Ambasadori Kiçmari: Kriza në Shqipëri kërkon zgjidhje racionale, Presidenti të ndikojë në uljen e gjakrave

Shqipëria është në krizë të thellë politike.

Ka disa muaj që Opozita i ka dorëzuar mandatet në Parlament dhe është duke organizuar protesta, shpesh të dhunshme, ndërsa Presidenti Meta ka marrë vendim për çdekretimin e Zgjedhjeve Lokale të 30 qershorit për shkak të gjendjes në vend.

Kryeministri Edi Rama, i përkrahur nga faktorët ndërkombëtarë në Shqipëri, është këmbëngulës për mbajtjen e zgjedhjeve lokale më 30 qershor. Fushata zgjedhore po zhvillohet nën tensione të vazhdueshme.

Këto ngjarje e karakterizojnë Shqipërinë në kohën i është afruar hapjes së negociatave për anëtarësim në BE.

Në një intervistë për Klan Kosovën, Sabri Kiçmari, ish-ambasador i Kosovës në Austri dhe Australi, ka folur për këtë situatë tejet të komplikuar dhe i ka analizuar mundësitë e daljes nga bllokada.

“Kryeministri Rama është gjendur në një situatë absurde. Ai e tejkaloi me mjaft elegancë krizën e vitit 2017. Vendi ka nevojë për një elegancë të tillë sërish. Nuk është politikisht i mençur organizimi i zgjedhjeve lokale pa pjesëmarrjen e opozitës. Shkalla e legjitimitetit të këtyre zgjedhjeve do të ishte deficitare. Vendi nuk duhet të vazhdojë të qeverisë për katër vite me sistem të diskutueshëm legjitimiteti”.

“Po ashtu, përgjimet e publikuara nga Bild-Zeitung flasin për segmente antidemokratike brenda strukturave të tij lokale dhe qendrore. Kryeministri Rama duhet të marrë masa konkrete për vënien para përgjegjësisë të personave të tillë. Shpresoj se ai do të vë interesin shtetëror para atij partiak. E njoh personalisht kryeministrin Rama dhe shpresoj që ai nuk do të pranojë të shkojë në katrahurë politike në të cilën duket qartë se po rrëshqet vendi. Nga një katrahurë e tillë humbin edhe partitë politike, shoqëria, dhe shteti. Racionalizëm, reflektim politik dhe zgjatje e dorës për pajtim, si dhe zgjidhje të përgjegjshme – kjo është rruga që duhet të zgjedhë kryeministri Rama. Besoj se në orët dhe ditët e ardhshme ai do ta bëjë këtë”.

Kiçmari e konsideron delikat dhe sfidues pozicionin e Presidentit Meta.

“Presidenti Meta ka për detyrë të luajë rolin e unifikuesit të popullit. Detyra e presidentëve është e rëndësishme në situata të tilla krize. Uroj që presidenti Meta ta luajë rolin e ndërmjetësuesit, të ofrojë pajtim dhe zgjidhje, të ndikojë në uljen e gjakrave dhe të thërrasë për etikë politike”.

“Rreshtimi i presidentit me njërën palë kundër tjetrës vetëm sa e sforcon konfliktin. Fakti që bashkëshortja e presidentit është lidere e partisë së dytë opozitare, për fat të keq, ndikon në perceptimin e rolit unifikues të presidentit. Pavarësisht kësaj, uroj që presidenti ta ruajë drejtpeshimin institucional, i cili është jetik në ditët e ardhshme”.

Lidhur me mundësinë e destabilitetit të plotë në prag të zgjedhjeve lokale të 30 qershorit, ish-ambasadori është shprehur skeptik se diçka e tillë mund të ndodhë, teksa ka ftuar palët për dialog dhe zgjidhje me kompromis “për të gjetur zgjidhjen racionale në një kohë joracionale”.

“Jam i prirë të besoj se qytetarët shqiptarë e kanë tejkaluar mentalitetin e konfrontimit fizik për bindje politike. Është një dorë politikanësh në Shqipëri që po e helmon ambientin politik me gjuhë agresive”.

“Grushtet e shtetit dhe përplasjet civile sjellin dëme, dhunë dhe përgjakje. Ato nuk i kanë hije një vendi anëtar të NATO-s dhe aq më pak kombit shqiptar që nëpër shekuj e ka trasuar harmoninë ndër-religjioze. Ashtu siç krenohemi me vëllazërinë ndër-religjioze ndër shqiptarë, kësaj radhe qytetarët shqiptarë e kanë në dorën e tyre të demonstrojnë qytetarinë  dhe tolerancën mes vete. I ftoj dhe inkurajoj për këtë”.

