Audiopërgjimi/ Biba: Jam i ofenduar, gjyqtarin Bianku e kam mik
Dritare.net
Gjatë deklaratës, Biba u shpreh se, ndjehet i ofenduar nga gjithçka që po ndodh dhe e gjitha kjo ishte një keqinterpretim i bisedës mes miqsh. Ndërkohë, nënkryetari i KQZ-së është shprehur se, me Biskun e lidh një histori e gjatë njohjeje, dhe nuk ka pasur asnjë arsye për shantazhim.
“Jam i ofenduar nga gjithë kjo që po ndodh, se si një bisedë mes 2 miqsh, pedagog-student, është copëtuar, për t’u paraqitur në këtë mënyrë për qëllime politike. Me Biankun më lidh histori e gjatë, e kam pasur pedagog, më ka ardhur në shtëpi, i kam shkuar në shtëpi, kemi dalë me fëmijët e njëri-tjetrit.
Më ka pyetur, e kam pyetur për punën e tij, i kam kërkuar mendim. I thashë me kërkesë të Agaçit, bashkë me Peleshin për këtë kërkesë. Është e pamundur që të shantazhohej dikush që nuk kishte gjë në dorë. Nuk ka qenë ndërhyrje e paligjshme, mjafton të dalë biseda e plotë e pacensuruar.”
Biba gjithashtu ka treguar se, i thirrur nga sekretari i Përgjithshëm i Kryeministrisë, Engjëll Agaçi, u vendos që të shkojë si ekspert i Kushtetueses, së bashku me Niko Peleshin, zëvendëskryeministrin për të kërkuar shtyrjen e pagesës së të shpronësuarve.
Ndërkohë, në fund të deklaratës për shtyp, nënkryetari i KQZ-së ka akuzuar PD-në se, shkakton “furtuna të tilla” për të bërë luftë politike.
“Më ka thirrur sekretari i përgjithshëm, Engjëll Agaci, dhe si ekspert i Kushtetueses të asistoj zv.kryeministrin Niko Peleshi, me njohuritë tona, me një grup zyrtar për të kërkuar publikisht shtyrjen e afatit të shtetit shqiptar për të paguar menjëherë një shumë të konsiderueshme parash për pronarët që ishin shpronësuar. Shteti shqiptar do kërkonte një shtyrje të dytë, me këtë cilësi kemi qenë atje. Në kafenenë e Gjykatës kam takuar mikun tim të ngushtë Ledi Bianku. Në atë bisedë fare miqësore, as që bëhet fjalë për shantazhe, është manipulim. Ai është i pashantazhueshëm, sepse ai nuk kishte gjë në dorë, jo më për marrëdhënien tonë që është e paimagjinueshme një gjë e tillë. Habitem me këtë dembelizëm të opozitës që ngre furtuna të tilla e nuk mundohet ta gjejë të plotë atë audio-përgjim, e aty të dalë se çfarë kemi folur me njëri-tjetrin, bisedë normale miqsh. Nuk e kuptoj kush përfiton nga kjo gjë. As opozita nuk fiton gjë. Ndoshta i shtyhet dhe pak muaj mandati i mikut tim Biankut në detyrë, ndoshta kërkohet të hidhet baltë mbi postin tim prej nënkryetari të KQZ, në prag zgjedhjesh pas disa muajsh. Nuk kam dëshirë të bëhem pjesë e hallit të opozitës. E neveris të gjithë këtë që ka ndodhur.”,- përfundoi Biba./K.C/Dritare.net