Balla: Depozituam në Kuvend kërkesën për shkarkimin e Metës, ja shkeljet!
Dritare.net
"Anulimi i 30 qershorit dhe mos caktimi i një date tjetër mohon të drejtën e sovranit. Ushtrimi i të drejtës së sovranit, është ushtrim i drejtpërdrejtë i pushtet duke kontrolluar të zgjedhurit e vet. Anulimi zhbën autoritetin sovranit. Akti merr atribute sovrane duke barazuar presidentin me sovranin. Përmes këtij akti është cënuar dalja tej kompetencave me kushtetutë. Me këtë akt presidenti praktikisht është duke sjell në pozitën e pushtetit abolut të dhënë nga vetë sovrani.
Drejtuar: Z. Gramoz RUÇI
Kryetar i Kuvendit të Shqipërisë
Kërkues: Disa deputetë të Kuvendit të Shqipërisë
Objekti: Kërkesë për shkarkimin e Presidentit të Republikës
Baza Ligjore: Neni 90/2 i Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë; Neni 112 i Rregullores se Kuvendit
- FAKTET
- Presidenti i Republikës, në ushtrim të kompetencave të dhëna nga Kushtetuta (neni 92/gj), ka nxjerrë dekretin nr. 10928, datë 05.11.2018 “Për caktimin e datës së zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore”. Në bazë të këtij dekreti, është caktuar si datë e mbajtjes së zgjedhjeve, data 30 qershor 2019.
- Në përmbushje të këtij parashikimi, kanë filluar të gjitha procedurat sipas Kodit Zgjedhor për bërjen të mundur brenda afateve kushtetuese dhe ligjore të procesit zgjedhor. Konkretisht tashmë:
- Janë ngritur Komisionet e Zonave të Administrimit Zgjedhor (Neni 28);
- Janë përgatitur dhe shpallur listat e zgjedhësve (Neni 56);
- Është kryer regjistrimi i partive politike (Neni 64);
- Janë depozituar listat e kandidatëve të partive politike (Neni 67);
- Ka filluar fushata zgjedhore (Neni 77), etj
- Ndërkohë që ka filluar periudha zgjedhore, Presidenti ka nxjerrë dekretin nr. 11199, Datë 10.06.2019 “Për shfuqizimin e dekretit nr. 10928, datë 05.11.2018 të Presidentit të Republikës “Për caktimin e datës së zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore”. Sipas nenit 1 të këtij dekreti, shfuqizohet dekreti nr. 10928/2018, duke anuluar kështu datën 30 qershor 2019, si ditë e zhvillimit të zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore në Republikën e Shqipërisë.
- Arsyet e dhëna nga Presidenti mbi anulimin e datës së zgjedhjeve kanë të bëjnë me:
- Shqetësimin e thellë mbi situatën politike në vend;
- Nevojën për çtensionimin e situatës në vend;
- Vetëdijen se kushtet aktuale nuk do të siguronin zgjedhje të vërteta, demokratike, përfaqësuese dhe gjithëpërfshirëse;
- Bindjen se kjo vendimmarrje, në kushtet aktuale, është mënyra e vetme për të ndihmuar në zgjidhjen e krizës së rëndë ku ndodhet vendi;
- Argumentin se kjo vendimmarrje mbështetet në kompetencën që i jep neni 92, shkronja “gj” e Kushtetutës, si dhe preambula e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, pika 3 e nenit 1, nenit 3, pika 2 e nenit 4, nenit 15, nenit 45, pika 1 e nenit 86, pika 3 e nenit 88 dhe nenit 93 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë;
- NË LIDHJE ME SHKELJET KUSHTETUESE
- Dekreti nr. 11199/2019 vjen në kundërshtim të hapur me parimet kushtetuese të një Republike Parlamentare, të funksioneve të Presidentit të parashikuara nga Kushtetuta dhe të funksionimit e të ushtrimit normal të sovranitetit të popullit.
- Është cënuar rëndë parimi i ushtrimit të sovranitetit nga populli.
- Kushtetuta në nenin 2/1 parashikon se sovraniteti në Republikën e Shqipërisë i përket popullit. Këtë sovranitet populli e ushtron në mënyrë të drejtpërdrejtë ose nëpërmjet të zgjedhurve të tij. Me dekretin nr. 11199/2019 Presidenti ka anuluar datën 30 qershor 2019, si datë të mbajtjes së zgjedhjeve për organet e pushtetit vendor. Në këtë kuptim, Presidenti i ka hequr sovranit të drejtën për të qenë i tillë.