LEXO DHE :  Fejohet shefi i famshëm i Veggies

“Elita intelektuale e Shqipërisë, që është e mbrujtur me vlerat më të larta etike politike, që është mendjendritur dhe racionale, duhet të vjen në shprehje këto ditë. Njerëz të tillë duhet të dalin në skenën publike për t’ju bërë ftesë të dy krahëve politikë që t’i kthehen arsyes, të zbresin te një mjet që e zbaton bota demokratike dhe e civilizuar në raste të tilla: te kompromisi”.

“Zgjedhjet vijnë e shkojnë, edhe partitë vijnë e shkojnë. Qytetarët, kombi, shteti dhe shoqëria mbeten! Nuk duhet rrezikuar jeta e asnjë njeriu për interesa politike dhe partiake. Shpresoj se zëri i njerëzve racionalë në Shqipëri do të dëgjohet dhe të dy krahët politikë do të ulen për të biseduar mes vete për të gjetur kompromisin, zgjidhjen racionale për këtë kohë joracionale”.

Lidhur me shtyrjen e vendimit të Këshillit Europian për hapjen e negociatave me Shqipërinë, Kiçmari ka theksuar se politika e opozitës ka qenë faktor i rëndësishëm – por jo i vetëm – që ka ndikuar.

“Pa asnjë dilemë, tërheqja e opozitës nga institucionet shtetërore dhe deklarimi i saj për mospjesëmarrje në zgjedhjet lokale ka qenë faktor shumë i rëndësishëm që ka ndikuar në vendimin e Këshillit Evropian për shtyrjen e hapjes së negociatave për pranimin e Shqipërisë në BE. Por, kam bindjen se ky nuk është faktori i vetëm. Humbjet nga kjo shtyrje e marrjes së datës për hapjen e negociatave vlejnë për të dy krahët politikë dhe për vetë qytetarët shqiptarë”.

Ish-ambasadori i Kosovës në Austri dhe Australi ka thënë se Shqipëria meriton hapjen e negociatave teksa e ka kundërshtuar idenë e ndarjes së Shqipërisë nga Maqedonia e Veriut rreth vendimit për hapjen e negociatave duke pohuar se kjo e komplikon situatën.

“Natyrisht që Shqipëria e meriton hapjen e negociatave. Nëse Serbia, që ka zhvilluar katër luftëra agresive kundër vendeve fqinje brenda shtatë viteve, i ka hapur prej vitesh negociatat, një gjë të tillë do të duhej njohur edhe Shqipërisë”.

“Por, Shqipëria ka nevojë për një reflektim serioz për të shmangur këtë theqafje politike, në të cilën është përfshirë. Vendi ka nevojë për mendim racional politik”.

“Diplomacia e Maqedonisë duket se e ka vërejtur rënien e Shqipërisë për shkak të krizës së brendshme dhe prandaj ka kërkuar që të bëhet diferencimi në mes të dy vendeve. Natyrisht që kjo e komplikon situatën për të dyja vendet. Maqedonia nuk fiton me këtë kërkesë. Fqinjët duhet t’i gjenden pranë njëri-tjetrit dhe jo të sfidojnë njëri-tjetrin në gjendje krize”.

Ai i ka shprehur dyshimet e tij edhe për ndikimin e Rusisë në përpjekjet për destabilizimin e vendit.

“Një ‘Qendër Humanitare Ruso-Serbe’ është hapur në Serbi, në afërsi të Nishit, në vitin 2012. Ajo thjesht është një qendër spiunazhi. Diplomati amerikan Hoyt Brian Yee ka shprehur hapur dyshimet e tij për rolin e kësaj qendre. Që nga ajo kohë ka pasur një tentim puçi në Mal të Zi, destabilizim të gjendjes në Maqedoni dhe në Bosnjë e Hercegovinë”.

“Para dy javësh u zbulua edhe implikimi i dy zyrtarëve rusë nën petkun diplomatik të UNMIK-ut në veriun e Kosovës. Të gjitha këto flasin se Rusia është mjaft aktive në rajonin tonë. Nuk kam të dhëna të sigurta për të verifikuar një gjë të tillë, por mund vetëm të konstatoj se sigurisht ngjarjet e fundit në Shqipëri mund të jenë objekt interesimi i spiunazhit rus”./ I.M-Qëndrim Badallaj, KlanKosova

Për t’u bërë pjesë e grupit "Dritare.net" mjafton të klikoni: JOIN GROUP

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.