A jetohet 10 ditë pa…

Nga Luna Ruvina

Dëgjoj herë pas here shoqe që mbajnë kreshëm. Para ca ditësh lexova këtu në Dritare shkrimin e Editit, se si ishte ndier dhjetë ditë pa make up. Interesante më duket kjo ideja e heqjes dorë nga diçka për ca kohë. Në këtë zhurmë dhe kaos ku jetojmë më duket vetja shpesh sikur kam humbur rrugën në një pyll të dendur e më duhet të ngrihem lart për të parë më mirë. Shpesh janë njerëzit që kemi afër ata që na dëgjojnë, na flasin, na japin mend e na ndihmojnë ta gjejmë rrugën e duhur, po prapëseprapë, askush nuk mban përgjegjësi për zgjedhjet tona përtej kafes ku i kthejmë mbarë e mbrapsht të gjitha opsionet. E ja ku e kemi edhe këtë opsion. Oh sa shumë gjëra mund të mos “i hamë” për kreshëm, po unë po përmend dhjetë.

10 ditë pa …

1. Kafe – Nëse kafja, për shembull, mendojmë se na bën keq, pa ta provojmë të rrimë nja dhjetë ditë pa të? Kështu i vëmë kapak kësaj pune.

2. Telefon – Ose, ta zëmë, telefonatat e lodhshme rutinë sa për t’i bërë qejfin dikujt na e kanë sjellë në majë të hundës. Këtu xhanëm, mund të rrezikojmë shumë duke e futur personin në listën e të bllokuarve në telefon, ama mund të marrim vendimin ekstrem të mospërdorimit të telefonit për ca kohë.

3. Ashensor – Po në mos deri në katin e 20 e ca ku mund ta ketë shtëpinë a zyrën ndokush, mund të marrësh shkallët deri në katin e pestë a të gjashtë ku dikur ngjiteshim edhe ngarkuar me ushqime, karrocë fëmijësh e madje edhe me enë me ujë kur ky i fundit arrinte dy here në ditë deri te komshiu i katit të dytë.

4. Facebook – Uh, sa shumë më shumë kohë do kesh. Vështirë pak në fillim se s’do dish ç’ta bësh këtë kohë, por, me shpresë, mësohesh. Mund të provosh të lexosh ndonjë libër, për shembull, por kujdes, jo një nga ata librat e mirë klasikë, se rrezikon të të bëhet ves edhe leximi.

5. Pastruese shtëpie – ….po vetëm për 10 ditë, ë? Dhe paguaje pastruesen që ke për këtë periudhën e kreshmës ose njoftoje ca kohë më përpara, se ajo e ka bërë llogari t’i marrë ato pak lekë prej teje. Nëse ke vite që s’i ke hyrë vetë shtëpisë me themel, do kënaqesh shumë. Do zbulosh gjëra që kishe harruar se i kishe. Do mbushësh ca çanta me rroba që s’i veshur që kur ishe 7-8 kile më shumë ose më pak e do t’ia falësh dikujt që i hyjnë në punë.

LEXO DHE :  Jetëgjatësia juaj është e shkruar në dhëmbët tuaj!

6. Seks – Murgjit e murgeshat rrinë gjithë jetën pa të, s’duhet të jetë fundi i botës. Nëse je i/e martuar apo me të njëjtin partner prej shumë kohësh, do shohësh nëse do të të marrë malli. Nëse jo, shtyje kreshmën edhe ca. Kur të shkojë keq fare, epo aty s’do mendosh më se me kë.

7. Televizor – E ke vënë re se si budallallepsemi me pult në dorë për orë me radhë? Shpeshherë e kap veten duke mos e ditur fare se çfarë po sheh. Provo atë që sugjerova në kreshmën 4. Lexo një libër. Ose shko te Turbina, d.m.th. në teatër.

8. Thashetheme – Apo s’bëhet kjo? Po mirë, thjesht mundohu të mos flasësh për askënd mbrapa krahëve. Mos gjyko askënd. Përmbaju fakteve. Mundohu t’i kuptosh zgjedhjet e njerëzve, duke i pyetur direkt, ballë për ballë.

9. Blerje të panevojshme – Provo t’i kufizosh blerjet tek gjërat e domosdoshme. Këtu për ne shqiptarët, buka është e para, po ke parë ti që edhe këto furrat e bukës nuk po lënë gjë pa futur e të ndodh të dalësh edhe nga furra me nja 10 mijë lekë të vjetra më pak? Madje shumë të kripura më duket se i kanë çmimet disa. Unë gjatë kreshmës do filloj të blej tek ca furra të vogla që duken si ato të dikurshmet, vetëm me bukë-bukë.

10. Merak – Meraku ose ankthi, fjala më e përafërt me të profesionalisht thjesht të ha, të gërryen. Nuk të ndihmon meraku ta zgjidhësh punën e punës, as të ardhmen e fëmijës apo të shkuarën me burrin/gruan apo vjehrrën. Peshoji gjërat mirë. A ka gjë që mund ta bësh? Bëje! S’ka? Epo rri, qetësohu!/Dritare.net

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.