Zgjidhet në Tiranë, Miss Trans Albania 2017
E Martë 26 Dhjetor 2017, 10:10
Dritare.net
Nga Isa Myzyraj
Është mbajtur në njërën nga diskot e Tiranës një spektakël i pazakontë, një spektakël që rrallë-herë e dëgjojmë dhe e shikojmë, “Miss Trans Albania 2017”.
Mbrëmja filloi në orën 21:00, dhe personat e komunitetit LGBTI por edhe mbështetësit e këtij komuniteti vinin në disko mjaft të lumtur që ky spektakël ishte bërë i mundur për të tretën herë në vendin tonë.
Pasi diskoja u mbush dhe pjesëmarrja ishte mjaft e madhe, që kalonte edhe pritshmëritë e të gjithëve, juria ulet në vendet e tyre dhe në mes të sallës dalin dy prezantuesit e kësaj mbrëmje.
Pas pak, fillon edhe sfilada e parë e protagonisteve të mbrëmjes, 7 transgjinorë, njëra pas tjetrës sfilojnë me veshje të gjatë deri në fund të këmbëve, dhe ngjyra rozë që përshtate mjaft mirë me ambientin me drita të shumëllojshme.
Mes duartrokitjeve dhe ulërimave përfundon sfilada e parë dhe tanimë radhën e ka një performancë live.
Një vajzë me flokë të shkurtëra bionde, merr mikrofonin dhe nisë të këndojë një këngë dashurie, ofrohet përballë të dashurës së saj e cila ishte ulur në njërën nga tavolinat dhe me një buzëqeshje të lehtë në fytyrë performon përballë saj. Të dyja shikojnë njëra-tjetrën në sy, ishin shikime dashurie, ishin shikime që ato të dyja i kishin parë për plotë 10 vite që ishin bashkë, dhe kënga u mbyll me një puthje mes të dyjave, e cila bëri që salla të shpërthente në duartrokitje.
Tanimë radha është përsëri për 7-tëshen, e konkurrenteve, që në sfiladën e dytë dalin me një palë xhinse të shkurtëra, dhe këmisha të bardha të lidhura për beli.
Pas përfundimit të sfiladës, juria vendos që vetëm 4 nga 7 konkurrentet të vazhdojnë garën.
Pas pak minutash pushim, kishte ardhur edhe moment final, 4 konkurrentet dalin të sfilojnë të veshura me vello të bardhë, që shkëlqen mes ngjyrave të forta të diskos.
Ato vendosen krah njëra-tjetrës dhe juria vendos fituesin e zarfin ia dorëzon prezantueses.
Tanimë Shqipëria kishte tre fituese “Miss Trans Buzëqeshja”, “Shoqëruesja e Parë e Miss Trans” dhe “Miss Trans”.
Pas dorëzimit të kurorës nga “Mis Trans 2016”, tek “Miss Trans 2017” të gjitha konkurrentet përqafohen, dhe i lihet vend një mbrëmje e cila përfundoi rreth orën 04:00 të mëngjesit./ Dritare.net