- Ushtrimi i kompetencave sovrane materializohet dhe merr kuptim vetëm në ushtrimin e të drejtës së zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore, të zgjedhjeve parlamentare apo të ushtrimttë së drejtës për referendum. Këto janë të vetmet momente në të cilat sovrani sillet si i tillë dhe më pas e gjithë veprimtaria normale shtetërore (që nënkupton ushtrim të pushtetit sovran), ushtrohet nga këto organe të zgjedhura.
- Anulimi i datës 30 qershor si datë e mbajtjes së zgjedhjeve për organet e pushtetit vendor dhe më e rëndë akoma, moscaktimi i një date tjetër për mbajtjen e tyre, mohon në thelb të drejtën e sovranit për të qenë i tillë.
- Ushtrimi i të drejtës për të zgjedhur nga e gjithë trupa zgjedhore (sovrani), është shprehje e vullnetit të këtij të fundit për sigurimin e vazhdimësisë së pushtetit, apo delegim për një administrim më të mirë të pushtetit, e nga ana tjetërështë edhe ushtrimi i drejtpërdrejtë i pushtetit sovran duke kontrolluar të zgjedhurit e vet. Anulimi dhe moscaktimi i një date të re për mbajtjen e zgjedhjeve, është një hap që zhbën në vetvete autoritetin sovran. Nëpërmjet një akti administrativ, i heq atij të drejtën për të qenë i tillë.
- Nga ana tjetër, akti merr atribute sovrane, duke barazuar Presidentin me sovranin. Sovrani ka miratuar me referendum Kushtetutën dhe në nenin 65 ka përcaktuar se kuvendi zgjidhet çdo katër vjet. Ndërkohë në nenin 109 të Kushtetutës parashikohet se organet përfaqësuese të njësive bazë të qeverisjes vendore janë këshillat, të cilat zgjidhen çdo katër vjet. Dalja tej këtij parashikimi, që cënon nga ana e vet parimin e periodicitetit të zgjedhjeve, është një sjellje arbitrare e cila synon marrjen e kompetencave sovrane. Nëpërmjet këtij akti, por edhe veprimtarisë së mëparëshme të Presidentit, është synuar dalja tej kompetencave të dhëna me Kushtetutë dhe duke vepruar si autoritet sovran i pakontrolluar. Sovrani ka përcaktuar se kur do të mbahen zgjedhjet me dispozitat kushtetuese cituar më sipër. Nuk mundet asnjë autoritet tjetër, veç tij, apo ata që janë zgjedhur prej tij, të përcaktojnë një datë tjetër të mbajtjes së zgjedhjeve, apo më keq akoma të mos mbajtjes së tyre.
- Me aktin e anulimit të zgjedhjeve për organet e pushtetit vendor, Presidenti praktikisht është duke u sjellë në pozitën e një pushteti absolut që vepron përtej kompetencave të tij të dhëna nga vetë sovrani nëpërmjet kushtetutës.
- Në vazhdën e kësaj analize, vlerësojmë se Presidenti ka marrë tagrat e autoritetit sovran të Kuvendit dhe sovranit në bërjen e ligjeve. Konkretisht:
- Presidenti me dekret ka zgjatur mandatin e organeve të njësive të qeverisjes vendore.
- Pavarësisht se nga pikëpamja formale, akti nuk është i natyrës së ligjit dhe nuk disponon mbi mandatin dhe kohën e qëndrimit në detyrë të përfaqësuesve të zgjedhur të njësive vendore, praktikisht duke anuluar datën e zgjedhjeve, Presidenti i lë në detyrë këto organe tej mandateve të njohura nga Kushtetuta dhe ligji. Kjo praktikë vjen në kundërshtim me parimin kushtetues të periodicitetit të zgjedhjeve (shiko pikat 16, 17, 18), dhe praktikisht zgjat mandatin e organeve të zgjedhura.
