Banka Botërore: Ndryshimet e ministrave të Shëndetësisë ngadalësuan projektin
Dritare.net
Konkretisht BB shprehet “Për shkak të ndryshimeve të shpeshta në pozicionet drejtuese dhe të stafit teknik në Ministrinë e Shëndetësisë dhe Fondin e Sigurimit Shëndetësor zbatimi i projektit është ngadalësuar në mënyrë të dukshme krahasuar me vizitën e fundit mbështetëse në shkurt 2017. Megjithatë ka një progres në vijimin e disa aktiviteteve kyçe të projektit :
1. Përgatitja e specifikimeve teknike dhe dokumenteve të tenderit për prokurimin e pajisjeve mjekësore për spitalet rajonale. Janë të gatshme për të marrë mendimin e Bankës Botërore.
2. Kontratë për blerjen e softuerit për Kujdesin Parësor Shëndetësor në nivel kombëtar i gatshëm për nënshkrim.
3. Asistenca teknike për Shqyrtimin e Planit të Racionalizimit të Spitalit- ku ka përfunduar procesi i vlerësimit dhe është gati për t’u ndarë me BB për të marrë vlerësimin e saj.
4. Mbështetje Teknike Ndërkombëtarë për analizën e situatës dhe përgatitja e termave të referencës për Sistemin e Informacionit në spitalet rajonale. Vlerësimi edhe për këtë pjesë është gati dhe pret rishikimin e Bankës. Vizita e ardhshme për mbështetjen e implementimit të ekipit të Bankës Botërore është planifikuar për në tetor 2017 për të diskutuar dhe për të rënë dakord për rrugën përpara.
Vizita e radhës për mbështetjen e zbatimit pritet që të jetë në muajin tetor” vlerëson Banka Botërore.
Klima politike gjatë këtij viti është bërë pjesë e raporteve të rishikimit për projekte të caktuara. Edhe tek energjia Banka vlerësoi se pati një rënie të ritmit të zbatimit para fushatës elektorale.
Lidhur me Shëndetësinë konstatimi për ndryshimet e krerëve në institucione është i bazuar në faktin që gjatë muajit mars 2017 nga Shëndetësia u largua ministri Ilir Beqja dhe në vend të tij u emërua Ogerta Manastirliu. Kjo e fundit do të largohej menjëherë pas arritjes së marrëveshjes PS-PD në muajin maj dhe tek ministria erdhi një emër teknik, Arben Beqiri. /Monitor/