Zbardhet dëshmia e mësueses që mbronte ISIS:"E dija se mbronte popullin e Sirisë"
Dritare.net
Është zbardhur edhe dëshmia në Polici e saj e cila ka deklaruar se në kohën që propogandonte për ISIS e njihte si organizatë politike të mirë, me shpresën se ajo do ishte një lëvizje politike që do mbrojë popullin e Sirisë nga regjimi i egër i presidentit Asad.
E pyetur nga gjyqtari Sokol Shehu se çfarë mendimi ka aktualisht për ISIS, ish mësuesja është distancuar totalisht duke pranuar se janë kthyer një organizatë kriminale dhe që kanë vrarë njerëz të pafajshëm, raporton Panorama.
Në gjyq nuk janë paraqitur prova të tjera përveç videos disa sekondshe që është dhënë në emisionin Stop ndërsa mendohet se biseda mes mësueses dhe nxënëses është më e gjatë për të kuptuar edhe më shumë. Të afërm dhe familjarë të tjerë kanë pritur me ankth përpara godinës së gjykatës vendimin që do jepej.
Emine Alushi pas arrestimit të saj menjëherë pas shfaqjes në emisionin “Stop” duke folur për ISIS është arrestuar dhe është dërguar drejt Tiranës teksa çështja i ka kaluar njësisë së antiterrorist dhe nga specialistët e kësaj strukture të policisë është marrë në pyetje.
Më pas dosja për ish mësuesen Emine Alushi i është deleguar prokurorisë së rrethit të Shkodrës duke qenë se nuk është cilësuar si një element i rrezikshëm dhe nuk është cilësuar si pjesë e grupeve të strukturuara kriminale që kanë lidhje me organizatën ISIS.
Në seancën që u zhvillua organi i akuzës kërkoi masën e sigurisë “arrest me burg” por gjykata pasi dëgjoi të dyja palët vendosi të vleftësojë të paligjshëm arrestimin e Emine Alushit dhe ta lërë atë në “arrest shtëpie” duke qenë se hetimet do vijojnë.
Në videon e transmetuar e cila mendohet se është e vitit 2015 apo edhe më përpara ish mësuesja Alushi pasi pyetet nga një nxënëse deklaron se ISIS është një organizatë e mirë që mbron popullin e Sirisë, Egjiptit dhe Palestinës.