- Këtë atribut e ka vetëm sovrani dhe ai e ka përcaktuar atë në Kushtetutë. Ndërkohë kjo është një kompetencë e ligjvënësit në bërjen e ligjeve. E gjithë korniza ligjore, Kushtetuta apo edhe ligjet e tjera të miratuara nga Kuvendi, përcaktojnë se mandati i të zgjedhurve të njësive të qeverisjes vendore është 4 vjeçar. Me dekretin nr. 11199/2019, zgjatet qëndrimi në detyrë i të zgjedhurve vendor tej mandatit të tyre. Ky është një disponim që vjen në kundërshtim me kornizën kushtetuese dhe ligjore dhe vlerësojmë se me këtë dekret Presidenti i ka njohur vetes atributet e ligjvënësit dhe sovranit, çka vjen në kundërshtim të hapur dhe flagrant me Kushtetutën.
- Presidenti ka përcaktuar një datë zgjedhjesh tej datës së përcaktuar me ligj.
- Periodiciteti i zgjedhjeve është përcaktuar qartë në nenin 1/3 të Kushtetutës dhe është detajuar nga ana procedurale në parashikimet e Kodit Zgjedhor. Presidenti në këtë rast ka vendosur një datë zgjedhjesh për organet e pushtetit vendor, tej atyre të njohura nga ligji. Kodi Zgjedhor në nenin 8 njeh si periudha zgjedhore datat 15 mars deri në 30 qershor dhe 15 shtator deri në 30 tetor. Ndërkohë, caktimi i datës së zgjedhjeve është i lidhur me mbarimin e mandatit të të zgjedhurve aktualë.
- Në këtë rast, Presidenti ka marrë atributet e Kuvendit dhe sovranit sepse duke “anuluar” datën 30 qershor 2019 si datë të mbajtjes së zgjedhjeve, duhet të caktojë një datë të re. Në çdo rast, një datë e re do të jetë përtej hapësirës kohore të caktuar nga Kushtetuta dhe Kodi Zgjedhor mbi kohën e mbajtjes së zgjedhjeve vendore. Edhe në rast se do të ishim në kushtet e zgjatjes së mandatit të organeve të njësive të qeverisjes vendore, ajo gjithsesi duhet të bëhej me ndërhyrje në ligj apo edhe në kushtetutë. Autoritet i vetëm për të bërë të tilla ndërhyrje është vetëm trupa legjislative dhe në këtë rast Presidenti ka marrë atributet e ligjvënësit me caktimin e një date zgjedhjesh tej afateve të njohura nga ligji.
- Dëshirojmë të sjellim në vëmendje faktin se kjo është një situatë e pa ngjarë më parë dhe që minon në themel proceset demokratike të vendit, ku organi i Presidentit merr tagrat e Kuvendit në caktimin e datës së zgjedhjeve tej asaj të njohur nga ligji.
- Në arsyetimin e aktit të tij, Presidenti shprehet se kjo situatë ka precedentë të mëparshëm dhe referon për këtë situatën e vitit 2007. Dëshirojmë të theksojmë se situata e vitit 2007 është pikërisht e kundërta e këtij procesi. Kështu në situatën e vitit 2007 ka qenë caktuar si datë e mbajtjes së zgjedhjeve data 20 janar 2007. Pas konfliktit politik, në 12 janar është arritur një marrëveshje politike mes palëve, ku pjesë e konsensusit ishte edhe ndryshimi i Kodit Zgjedhor. Ky kod u ndryshua me ligjin nr. 9676, datë 13.01.2017. Pjesë e ndryshimeve ishin edhe parashikimet krejt të posaçme për caktimin e datës së ardhshme të zgjedhjeve. Kështu në nenin 38 të ligjit ndryshues parashikohej se: “1. Për zgjedhjet vendore të vitit 2007 Presidenti i Republikës, pavarësisht nga përcaktimet e bëra në nenin 7 pika 8 të këtij Kodi, në ditën e hyrjes në fuqi të këtij ligji, ricakton datën e zhvillimit të zgjedhjeve, jo më vonë se data 20 shkurt 2007.”
- Me miratimin e këtij akti, Presidenti nxori dekretin nr. 5194, datë 14.01.2007 i cili përcakton si datë të zgjedhjeve vendore datën 18 shkurt 2007. Sa më sipër, kjo ka qenë një situatë e posaçme, rregulluar me ligj të posaçëm nga Kuvendi dhe nuk ka fare ngjashmëri me situatën aktuale.
