Babai i 36-vjeçarit që ndau gruan për virgjërinë: Djalin e përzura nga shtëpia se nuk e besova
Dritare.net
Zoti Sami, ju, e patë djalin tuaj të premten në televizion?
Po, e pashë. Ai tregoi gjithçka që ka ndodhur në të vërtetë. Ndërkohë që në mbrëmje na kanë kërcënuar me jetë. Ky është shqetësimi ynë më i madh si familje.
Mund të na thoni kur dhe kush ju ka kërcënuar?
Mbrëmjen e së premtes, rreth orës 20:30, ka rënë telefoni. Personi që telefonoi më tha se ishte vëllai i nuses sonë. Kishte inat dhe fliste me zë të lartë. Ai më tha direkt se ishim në gjak. “Ju më keni një gjak borxh, pasi djali juaj ka dalë në televizor e ka folur për motrën time. Djalin tënd Avniun, po e pashë në ndonjë rrugë apo përballë, do ta ndaj në 14 copa”. Kështu më tha personi që telefonoi.
Si reaguat ju pas telefonatës kërcënuese?
Më pas mora në telefon djalin dhe i thashë që je në gjak me njerëzit e ish gruas. Kjo na ka shqetësuar shumë. Është e rëndë që të na ndodhin këto gjëra në moshën e pleqërisë. Ne po prisnim të bëheshim me nip në shtëpi, pasi mësuam që nusja është shtatzënë, por nuk e di çfarë ndodhi me të.
Këtu me ju ka qëndruar nusja, në të njëjtën shtëpi?
Po, këtu e solli djali. Ne i kishim thënë asaj që djali është i papunë, pa të ardhura, çfarë do të hanim ne, do të hante edhe ajo. Nusja na respektonte dhe unë e respektoja më shumë se vajzën time. E respektoja dyfish, pasi ishte jetime, pa babë, dhe më vinte keq.
Ju, e keni pyetur nusen se si shkonte me djalin tuaj?
Po. E kam pyetur disa herë si prind, pasi u doja të mirën. I thosha ‘a të dhunon djali’, ndërsa ajo më thoshte ‘jo’. Unë e besoja se im bir nuk e dhunonte. Unë do i flisja tim biri nëse e shikoja një veprim të tillë.
Si ndodhi që ata u ndanë?
Erdhi daja i saj këtu dhe po kërkonte llogari pse Avniu është i papunë. Djali i tha atij, që mbesën tënde ma keni dhënë jo të rregullt. Ndërsa, ai i tha nuses ‘bëhu gati se të marr me vete’. Nusja pa marrë mendimin tim la të gjitha nishanet këtu dhe mori plaçkat e saj dhe doli te dera. Unë mbeta i çuditur, po ashtu edhe të tjerët, pasi nuk e prisnim që nusja të largohej nga shtëpia me një fjalë që i tha daja i saj.
Zoti Sami, çfarë mund të na thoni në lidhje me deklaratat e djalit tuaj se ndarja mori shkas ngaqë nusja nuk ishte e virgjër?
Për mendimin tim, djali nuk duhej ta kishte mbajtur aq gjatë nusen, por ta kishte nisur me vrap në shtëpinë e saj. Nuk ka falje për të tilla gjëra në fisin tonë, familjen tonë apo edhe në zonën tonë. Unë i besoj djalit, se ai është i rritur dhe nuk është i vogël, dhe në këtë mënyrë kërkon të drejtën e vet.
Pas ndarjes, çfarë ndodhi midis jush në familje?
Unë fillimisht nuk e besova djalin, ndaj e përzura nga shtëpia. I thashë që ai i kishte fajet që u nda nga gruaja. Djali iku në Greqi dy muaj.
Çfarë mund të na thoni për traditat tuaja?
Ne jemi njerëz të ndershëm gjithë jetën. Jemi të varfër, por të ndershëm. Kam rritur 7 fëmijë të mitë dhe një nip, pra 8 gjithsej. 4 djem e 4 vajza, por me nderin nuk luhet.
Me çfarë jetoni?
Jemi tre të moshuar, unë, bashkëshortja dhe motra ime burrneshë (e pamartuar). Me pensionet tona shumë të vogla ushqenim edhe fëmijët, djalin e nusen që na erdhën.