Zbardhet vrasja e Jurgen Kurtit. Tre në pranga, një në kërkim
Dritare.net
Është zbardhur ngjarja nga policia dhe janë arrestuar 3 persona, të dyshuar si bashkëpunëtorë të vrasjes, ndërkohë një tjetër është shpallur në kërkim.
Policia njofton se janë arrestuar shtetasit me inicialet E. L., 21 vjeç, lindur në Athinë/Greqi dhe banues në Tiranë; A. B., 33 vjeç, lindur në Patos dhe baunes në Patos, Fier dhe O. Q., 22 vjeç, lindur në Fier dhe banues në Patos.
Nga informacionet e grumbulluara, provat e administruara dhe të sekuestruara, dyshohet se autorët e kësaj ngjarje janë shtetasit e mësipërm së bashkë me një shtetas tjetër të shpallur në kërkim. Policia gjatë kontrollit fizik dhe në banesat e këtyre shtetasve gjeti dhe sekuestroi një automjet që u ka shërbyer autorëve për tu larguar nga vendi i ngjarjes, si dhe dy makina të tjera luksoze.
Gjithashtu u gjet dhe një armë zjarri “Pistoletë TT”, fishekë luftarak, një sasi prej 2470 euro e lekë shqiptare, 13 aparate celular, si dhe një sasi e vogël lënde narkotike. Veprimet hetimore janë në vazhdim e sipër për të bërë të mundur dokumentimin e plotë me prova ligjore të personave të tjerë të përfshirë në këtë ngjarje, si dhe për dokumentimin e motiveve të kësaj ngjarje.
Materialet iu dërguan Prokurorisë Tiranë, për veprat penale penale “Vrasje me paramendim e kryer në bashkëpunim”, “Prodhim dhe mbajtje pa leje të armëve luftarake”, “Prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike”/E.B-dritare.net