- Në këto kushte vlerësojmë se Presidenti është duke u sjellë si autoritet mbi kushtetues dhe mbi sovranin.
iii. Presidenti ka dekretuar anulimin e zgjedhjeve ndërkohë që Kushtetuta nuk ia njeh këtë të drejtë
- Kushtetuta në nenin 92 gërma “gj” i njeh Presidentit të drejtën e caktimit të datës së zgjedhjeve. Siç shpjegohet edhe më poshtë, kjo është një kompetencë vetëm njëkahëshe e Presidentit. Sipas Kushtetutës ai ka funksion, DETYRË,të caktojë datën e zgjedhjeve dhe nuk ka asnjë alternativë tjetër për të shfuqizuar, ndryshuar apo aq më tepër anuluar datën e zgjedhjeve. Nëse do të pranojmë se anulimi i datës së zgjedhjeve, është kompetencë që shkon edhe me caktimin e asaj date, praktikisht do të pranonim një President me tagra pushteti mbilegjislative, mbiekzekutive, që referuar Kushtetutës nuk i gëzon.
- Është cënuar parimi i periodicitetit të zgjedhjeve
- Duke vazhduar të njëjtën linjë arsyetimi si më sipër, vlerësojmë se me dekretin nr. 11199/2019 Presidenti ka cënuar rëndë parimin e periodicitetit të zgjedhjeve. Kushtetuta në nenin 1 pika 3 parashikon se qeverisja bazohet në një sistem zgjedhjesh të lira, të barabarta, të përgjithshme e periodike. Periodiciteti i zgjedhjeve është përcaktuar po prapë në kushtetutë, respektivisht në nenet 65 dhe 109 ku parashikohet praktikisht se zgjedhjet për organet e pushtetit vendor dhe zgjedhjet e përgjithshme parlamentare do të zhvillohen çdo katër vjet. Ky është pikërisht koncepti i periodicitetit që kushtetutëbërësi ka. Nëse do të zbatohet dekreti nr. 11199/2019, automatikisht kemi të bëjmë me cënim të këtij parimi sepse të zgjedhurit do të rrinë në detyrë përtej një mandati të përcaktuar qartë në kushtetutë.
- Kushtetuta njeh shtyrje mandati për funksionet administrative, për funksionet gjyqësore madje, por në të vetmin rast ku nuk ka lejuar shtyrje të mandatit apo periudhë të qëndrimit në detyrë është për të zgjedhurit. Kjo është në funksion të ruajtjes së sovranitetit të popullit i cili në mënyrë periodike duhet të kontrollojë nëpërmjet zgjedhjeve të zgjedhurit e tij. Periodiciteti i zgjedhjeve është parashikuar në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe Kodin Zgjedhor si një moment rotativ, me kohë të përcaktuar qartë një herë në 4 vjet. Në këtë kuptim, dalja përtej këtyre afateve do të cënonte parimin kushtetues dhe ligjor të periodicitetit të zgjedhjeve.
- Koncepti i periodicitetit të zgjedhjeve, është materializuar në hapa të posaçëm procedurale nga ana e Kodit Zgjedhor. Ky akt i ka përcaktuar qartë periudhat zgjedhore dhe momentet e mbajtjes së zgjedhjeve, për këtë arsye Presidenti kishte caktuar si datë të mbajtjes së zgjedhjeve datën 30.06.2019.
- Në lidhje me cënimin e parimit të një QEVERISJE të dalë nga zgjedhjet e lira.
- Kushtetuta, qysh në nenin 1, pasi parashikon formën e regjimit, atë të një republike parlamentare, formën unitare dhe të pandashme të shtetit, përcakton se administrimi/qeverisja duhet të bazohet në një sistem zgjedhjesh të lira, të barabarta, të përgjithshme dhe periodike. Nëse kalohen këto parashikime në lidhje me periodicitetin, do të kemi praktikisht një shtet dhe një shoqëri e cila nuk qeveriset. Sikur edhe një ditë më shumë përtej mandatit të rrinë në detyrë të zgjedhurit, ata humbasin konceptin e qeverisësit, administratorit dhe automatikisht kthehen në pushtete pa mandat ose thënë ndryshe pushtete autoritare.
