Në 23 maj të 8 viteve më parë, është ndarë nga jeta Dritan Hoxha, themeluesi i Top Medias. Ai vdiq në moshën 39 vjeçare për shkak të një aksidenti tragjik, duke e përplasur makinën e tij me një pemë përballë ish Ekspozitës. Vdekja e papritur u shoqërua me një varrim madhështor të Dritan Hoxhës me praninë e shumë personaliteteve të politikës dhe medias. Sot, 8 vjet pas vdekjes, kur televizioni që ai krijoi është në gjyq mes familjes dhe aksionerëve të tjerë, vajza e tij e madhe Lori Hoxha e kujton babanë e saj me një mesazh shumë emocional, duke ndarë me publikun për herë të parë një video familjare. Ajo shkruan anglisht në mesazhin që shoqëron videon, fjalët si më poshtë:
“E di që nuk do të pëlqente ta ndaja në publik këtë video, por bota duhet ta dijë që prapa liderit vizionar, ka qenë një baba i mrekullueshëm! Një pjesë e zemrës time do jetë me ty kudo qofsh, sepse mbushem me gëzim duke ditur që ne ishim aty dhe shtrëngonim duart në çdo hap të rrugës dhe ishim të gjithë bashkë. Sara, Redia, Itan dhe unë do të jemi gjithnjë mirënjohës dhe të nderuar që gjaku yt rrjedh në venat tona. Na mungon vërtetë!”