Vrasja e Azem Hajdarit/ Motra e Fatos Nanos telefonon Ambasadën: Si është im vëlla, se po shkalloj?

Nga Ylli Polovina

Italia, por edhe më gjerë, Europa Perëndimore, kanë një lidhje të ndjeshme të stabilitetit të tyre me gjendjen e qëndrueshmërisë në Ballkan. Plasdarmet minuese këtu veçanërisht shekullin e shkuar kanë qenë tepër të shpeshtë dhe në këtë rol disa herë është gjendur edhe Shqipëria. Karakteristike e këtij ndikimi jo pozitiv rajonal është se ai ka qenë i minimizuar gjatë dy diktaturave, asaj të Ahmet Zogut dhe të Enver Hoxhës, si edhe mjaft e shprehur përgjatë periudhave me pushtet qendror të pakonsoliduar, siç ajo e pas shpalljes së Pavarësisë dhe e dy luftërave ballkanike dhe botërore e viteve dhjetë. Po ashtu në motet e pluralizmit të parë 1920-1924.

Kjo influencë turbullimi u manifestua edhe kur nisi shumëpartitizmi i dytë shqiptar, me rënien e diktaturës.

Ndërkaq kjo dukuri ka edhe një pamje tjetër fort kurioze: duket sikur paqëndrueshmëria e brendshme e Shqipërisë me në pamje të parë preokupim të gjendjes në vendet fqinje, është krijuar prej vetë kësaj, por çdo ditë e më shumë po përvijohen dëshmi se ka ngjarë krejt e kundërta: forca politike dhe shtetërore përreth nesh kanë përdorur agjentë të tyre veprues për t’i provokuar këto periudha destabiliteti me qëllim dobësimin e përhershëm të saj. Sigurisht edhe si manovër për të fikur zjarret e problemeve të tyre të brendshme.

Një Shqipëri e paqëndrueshme, më së pari për veten e saj, pastaj për të tjerët, u vu re në një formë pothuaj “të pastër”, laboratorike për t’u vëzhguar dhe studiuar, jo vetëm gjatë trazirës (turborevolucionit) të parë, atij të marsit 1997, por edhe në të dytin, atë të shtatorit 1998.
Duke qenë se këto ditë ky turborevolucion i fundit mbush një lloj përvjetori (Mos qoftë!), në këtë mot të 20-të të bëmës së saj të çmendur, po ia riparaqesim lexuesit nga vetëm një kënd i përjetuar realisht prej autorit të këtij shkrimi: nga qyteti i Romës.

Si reagoi dhe si ia paraqiti opinionit të vet publik shtypi dhe televizioni italian? Bëhet fjalë për një konsumator aktiv mediatik prej një të tretës së një popullsie prej mbi gjashtëdhjetë milionë individësh. Pra, janë shumë. Po ashtu si e kryen këtë shërbim edhe ekrani e gazetat e Tiranës, me ndjekës aktivë diçka më tepër se një milion njerëz. Përgjithësisht këta qenë edhe përjetues të saj që po ndodhte.

13 SHTATOR 1998

Është ora dhjetë e njëzetë e mbrëmjes. Nga një telefonatë në redaksinë e Radio “Kontakt” u mor vesh një vrasje e papritur dhe shumë e bujshme: ajo e deputetit të djathtë Azem Hajdari.

Pas “Kontakt” të gjitha stacionet radiofonike private të Tiranës ndërprenë emisionet argëtuese. Lajmin e rëndë në fillim e transmetoi “Radio Koha”, porse në të flitej jo për vrasje, por për plagosje të Azemit. Menjëherë më vonë, në të gjitha stacionet u transmetua lidhja direket me Spitalin Ushtarak nga ku u mësua se Azem Hajdari dhe një bodigard i tij qenë vrarë, ndërsa shoqëruesi tjetër ndodhej në sallën e operimit.
TVSH dhe Radio-Tirana, dy mediat e vetme shtetërore, vazhduan programin e tyre të planifikuar burokratisht.
I pari ekran televiziv që ndërpreu transmetimin për të dhënë njoftimin kobzi ishte “TVA”. “Klan” dhe “Teuta” e transmetuan lajmin me titra poshtë ndeshjes “Milan-Bolonjë”.

Edicioni special për vrasjen e Hajdarit u përcoll për herë të parë në “Shijak TV” në orën 22:45. Drejtuesi i emisionit të jashtëzakonshëm u paraqit në ekran i përlotur dhe mundi të fliste e shpjegonte pamjet në transmetim vetëm pas dhjetë minutash. Në orën 23.00 nga ky stacion iu kërkua një intervistë ish-presidentit Sali Berisha, por ky i fundit nuk qe në gjendje të fliste. Atëherë “Shijak TV” transmetoi komunikatën e parë të Partisë Demokratike. Paralelisht me të, “Klan” njoftoi për një mbledhje të jashtëzakonshme të qeverisë.