- Dalja përtej afateve kushtetuese, bën që të zgjedhurit të mos jenë më të tillë dhe për rrjedhojë të mos i lidhë asnjë mandat me administrimin e pushtetit të dhënë për t’u administruar. Që në këtë moment, ata kthehen në ushtrues pa tagra të një pushteti dhe vazhdojnë të ushtrojnë pushtet, duke mos u ndier të lidhur me kontrollin nga sovrani. Në këtë kuptim, dekreti i Presidentit përbën një cënim të rëndë të Kushtetutës, sepse cënon në themel rendin kushtetues duke bërë të pamundur qeverisjen e vendit sipas konceptit kushtetues.
- Është cënuar rëndë parimi i kushtetueshmërisë
- Kushtetuta në nenin 4 parashikon se "Kushtetuta është ligji më i lartë në Republikën e Shqipërisë dhe se e drejta përbën bazën e ndërtimit të shtetit". Me veprimin e tij administrativ, Presidenti i Republikës ka cënuar rëndë parimin e kushtetueshmërisë dhe ligjshmërisë. Gjithë sa kemi arsyetuar më lart, qartësisht rezulton se Presidenti ka vepruar përtej këtyre parimeve. Presidenti me dekretin nr. 11199/2019 që praktikisht anulon mbajtjen e zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore, cënon parimin e periodicitetit të zgjedhjeve dhe ushtrimin e të drejtës sovrane të popullit për të zgjedhur. Në këto kushte ai ka cënuar rëndë Kushtetutën si akti më i lartë në vend. Këto janë detyrime kushtetuese të cilat nuk mund të tejkalohen as me ligj, aq më tepër me një dekret presidencial. Dispozitat kushtetuese mbi kushtetueshmërinë dhe ligjshmërinë janë mishërim i parimit të shtetit të së drejtës që nënkupton se çdo vendimmarrje duhet t’i nënshtrohet vetëm kushtetutës dhe ligjeve. Vetëm në këtë mënyrë mund të sigurojmë ekzistencën e një shteti të drejtë dhe funksional.
- Në nenin 4 paragrafi i dytë i Kushtetutës deklarohet se “Kushtetuta është ligji më i lartë në Republikën e Shqipërisë”. Deklarimi i epërsisë së Kushtetutës, duke e vendosur në majë të piramidës së normave juridike, përbën një aspekt thelbësor të parimit të shtetit të së drejtës. Ky parim detyron të gjitha organet e pushtetit publik që t’i ushtrojnë kompetencat e tyre vetëm në kuadër dhe në bazë të normave kushtetuese. Aktet juridike që nxirren nga këto organe duhet të jenë në pajtim me aktet juridike më të larta si në kuptimin formal, ashtu edhe atë material.
- Çdo vendimmarrje e Presidentit apo çdo organi tjetër publik, madje dhe parlamentit si ushtrues i sovranitetit të popullit, duhet të bëhet në përputhje me parimet kushtetuese.
- Në lidhje me shkeljen e parimit të ligjshmërisë
- Të gjithë organet publikë në vend, madje dhe Presidenti i Republikës, duhet ta ushtrojnë veprimtarinë e tyre mbështetur në ligj. Këtë parashikon neni 4 i Kodit të Procedurave Administrative ku thuhet se të gjitha organet publike duhet ta ushtrojnë veprimtarinë e tyre në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, me marrëveshjet ndërkombëtare të ratifikuara dhe legjislacionin e zbatueshëm në Republikën e Shqipërisë, brenda kufijve të kompetencave të tyre dhe në përputhje me qëllimin për të cilin janë dhënë këto kompetenca. Akti i Presidentit vjen në kundërshtim të hapur me parashikimet e nenit 92/gj të Kushtetutës dhe parashikimeve konkrete të Kodit Zgjedhor. Ndërkohë që Kushtetuta i njeh Presidentit vetëm të drejtën e CAKTIMIT të datës së zgjedhjeve, Kodi Zgjedhor i normon veprimtarinë Presidentit mbi kohën dhe hapat procedurialë se kur duhet të veprojë mbi caktimin e datës së zgjedhjeve.
- Për të materializuar sa më sipër, po analizojmë shkeljet e parimeve kushtetuese dhe të ligjit në rastin konkret nga ana e Presidentit duke lënë vendin pa një datë zgjedhjesh.
