Anti-KÇK/ Rudina Xhunga: Po presim të kontrollohen pasuritë e politikanëve që kanë kriminalizuar vendin
Dritare.net
Ajo uroi të ketë rezultate dhe tha se besimi i saj është tek SPAK, pikërisht ajo strukturë e drejtësisë së re që do të hetojë pasuritë e krimit.
“Pak më parë fol Çlirim Gjata dhe më bëri përshtypje që përfaqësuesi, një zë i rëndësishëm i opozitës foli për kë, me kë duhet të merret anti-kçk-ja, domethënë kam përshtypjen se dhe opozita në një farë mënyre e pranon e quan të mirëqenë faktin që le të ketë një anti-kçk dhe madje jep dhe emrat që duhet të ballafaqohen. Duket si folklor, KÇK por të gjithë e dinë që jeta në një vend ku krimi bën ligjin, kthehet shpesh herë në ‘KÇK’. Ti e di që krimi të krijon idenë e një frike të madhe në jetën tënde, të bën të besosh që je në dorë të tij, që nuk ka shtet, që politikanët vjedhin, që arsimi është mizerje, që shëndetësia nuk bën dhe kjo i bën njerëzit të ikin dhe i kthen pastaj KÇK deri sa të ikin. Prandaj ngjiti fjala KÇK dhe anti-KÇK e cila në pamje të parë ka diçka që nuk shkon sepse ti mendon që ke një polici, prokurori e gjykatë, të gjitha këto bashkë nëse do të funksionin atëherë nuk kishe pse të kishe probleme të ngjashme dhe duket pak si spektakël e propagandë.
Mbase është një show, por e di si është puna le të jetë një show. Unë jam pro edhe një show të tillë. Unë uroj të ketë rezultate sepse vëmendja ime reale është tek SPAK, ose besimi im i madh është tek SPAK. Nëse do ketë një SPAK dhe një anti-kçk dhe një çfarëdo tjetër në luftë kundër krimit, u shtofshin nuk kam asgjë kundër asaj që shënjon krimit. Krim ka në gjithë botën por nuk ka politikanë aq të përfshirë me krimin, nuk ka politikanë aq të pafytyrë dhe aq plehra thënë më shqip që i kanë bërë gropën këtij vendi në 30 vjet, të cilët vërtetë kanë kapur ça të kapin dhe kanë kapur çdo gjë dhe tani kanë kapur dhe shpresën e njerëzve për të jetuar në këtë vend. Ky është dhe problemi im real që pasuritë e këtyre politikanëve të vihen para SPAK-ut, të vihen para anti-KÇK, para çdo gjyqi publik dhe të mos thonë më shqiptarët bravo i qoftë atij, se është i zoti.
Është krijuar ideja që është i fortë dhe i zoti ai që ua fut të tjerëve. Po kujt po ia fut, neve. Ky është problemi më i madh politika. Prandaj mua më pëlqen dhe ajo që tha Çlirim Gjata”, deklaroi Xhunga.
Duke iu referuar deklaratave të PD, e pyetur nëse duhet të ishte Tahiri një ndër të parët për t’u hetuar, Xhunga tha se rëndësi ka që opozita jep emra. Sa i përket Lulzim Berishës si subjekt i OFL, ajo tha se duhet të merren me paratë e Vangjush Dakos që e mori për punë vullnetare.
“I pari apo i fundi ç’rëndësi ka, rëndësi ka që opozita dha një emër. Le të japin emra, të gjithë kemi të drejtë të japim emra. Unë dëgjova Lulzim Berishën sot dhe menjëherë e di ku më shkoi mendja? Po Lulzim Berisha po bën punë vullnetare në Durrës, çfarë faji ka Lulzim Berisha. Ai që e mori për të bërë punë vullnetare në Durrës ishte Vangjush Dako, kërko paratë e Vangjush Dakos. Sepse nëse Lul Berisha ka bërë para dhe ka siguruar lirinë e tij, dikujt ia ka dhënë të sigurojë lirinë e tij. Kështu që shqetësimi im real është që kriminelët i kanë paguar politikanët. Shqetësimi real janë politikanët në këtë vend, klasa politike e fëlliqur e këtij vendi. Ka marrë peng të ardhmen, besimin që ky vend bëhet dhe këta tani duhet të tregojnë xhepat. Besimi im i madh është tek SPAK-u. Ti i vë emra gjërave por ajo që unë dua është që të krijohet besimi në vend se po vodhe do shkosh në burg.
Këtu është krijuar atmosfera për të ndihmuar hajdutin, prostitutën, drogaxhiun, është krijuar një atmosferë e tillë që vesi është bërë virtyt. Prandaj unë them është show anti-KÇK, nuk ka problem, le të jetë. Paçim show që luftojnë të keqen. Kemi një situatë të rënduar të krimit. Kemi një situatë të rënduar të shprehjes në publik të të keqes. Unë besoj tek kjo që ka dhe njerëz që punojnë në këtë vend”, deklaroi Xhunga./balkanweb