Aurel Plasari u përgjigjet ashpër kritikuesve
Dritare.net
Me anë të një postimi në Facebook, të titulluar “Autokritikë”, u përgjigjet të gjithë atyre që shkrimin e tij e kanë quajtur të vonuar.
Shkrimi i plotë
“AUTOKRITIKË”
Ky i këtushmi, i botuar në datën 2 korrik, në gaztën “Panorama”, paskësh qenë një shkrim imi i gabuar, sepse paskësh qenë i vonuar, jashtë kohe, kur të tjerët e paskëshin realizuar dhe kryer mbrojtjen madhore të Teatrit. U bë e treta herë që e lexoj, tani edhe e dëgjoj me veshë, sesi po më qortojnë madje edhe gjatë një mbledhjeje të freskët natësore “mbrojtësish të teatrit”: e paskësha shkruar më vonesë, jo kur do ta kishte dashur Organizata e Bashkimeve Profesionale të Mbrojtësve të Licencuar të Teatrit. A thua se kisha shkruar për ta: i ka genjyer mendja!
Me vonesë unë? I cili kam qysh prej 2011 – e pakta – që kam ngulmuar publikisht (me një listë të mirë shkrimesh) që E.R. nuk bën për të qeverisur? Që E.R. nuk njeh as idetë dhe as praktikat demokratike? Që E.R. e urren parlamentarizmin? Që E. R. ushqen mllef kundër inteligjencies; madje – për ata që e mbajnë mend – e kam ftuar që, nëse ka pasur ndonjë mllef me mua, të vinte e të më lëpinte këpucët, simbas shprehjes së Konicës? Tani unë, për Organizatën e Bashkimeve Profesionale të Mbrojtësve të Licencuar të Teatrit, një pjesë e së cilës i kanë dhënë E.R. votat për të futur në dorë pushtetin, qenkësha “i vonuar” me shkrimet e mia. Kur ish-mikut tim nuk kam ngurruar t’i them atë shprehjen e Konicës, kujtoni se e kam problem t’ju them ndoca teatërmedhenjve prej jush “Ç’më çani trapin!”?
Ja ku ju po bëj “autokritikë” duke premtuar që do të korrigjohen në rastin më të parë, madje duke filluar qysh në këtë moment me urimin tim për dështimin në protestë veçan të atyre që dalin atje një pH acid në trup, burimin i shumë sëmundjeve të ditura, sepse pH acid shkaktohet pikërisht prej ndjenjave negative: mërisë, urrejtjes, mllefit, zilisë. Si edhe një mësim për veten për të ruajtur pH-in tim alkalin, të favorizuar nga dashuria me të cilën pata shkruar – kur nuk duhej – edhe këtë shkrim të gabuar./d.m-dritare.net