Vrasja raciste e azilkërkuesit nigerian trondit dhe trishton Italinë
Dritare.net
Amedeo Mancini, pronar i një ferme të mëdha kafshësh në Fermo, për dhunën e tij dhe qëndrimet kishte marrë edhe në të kaluarën masa nga policia.
Mediat italiane shkruajnë se më 5 korrik Mancini kishte fyer partneren e Emmanuel Namdi, Chinyery 24 vjeçe, duke i bërtitur “majmun afrikan” dhe e ka kapur për fyti saqë i krijoi dhe gërvishtje dhe shenja.
Sipas dëshmisë së autorit të arrestuar tashmë, emigranti e ka sulmuar me një shtyllë të sinjalistikës rrugore dhe ai si rrjedhojë ju kundërpërgjigj.
Por versioni i partneres së viktimës tregon të kundërtën, që objekti është përdorur për të qëlluar Emmanuel Chidi Namdi. Dhe Don Vinicio Albanesi, përgjegjës për strukturën ku ishte pritur i riu emigrant, shpjegon se versioni i Mancinit është përgënjeshtruar nga mjeku, pasi autori ka marrë vetëm një kafshim.
Ndërkohë, viktima nuk ka mundur të jetë dhurues organesh, pasi familja e tij është ekzekutuar në Nigeri nga terroristët e Boko Haram dhe partnerja e tij nuk mund të jepte autorizimin sepse nuk ishin të martuar ligjërisht. Të dy kanë qenë pa dokumente kur kanë mbërritur në Itali. Edhe në kishë, gjatë ceremonisë mortore gruaja e tij ka qenë shumë e tronditur dhe madje që në fillim ka humbur ndjenjat dhe pasi është marrë nga ambulanca ku i është dhënë ndihma mjekësore ajo është rikthyer sërish në kishë.
Gjatë homazheve për nigerianin Emmanuel Chadi Nnamdi kanë marrë pjesë qindra njerëz, edhe bashkatdhetarë që kanë ndjekur të njëjtat rite fetare si në Nigeri.
Ndërkohë autori Amedeo Mancini i ka lënë një pjesë të pasurisë partneres së viktimës. “Ndiej përgjegjësi morale, por jo ligjore”, ka thënë ai.
Për këtë ngjarje ka reaguar edhe presidenti italian, i cili është shprehur “i dëshpëruar për episodin e intolerancës raciste” dhe i ka kërkuar prefektit të Fermos t’i shprehë vejushës solidaritetin e plotë dhe ofrimin e çdo ndihme të nevojshme”.
Kryeministri italian Matteo Renzi ka thënë se qeveria është pranë Don Vinicios, prifti që drejton komunitetin e emigrantëve dhe pranë familjes së viktimës. “Kundër urrejtjes, racizmit dhe dhunës”, është shprehur ai.
Me tone të tjera kanë qenë deklaratat e Lega Nord, e cila megjithëse dënon aktin, flet për rrezik bombash sociale dhe paralajmëron se “Hapja e padiskriminuar për të gjithë klandestinët ushqen episode racizmi”.