Adem Demaçi: Pse shqiptarët nuk bënë dot shtet!
Dritare.net
Në vitin 2011, Demaçi ka qenë i ftuar në emisionin “Shqip”, të moderuar nga gazetarja, Rudina Xhunga në Top Channel. Në emisionin me temë, “Zgjedhjet e shqiptarëve”, Demaçi ka folur për zgjedhjet e popullit shqiptar, drejtimin e shtetit dhe marrëdhënien me shtetet e tjera. Sipas Demaçit, shqiptarët gjithmonë i kanë ndihmuar shtetet e tjera. Kanë qenë një popull i mirë, ushtarë të mirë, po nuk kanë bërë një shtet të mirë. Pse? Sepse sipas tij, Shqipëria gjithmonë ka qenë e pushtuar, o nga romakët, o nga grekët dhe nuk ka mundur që të krijojë shtetin e vet.
'Nuk e harroj kurrë atë fjalën e Gramenos, kur i thonë: Pse bre, pse bre po pi? Ai i thotë: po ç’të bëj, na u bë një Shqipëri që na plasi zemrën të gjithë atdhetarëve, e që t’i gëzojë zemra të gjithë armiqve tanë. Shpesh me sillet kjo në kokën time, mirëpo, unë do të bëhem avokat i popullit sepse e di që ju e doni më shumë se unë popullin. Dhe dëshiroj që të mos e fajëso popullin, në kuptimin pse është kështu s’është ashtu. Sepse kështu si jemi, jemi ‘bira e fundit e kavallit’, i themi ne nga Kosova. Jemi shteti, populli më i prapambetur, shteti që më së paku i vjen era shtet, në Shqipëri ose Kosovë.
Kjo është një e vërtetë që duhet ta themi. Sepse unë e ndjej, meqë nuk jam në këto parti, jam vetë kryetari i Lidhjes së Shkrimtarëve, atje ku nuk ka para. Prandaj jam në kontakt për çdo natë edhe për çdo ditë me njerëzit e thjeshtë. Por ta dini se populli ynë nuk është më kalama. Shan, bërtet, proteston. Pse ky kushti? Pse ky ashtu? Shajnë me zë, nuk është më ai populli kalama. Tash e sheh edhe ai vetë, që diçka nuk është në rregull. Ç’është kjo punë? Kudo që të shkosh ku janë shqiptarë, s’ka organizim, s’ka rregull, ka çrregullim, ka grindje mes veti, kapen mbas gjerave të vogla i harrojnë të mëdhatë,. Mundohen të gjithë të imitojnë të huajt. Unë ju them, ore bota ka nevojë për shqiptarë, të vërtetë. Për shqiptarë, 100% shqiptarë. Nuk kemi ne pse të turpërohemi se jemi kështu, jemi mes dy botëve, dhe ato botë na bëjnë të jemi kurriz i tyre. Edhe Lindja edhe Perëndimi. Ishim ushtarët më të mirë te romët për 1000 vjet, ishim ushtarë të mirë të otomanëve, për 500 vjet. Ndihmuam, kë s’ndihmuam, që nga grekët. Kur ka përfunduar pavarësia e Greqisë, gjysma e deputetëve kanë qenë shqiptarë. Edhe luftën më të madhe e kanë bërë shqiptarët. Por, porsa filluan ta kërkojnë pushtetin, dhe paranë. Paraja dhe pushteti janë elemente të rrezikshme. Sidomos për atë që ka qenë i pangopur i etur. Që ka qenë vazhdimisht me dëshira të paplotësuara dhe ka ardhur në një situatë, ku i plotësohen të gjitha dhe ai është në gjendje të bëjë çfarë i kërkojnë. Albin Kurti ka një fjalë të bukur: Porsa e kërkojnë bakllavanë, i zë edhe velen. Kështu që, populli ynë, sot është pjekur deri në atë shkallë, sa është momenti i fundit edhe koha e duhur, që t’ia themi të vërtetat. T’ia themi të vërtetën e hidhur, se tashmë mund ta kapërdijë, ka kapacitet. Pse po them kështu? Sepse tjetër ilaç nuk ka, ne popullit duhet t’i tregojmë konkretisht se, si mund të dilet nga kjo.
Çdo popull matet nga kriteri i kombit. Çfarë bëri dhe çfarë bën për kombin? Nëse populli e merr sërish në dorë kriterin e kombit, ai është i shpëtuar, përndryshe populli ynë, është zhvilluar me kërcime.
Ne nuk kemi njohur sistemi skllavopronar. Ilirët nuk kanë dashur ta fusin në burg, anëtarin e fisit të tyre, e kanë zënë, ose e kanë ngrënë, ose e kanë mbytur, ose e kanë bërë vëlla ose i kanë thënë ik. Ne nuk kemi qytete tonat. Qytetet, me të cilat lavdërohemi, Apolonia, Durrësi etj, ose janë të grekëve, ose të romakëve. Nuk kishim shtete të mëdha, nuk bëmë shtete të mëdha. Ilirëve u mjaftoi ai fisi i vet brenda, aty ishte shteti, aty demokracia, aty kulmi, i gjitha të mirave. Nuk arritën që ta thyenin, ta shqyenin atë fshikëzën e fisit. Prandaj erdhën edhe romakët një nga një. Fiset ilire i okupuan, i pushtuan. Dikur i bënë ushtarë të mirë, punëtorë të mirë. Çdo herë që ka ardhur në krye të Romës një ilir, ajo ka prosperuar. Kur ka rënë iliri, e mori lumi. 6 perandorë ia kemi dhënë romakëve. D.m.th kaq romakë jemi bërë, sa i kemi dhënë 6 perandorë. Sikur sot të arrinim t’i jepnim popujve të tjerë, 6 kryetarë të tjerë. Pra, ku është puna? Puna është se, nuk na lanë vetëm, vazhdimisht na pushtonin, më të organizuarit se ne. Pse? Sepse kishin shtet, ne nuk kishim shtet. Sepse ata që patën shtet, patën ushtrinë, patën policinë, alfabetin, shkollat, njerëzit e arsimuar, të cilët i mbanin në oborret mbretërore etj.'/K.C/Dritare.net