A mund të mbetet ministër i Jashtëm, Ditmir Bushati?
Dritare.net
Ndër postet më të diskutueshme nga mediat, analistët dhe njohësit e fushës ishte ai i Ministrit të Evropës dhe Punëve të Jashtme.
Shqipëria ndodhet përballë sfidave të mëdha që e presin në 2019, ndër më kryesoret hapja pa kushte e negociatave për anëtarësimin në BE, marrëveshja përfundimtare me Greqinë dhe nga ana tjetër Kosova me marrëveshjen me Serbinë, e të ashtuquajturin “korrigjim kufijsh” për të cilën shefi i diplomacisë shqiptare në detyrë Ditmir Bushati kishte një qëndrim të qartë kundër kësaj ideje, të hedhur nga Presidenti Hashim Thaçi.
Ardhja në krye të diplomacisë shqiptare e Gent Cakës, është lexuar në mënyra të ndryshme, kjo pasi ende nuk dihet qartë qëndrimi i tij për “korrigjimin e kufijve”, ndërsa në media është folur edhe se Caka nuk është i pajisur me certifikatën e sigurisë, mjet ky i domosdoshëm për një kryediplomat.
Ka qenë analisti nga Kosova, njohës i mirë i politikës Veton Surroi që në një shkrim të tij të shkurtër vlerëson Ministrin Bushati.
“Ditmir Bushati ishte në diplomacinë evropiane një zë i qetë, i vendosur dhe konsekuent në mbrojtje të interesave të shqiptarëve e të Kosovës jo vetëm atëherë kur këto qenë të sulmuara nga Serbia e aleatët e saj por edhe atëherë (apo sidomos atëherë) kur ato qenë të sulmuara nga kolegët e tij kosovarë (Thaçi, Pacolli e të ngjashëm).”-shkruante Surroi.
Edhe analisti nga Shqipëria, Dritan Hila ka reaguar ashpër për vendosjen në postin e Ministrit të Jashtëm Gent Cakën. “ Fyerje për diplomacinë shqiptare’ e ka quajtur Hila një emërim të tillë.
“Kryeministri që po e kujton shtetin si lojë zarash, hajt se më ka thënë Batoni po i vë këta këtu. Ky djali që është ministër i Jashtëm, është një fyerje për diplomacinë shqiptare, sepse diplomacia shqiptare ka njerëz që kanë qenë nga 4 herë ambasadorë, dhe nuk mund të vendosësh kalamaj që i gjen lart e poshtë
Ky nuk i bën nder as Kosovës. Nëse do të nderosh Kosovës, merr Enver Hoxhajn që ka qenë Ministër i Jashtëm i Kosovës, është një njeri me një karrierë solide diplomatike.”-ka thënë Hila.
Jashtë kufive shqiptarë, për shkarkimin e Bushatit ka reaguar edhe ish-ministri i Jashtëm Grek, Nikos Kotzias, i cili ka thënë drejtpërdrejtë se largimi i Bushatit lidhet me idenë e tij kundër “korrigjimit të kufijve” mes Kosovës dhe Serbisë.
“Ditmir Bushati, për mendimin tim, nuk u largua nga kabineti sepse qëndroi gjatë në krye të diplomacisë, por sepse kishte një këndvështrim tjetër për çështjen e Kosovës. Me pak fjalë, ai ishte kundër ndryshimit të kufirit mes Kosovës dhe Serbisë”, ka thënë Kotzias.
Edhe mediat botërore me redaksi në Shqipëri e kanë parë me habi shkarkimin e Bushatit.
“Zëri i Amerikës “ shkruajti fill pas shkarkimit: E papritur lëvizja e Ministrit të Jashtëm Ditmir Bushati, në një kohë kur diplomacia gjendet përpara sfidave të rëndësishme, që nga ajo e integrimit europian, te drejtimi i OSBE-së në vitin 2020, ndërkohë që duke nisur nga viti i ardhshëm vendi do të jetë pjesë e Trojkës së kësaj organizate, e deri te procesi i dialogut që është hapur me Greqinë për trajtimin e një sërë çështjesh të mbetura pezull, përfshirë të ashtuquajturën Marrëveshje e Detit.
Por duket se edhe vetë Presidenti Meta është në dyshime të mëdha për të firmosur dekretin për shkarkimin e Bushatit ose jo.
Presidenti Meta në kohë rekord, firmosi të shtunën dekretet për shkarkimin e 6 ministrave të qeverisë, por në këto dekrete mungonte emri i Ditmir Bushatit.
Edhe pse kanë mbetur edhe 6 ditë, ende nuk diihet nëse Meta do të dekretojë shkrkimin e Bushatit dhe emërimin e Cakës ose jo./ I.M-Dritare.net