe beratasit në këmbë për liri, dinjitet, demokraci e për Shqipërinë si gjithë Evropa. Ndjesë qindra të tjerëve dhe më lejoni që ta them këtu nga Berati, pas vizitës në Perëndim se bashkë me aleatët tanë do ta bëjmë Shqipërinë si gjithë Evropa. Asnjë hap pas drejt diktaturës së krimit, drejt despotizmit me frymëzim lindor. Ne e kemi bërë zgjedhjen tonë, e kemi nisur këtë betejë jo për pushtet, jo për karrige por për një ideal që frymon prej ditës sonë të parë. Ne do ta bëjmë Shqipërinë si gjithë Evropa.
Vëllezër dhe motra e kam të vështirë kur mesazhet i jep salla, populli. E kam të vështirë të konkurroj me këto mesazhe që ngrohin dhe ngrenë peshë shpirtrat e shqiptarëve me shpresën e madhe që po mbulon si bekim anë e mbanë vendit për një ndryshim të madh që po vjen.
Në këtë betejë jemi bashkuar si kurrë më parë. Balli i betejës i takon demokratëve, por kurrë nuk kam parë kaq shumë qytetarë të përshëndesin si simboli global i fitores së shpresës mbi frikën. Kurrë nuk ka qenë më i madh një bashkim popullor se ky. Kurrë nuk ka qenë më në panik pakica që kemi përballë, pakica e Edi Ramës, e një grushti i banditësh dhe horrash, të cilët për 6 vite ishin padronët në shtëpinë e shqiptarëve. U ulën në sofër krimin, shkatërruan qindra mijëra ekonomi familjare, i zhytën në mjerim. Një pakicë e vogël e kapur duke vjedhur zgjedhjet, e cila kërkon më kot të organizojë grushtin e shtetit më 30 qershor, zgjedhje nuk do të ketë, grushti i shtetit do të ndalet me çdo kusht me çdo çmim, do të mbrojmë demokracinë dhe lirinë. Çeta e tyre e shpartalluar ka humbur arsyen e qetësinë dhe e ka kapur paniku. 30 qershori është një tentativë për një grusht shteti kushtetues.",- u shpreh Basha./K.C/dritare.net