- i. Akt i dalë në kundërshtim të hapur dhe flagrant me kompetencën
- Dekreti nr. 11199/2019 për shfuqizimin e dekretit nr. 10928/2018 është marrë në kundërshtim të hapur dhe flagrant me ligjin, duke cënuar parimin e ligjshmërisë. Gjithashtu akti ka dalë tej kompetencave të dhëna nga Kodi Zgjedhor, Presidentit të Republikës. Referuar kompetencës së dhënë nga Kushtetuta në nenin 92 pika “gj”, për caktimin e datës së zgjedhjeve për organet e pushtetit vendor, në Kodin Zgjedhor është bërë përcaktimi dhe detajimi i këtij funksioni të Presidentit. Në nenin 8 të Kodit Zgjedhor parashikohet se zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore duhet të zhvillohen njëherësh në të gjithë territorin e Republikës në periudhën zgjedhore nga 15 marsi deri në 30 qershor ose nga 15 shtatori në 30 nëntor. Këto Kodi i konsideron si periudha zgjedhore. Në vijim në nenin 9 dhe 10, Kodi Zgjedhor rregullon edhe hapësirën kohore brenda së cilës Presidenti duhet të bëjë shpalljen e datës së zgjedhjeve. Kështu në nenin 10 të Kodit Zgjedhor parashikohet se Presidenti duhet ta bëjë caktimin e datës së zgjedhjeve për organet e pushtetit vendor, sipas parashikimeve të nenit 9 që rregullon caktimin e datës së zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare.
- Referuar nenit 9 pika 2 të Kodit Zgjedhor përcaktohet se Presidenti duhet të shpallë datën e zgjedhjeve jo më vonë se nëntë muaj para mbarimit të mandatit të Kuvendit. Derisa neni 10 referon tek neni 9 i Kodit Zgjedhor për periudhën e shpalljes së datës së zgjedhjeve, edhe për caktimin e datës së zgjedhjeve për organet e pushtetit vendor, Presidenti duhet t’i shpallë ato jo më vonë se nëntë muaj nga mbarimi i mandatit të tyre. Si datë e mbarimit të mandatit të organeve të qeverisjes vendore Kodi njeh të njëjtën datë, të të njëjtit muaj, të vitit të katërt, pas datës së shpalljes me vendim të KQZ-së në shkallë vendi të rezultateve të zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore. KQZ ka shpallur rezultatin për zgjedhjet e qeverisjes vendore me vendimin nr. 965, datë 10.08.2015. Në përmbushje të këtij parashikimi, Presidenti me dekretin nr. 10928/2018 ka caktuar datën e zgjedhjeve për organet e pushtetit vendor, datën 30.06.2019.
- Ligji i posaçëm, Kodi Zgjedhor nuk i ka njohur më asnjë të drejtë Presidentit për të ndërhyrë në proces, për të përcaktuar një datë të re zgjedhjeje apo aq më tepër për ta lënë vendin pa zgjedhje. Me caktimin e kësaj date, procesi i zgjedhjeve starton e në këtë kuptim Presidenti i Republikës e ka të pamundur më të influencoje në proces. Caktimi i datës së zgjedhjeve është momenti i parë dhe i fundit që Presidenti përfshihet në proces. Në vlerësim të sa më sipër, akti i nxjerrë nga Presidenti, ka dalë në kundërshtim me kompetencën e Presidentit dhe është një akt që cënon rëndë parimin e ligjshmërisë.
- Mbi natyrën e kompetencës për caktimin e datës së zgjedhjeve
- Dekreti nr. 11199/2019 cënon rëndë parimin e ligjshmërisë sepse është një akt i cili nuk i njihet Presidentit në asnjë dokument të natyrës kushtetuese, ligjore apo edhe praktike të mirë kushtetuese. Referuar nenit 92, pika gj e Kushtetutës, parashikohet se Presidenti ushtron edhe kompetencën e CAKTIMIT të datës së zgjedhjeve. Thënë ndryshe, Presidenti ka për kompetencë vetëm të caktojë datën e zgjedhjeve nëpërmjet aktit të dekretit. Kjo kompetencë është vetëm e njëkahshme. Për të bërë një paralele me funksionet legjislative apo edhe ekzekutive ku të dy organet Parlamenti dhe Këshilli i Ministrave mund të miratojnë, shfuqizojnë apo ndryshojnë aktet e tyre, funksioni i Presidentit në këtë rast është me natyrë të kufizuar. Ai vetëm cakton një datë për mbajtjen e zgjedhjeve dhe nuk ka hapësirë për ta ndryshuar atë. Akoma më tepër, Presidenti nuk ka për kompetencë të mos caktojë datën e zgjedhjeve siç dhe ka bërë me dekretin nr. 11199/2019.
