Anilda Ibrahimi: Askush nuk e tregon rrugëtimin e individit nga komunizmi deri sot, si Henrik S.G.
Dritare.net
Henrik S. Gjoka nuk është një prej atyre shkrimtarëve që i pëlqen të ekspozohet, apo t’i drejtohen dritat e projektorëve të vëmendjes. Përkundrazi, ai është një prej atyre artistëve që duan hijen, sepse aty e krijojnë më mirë dritën, libra të cilët janë një thesar për letrat në gjuhën shqipe.
Për herë të parë, shkrimtari i cili, jeton në Francë që prej viteve ’91, pranoi të japë një intervistë për dritare.net.
Lexo intervistën e plotë: http://www.dritare.net/2017/07/03/gruaja-e-nje-tjetri-dhe-historia-e-shkrimtarit-misterioz-shqiptar/1
Impakti te njerëzit ishte i menjëhershëm, të cilët shprehin konsideratat e tyre për shkrimtarin misterioz dhe fuqinë e madhe që ka pena e tij.
Një prej tyre është edhe autorja e famshme shqiptare, Anilda Ibrahimi, e cila prej vitesh jeton në Itali. Me shumë libra të publikuar, ku bashkëpunon me shtëpinë botuese “Einaudi”, Ibrahimi është një prej shkrimtareve më të pëlqyera dhe fituese e disa çmimeve nw Itali. Edhe pse personalisht ajo boton në gjuhën italiane, një prej të paktëve autorë të letërsisë së shkruar në shqip, është pikërisht shkrimtari Henrik S.G. Ibrahimi zgjodhi dritare.net për të shprehur vlerësimin e madh që ka për shkrimtarin.
“Henrik S.G. është si të thuash nga të paktat lidhje që personalisht vazhdoj të kem me letërsinë e shkruar në gjuhën shqipe. Një prozë e qetë, e rrjedhshme, e mbushur me detaje, aq sa në momentin e parë të mbërrijnë si një grusht në stomak dhe të çorientojnë. Por, pastaj duke lexuar, kupton që të gjitha elementet janë në funksion të psikologjisë së personazheve, të cilat mbartin dritëhije të pafundme. Personazhe jo qurravitës dhe as imitim i keq i një farë ekzistencializmi, që bota e ka tejkaluar me kohë, e që duket se lëvrohet ende vetëm në shqip.
Personazhe që jetojnë duke ndjekur fatin e tyre, pa u ndjerë kurrë viktima. Henrik S.G. ka përshkruar si asnjë shkrimtar tjetër i post-komunizmit, rrugëtimin e individit në një epokë moderne, ose thënë ndryshe, në një epokë shumë vite dritë larg asaj që ishte bota e tij normale, deri në rënien e murit të Berlinit”, thotë për dritare.net shkrimtarja e njohur. Që është vetë një thesar i letrave shqipe, e çmuar ndërkombëtarisht./dritare.net