Ahmetaj: Kemi paratë për rritjen e pagave dhe pensioneve, vendimi varet nga mazhoranca
Dritare.net
“Unë si ministër i Financave garantoj se i kemi paratë dhe të ardhurat për rritjen e pagave dhe të pensioneve. Më pas vendimi për rritjen është politik, i përket maxhorancës, kryeministrit dhe kryetarit të Kuvendit”, u shpreh ministri i Financave.
Ahmetaj sqaroi se nuk do të ketë taksë të re të pronës. Ministri i Financave hodhi poshtë zërat se rivlerësimi i shtëpive me 2 për qind do të rrisë taksimin e pronës.
“Do të vendoset për metër katror apo do të vendoset me vlerë reference, ne nuk e dimë këtë. Nuk ka taksë të re. E kam dëgjuar, e kam lexuar, megjithatë ky është rasti për ta shpjeguar. Përkundrazi ne bëmë një gjë akoma më të rëndësishme, që është rivlerësimi deri në 28 shkurt, se dikush thoshte se mos e bënit me hile ju këtë rivlerësimin. Ia kam shpjeguar edhe një mikut tim, punon në një kompani të vlerësimit të pronës. Nuk ka hile. Po të ishte për tatim mbi bazën e vlerës, do të ishte po logjike të përdorej referenca e vlerës. Nuk ke nevojë të përdorësh vlerën e shitjes së një pronë, por do të marrësh një vlerë të referuar në bazë të transaksioneve dhe për këtë ka disa metodologji”, u shpreh ministri. Ministri i Financave shpjegoi edhe mbledhjen e sotme të taksës së pronës.
“Ne do të shohim metodologjinë dhe do të biem dakord të gjithë bashkë. Taksa e pronës nga bashkitë mblidhet në minimum, ka bashki që taksa e pronës mblidhet dhe 5 për qind, dhe është gati qesharake. Ne do të shohim se çfarë ndodh në botë me taksën e pronës, cilat janë instrumentet më të mirë të mbledhjes së saj, cilat janë agjencitë që e përllogarisin, mbi ç’bazë. Në konceptimin tim është një taksë primitive që ka mbetur që në llogaritje dhe në mbledhje”, përfundoi Ahmetaj.