- Në nenin 1 të dekretit nr. 11199/2019 Presidenti shprehet se shfuqizon dekretin nr. 10928/2018 duke anuluar kështu datën 30.06.2019 si datë të mbajtjes së zgjedhjeve për organet e pushtetit vendor. Edhe gjuha apo kompetenca e njohur vetes nga Presidenti për të anuluar datën e zgjedhjeve, është e panjohur nga Kushtetuta. Siç jemi shprehur edhe më sipër, Presidenti ka për detyrë vetëm të caktojë datë zgjedhjesh dhe jo t’i anulojë ato.
- Sa më sipër vjen në kundërshtim të hapur dhe flagrant me parimet kushtetuese dhe parimin e ligjshmërisë sepse Presidenti me dekretin nr. 11199/2019 ka ushtruar një kompetencë që nuk ja njeh as Kushtetuta dhe as ligji.
- Në lidhje me heqjen e mundësisë për të zgjedhur që u bëhet qytetarëve
- Neni 45 i Kushtetutës parashikon se çdo qytetar që ka mbushur moshën 18 vjeç ka të drejtë të zgjedhë dhe të zgjidhet. Kjo e drejtë bën pjesë në kapitullin e të drejtave dhe lirive politike dhe është pikërisht materializimi i parimit se sovraniteti i përket popullit dhe ushtrimi i tij bëhet në mënyrë të drejtpërdrejtë ose nëpërmjet përfaqësuesve të tij.
- Nëse do të ndjekim linjën e argumentit të Presidentit, dekreti nr. 11199/2019 praktikisht u heq shtetasve/qytetarëve/sovranit të drejtën për të zgjedhur, e për të prodhuar kështu pushtetin që ata duan.
- E drejta për të zgjedhur lirshëm është një e drejtë bazë e funksionimit të një shoqërie të lirë. Privimi nga kjo e drejtë është një cënim shumë i rëndë i parimeve të shtetit të së drejtës dhe demokracisë. Nuk mund të kuptohet një shtet demokratik nëse nuk zhvillon zgjedhje e nuk i jep të drejtë shtetasve të saj për të ushtruar lirshëm të drejtën për të zgjedhur. E drejta për të zgjedhur është pika e parë e nisjes së ndërtimit të një pushteti të dalë nga vota e drejtpërdrejtë e popullit dhe baza për ndërtimin e shoqërisë së lirë.
- Dekreti nr. 11199/2019 cënon rëndë këtë proces që si pasojë të drejtpërdrejtë ka heqjen e të drejtës për të zgjedhur, e ndërkohë pasoja më e rëndë e saj është heqja e pushtetit sovran të popullit.
III. PËRFUNDIME
- Nisur nga veprimet e Presidentit të Republikës, natyra e aktit të nxjerrë prej tij dhe nga pasojat që ai sjell,
- duke cënuar rëndë parimin e ushtrimit të sovranitetit nga ana e popullit;
- duke shkelur Kushtetutën e duke marrë njëkohësisht tagra të sovranit dhe Kuvendit;
- duke u sjellë arbitrarisht me pushtetin si pushtet ekzekutiv i pakufizuar, përkundër natyrës së Republikës Parlamentare;
- duke shtyrë arbitrarisht datën e zgjedhjeve;
- duke cënuar parimin e periodicitetit të zgjedhjeve;
- duke cënuar parimin e ushtrimit të pushtetit në shtet nga një qeverisje e dalë nga zgjedhje të lira;
- duke cënuar parimin e kushtetueshmërisë dhe ligjshmërisë;
- duke nxjerrë akte në kundërshtim të hapur dhe flagrant me ligjet;
- duke cënuar parimin e të drejtës së qytetarëve si sovranë për të zgjedhur dhe për t’u zgjedhur,
vlerësojmë se këto përbëjnë shkelje shumë të rëndë të Kushtetutës dhe ligjeve të kryera nga Presidenti i Republikës, e në këtë mënyrë plotësohen kushtet e parashikuara nga neni 90, pika 2 i Kushtetutës, ndaj përfundimisht kërkojmë:
- nisjen e procedurave për shkarkimin e Presidentit të Republikës.
DEPUTETËT: