Xhafaj është njeri i amerikanëve, gazetari paralajmëron: Një erë tjetër do fillojë në politikë, trembja është nga të dy kampet

Nga Entela Resuli

Opozita publikoi një audo- përgjim ku pretendonte se “vëllai” ishte duke bërë pazare drogë.

Ndërkohë si begraund u përdor një vendim i gjykatës italiane, ku Agron Xhafaj  në vitin 2012 rezultonte i dënuar me 7 vite e 2 muaj burg.

Opozita kërkonte që Xhafaj të largohej nga drejtimi i ministrisë së Brendshme pikërisht për këtë çështje të të vëllait.

Një natë më parë, u tha se kryeministri do të shkarkonte Xhafajn, madje u gjetën edhe emrat që do e zëvendësonin atë!

Por asgjë nga këto nuk ndodhën!

Mëngjesin e djeshëm vëllai i ministrit niset për në Itali dhe bën një letër publike ku thotë, ndër të tjera, se po shkonte për të sqaruar gjithë këto akuza që ishin ngritur për të, por ende të pa provuara.

Kështu Agroin iku në Itali,  ndërsa Xhafaj do të vazhdojë detyrën si ministër i Brendshëm.

Dritan Hila, editorialist i dritare.net, shkroi një status në rrjetin social ku  shpreh: “Xhafaj e dorëzoi vëllanë. Tani, ju të tjerët vishni brekë hekuri”.

Kjo fjali e Hilës provokoi shumë reagime në rrjet.

Për të kuptuar me tepër rreth asaj çka ka dashur të thotë analisti, ne folëm me të dhe ai u shpreh për Dita-n në lidhje me aktualitetin  e çështjes “Xhafaj” .

-Zoti Hila, ditët e fundit opozita i është kthyer një çështje të vjetër të vëllait të ministrit të Brendshëm për një dënim në Itali. Si e shikoni këtë denoncim dhe pse pikërisht tani?

E shikoj si sulm ndaj njeriut që është autori i reformës në drejtësi. Por jo vetëm kaq. Ai është personi që jo vetëm e ka bërë por edhe do ta zbatojë. Është njohës i mirë i mekanizmit të shtetit për vetë faktin se ka qenë ministër disa herë në funksione kyçe, funksione që e kanë ndihmuar të njohë edhe njerëzit. Kjo do të thotë që njeh si ata që do të jenë zbatuesit e reformës ashtu edhe viktimat e saj.

Nëse kjo betejë e opozitës është bërë për hatër të parimeve që kanë lidhje me raportin mes vëllezërve Xhafa, atëherë duhet pranuar se kanë një problem me veshin muzikor dhe nuk dinë të mbajnë fare ritmin e kërkesës popullore. Është një këngë që është kënduar 12 vjet më parë dhe megjithëse i është rënë daulles me forcë edhe në ato kohë, nuk kanë fituar ndonjë çmim.

Mos harrojmë se është një përsëritje e të njëjtës partiturë që këndonin 4 vjet më parë kur vendi ishte në pragun e marrjes së statusit të vendit kandidat. Është në të drejtën e çdo opozite të bëjë luftë me mjetet që ka. Por kjo është e vërteta.

-Por duket se ajo që e shtoi më shumë presionin ndaj qeverisë ishte fakti që opozita nxori dhe një audio ku implikonte vëllain e ministrit për trafik të lëndëve narkotike.  Deri më tani kemi dy palë: ata që e marrin për fakt të kryer këtë video, ndërsa të tjerë që dyshojnë dhe e konsiderojnë atë të manipuluar, ju si e komentoni këtë?

Nëse është manipulim teknik, për këtë duhet të shprehen specialistët. Sa i takon asaj që thuhet se është një bisedë për pazar droge, ky përgjim nuk sjell asnjë fakt.

Të paktën nga ato që kanë publikuar. Mbase ekspertiza nxjerr se mos është thënë gjë tjetër pa sa për këto që janë deklaruar, Bashkëpunëtori X mund të ketë shkuar tek Agroni t’i kërkojë kanabis (siç thotë opozita) ashtu sikurse mund të ketë shkuar për të kërkuar para borxh, dyshek, batanije apo letër higjenike.

LEXO DHE :  Shpejtësi ekstreme, makina qarkullon me 223 km/h

Asgjë nuk fakton trafikun e lëndëve narkotike edhe sikur Ermali që përmendet të jetë trafikant narkotikësh. E gjithë pjesa tjetër pastaj është lojë mediatike, ku opozita dhe mbështetësit e saj, krijon psikozën kolektive.

-Ndërkohë, ditën e sotme (dje)  vëllai i Xhafajt është vetëdorëzuar te autoritetet italiane për të zgjidhur problemet e tij me drejtësinë italiane. Sipas jush edhe kjo është lojë apo e konsideroni një  standard të ri për politikën shqiptare?

Nuk po merrem me anën morale të saj, pasi në këtë rast, më duhet të them që brenda çdo njeriu ka një anë të ndritur të tij. Çfarëdo gabimi të ketë bërë në jetë Agroni, me këtë akt tregoi burrëri të marrë përsipër pasojat e veprimeve të tij.

Politikisht është një standard që ka lënë pa lëvizje tjetër kundërshtarët e tij si brenda edhe jashtë partisë. Dhe më këtë mbyllet ky kapitull për Fatmir Xhafën i cili në vetvete është ndër të rrallët politikanë shqiptarë që nuk është përfolur për asnjë shkelje apo abuzim me pushtetin. Tani topi është në fushën e të tjerëve.

-Pas këtij vendimi ju jeni shprehur tekstualisht “Xhafaj e dorëzoi vëllanë. Tani, ju të tjerët vishni brekë hekuri”. Për kë ishte ky mesazh?

Aktorët politikë shqiptarë kanë shumë skelete dhe qese floriri në dollapët e tyre. Nëse mendohej se çështja e Agron Xhafaj do ta mbante peng Fatmirin (që është një skemë e vjetër në politikën shqiptare), i hoqën vetes një mundësi presioni.

Dhe tani ky njeri që siç e thamë është autor dhe do të jetë aplikuesi i reformës, e ka shpatën e lirë të presë majtas dhe djathtas.

Dhe mos kujtoni se trembja është vetëm nga kampi opozitar. Ka shumë të trembur edhe në kampin e Xhafës, aq më tepër kur ata e njohin mirë natyrën e tij infleksible përballë ligjit.

Gjithashtu kjo vërtetoi edhe diçka tjetër që përflitet prej kohësh se Xhafa është njeri i amerikanëve. Amerikanët nuk e lëshuan Fatmir Xhafën. Dhe nuk ishte Rama që e mbajti Xhafën. Rama vetë, u mbajt te Xhafa pas aktit të paprecedentë që bëri ky politikan.

-Megjithatë, një gjë vihet re, se sa herë ka akuza apo dhe implikime për njerëz të së majtës, shoqërohet me dorëheqje apo dhe me arrestime, por këtë gjë nuk e kemi parë në kampin e PD. Mendoni edhe ju kështu?

Madje shpesh njerëzit shprehen se “Berisha i mban të vetët, ndërsa të majtët të lëshojnë”. Çka ka të vërtetë brenda. Besoj është çështje formimi. Krahu i majtë ka politikanë me eksperiencë dhe kjo sjell edhe pasjen e standardeve më të larta. Por ka edhe individë me personalitet.

Tani besoj se është koha që kush ka probleme me ligjin në krahun tjetër, dhe kur them probleme, e kam fjalën për probleme direkte dhe jo të babait apo vëllait, të përgatitet, sepse mesa duket një erë tjetër do fillojë: Ku ata që nuk do shkojnë me këmbët e tyre, do të shkojnë t’i marrin me policë. Mbas këtij momenti fillon një erë e re në politikën shqiptare./Dita.al/

Lini një koment

Adresa juaj e-mail nuk do te publikohet.


*


This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.