Në orën 23:18, një gjysmë ore pasi vrasjen e Azem Hajdarit e kishin dhënë lajmin të gjitha agjencitë më të rëndësishme të botës, e njoftoi edhe agjencia shqiptare e lajmeve ATSH. Televizioni shtetëror e komunikoi lajmin e rëndë në orën 23:43. Në një minutë e gjysmë, përveç zisë që kishte ndodhur, u ngushëllua familja e deputetit të vrarë si edhe u lexua një deklaratë për ruajtjen e qetësisë.

Një konferencë e improvizuar shtypi e Sali Berishës u kumtua në “Shijak TV” në orën 23:58. Zëri i kryetarit të Partisë Demokratike dridhej. Ai foli vetëm tre minuta, ndërsa përballë kishte një auditor kryesisht me gra të veshura në zi. Vetëm pas mesnate Berisha mundi të japë një intervistë e gjatë. Përsëri në “Shijak TV”.

Deklarata e Ministrisë së Rendit ndërkohë komunikonte: “Sot, më datë 12.09.1998 në Tiranë, rreth orës 21:15, në rrugën “Seremeid Seid Toptani” në afërsi të selisë së Partisë Demokratike Shqiptare një punonjës i policisë i Komisariatit Nr.1 ka njoftuar se në afërsi të kinema “Partizani” ka dëgjuar krisma armësh. Salla operative, me të dëgjuar njoftimet e punonjësit të policisë, dërgoi menjëherë një autopatrullë të Repartit “Shqiponja” me targë policie TR 517 me Nr.3, punonjësit e së cilës kishin dëgjuar krisma dhe porsa shkojnë në vendngjarje konstatojnë tre persona të shtrirë përtokë dhe disa qytetarë, të cilët po përpiqeshin të hipnin në një automjet tip “Benz” ngjyrë e bardhë. Dhe iu dha ndihma e menjëhershme mjekësore. U krijua grupi hetimor dhe gjatë këqyrjes së vendit u gjet një automatik “Kallashnikov” dhe një armë brezi me silenciator, me dy krehër dhe gëzhoja. Nga verifikimet e bëra në Spitalin Ushtarak, rezultoi se ishte vrarë deputeti Azem Shpend Hajdari, si edhe shoqëruesi i tij Besim Çeraj, ndërsa ndodhet i plagosur një shtetas ende i paidentifikuar. Po punohet për zbulimin e autorëve së bashku me Prokurorinë e Rrethit”.

14 SHTATOR 1998, PASQYRA E SHTYPIT ITALIAN

“Corriere della Sera” për ngjarjen e ndodhur në Tiranë përdorte titullin e dukshëm: “Është vrarë në Tiranë zëvendësi i Berishës”. “Il Giornale” thoshte: “Është vrarë më besniku i Berishës”. “La Repubblica” bënte të ditur: “Hajdari i konsideruar si shef i ultrave të Partisë Demokratike”, “Azem Hajdari, udhëheqësi i ‘të ashpërve’ të PD-së”. “L’Unità”: “Është vrarë në Tiranë krahu i djathtë i Sali Berishës.

Si u vra? Informacioni që nisën të përhapnin në mëngjesin e 14 shtatorit gazetat kryesore italiane qe: “Corriere della Sera” (“U mitralua ndërsa po delte nga selia e partisë, afër sheshit Skënderbej, më i rëndësishmi i kryeqytetit. Bashkë me të vdiq edhe një nga dy truprojat që nuk i ndaheshin. Tjetri është duke vdekur në spital”); “La Stampa” (“Mbrëmë, ndërsa në Tiranë binte një shi i madh, është vrarë në një atentat deputeti Azem Hajdari…”; “La Repubblica” (“Atentatorët kanë pritur që deputeti të dilte nga selia e Partisë Demokratike dhe e kanë mitraluar nga një veturë që ecte”).

Sipas shtypit italian të 14 shtatorit 1998, kush akuzohet si vrasësi i tij?

“La Stampa”: “Sali Berisha ka akuzuar një polic si përgjegjës të këtij ekzekutimi dhe e ka lidhur ngjarjen me kryeministrin Fatos Nano, i cili të premten në mëngjes ishte kthyer nga një vizitë në Portugali. Berisha ka shtuar se vrasësit kanë ikur me një veturë me targën e Vlorës, duke përzierë kështu drejt për së drejti qytetin e jugut, i cili ishte teatër, vitin e shkuar, i një revolte të armatosur dhe që gjithnjë është cilësuar kështjella elektorale e kryeministrit shqiptar…”.

“L’Unità”: “Akuzohet qeveria”, “Opozita akuzon Nanon”. “Në një televizion privat, Partia Demokratike e ish-presidentit Sali Berisha, ka akuzuar policinë se është përgjegjëse e drejtpërdrejtë e vrasjes së liderit të partisë Azem Hajdari dhe e një prej truprojave të tij. Në komunikatë bëhen të njohur disa emra policësh, të cilët pas krimit, kanë ikur në afërsi të selisë së Ministrisë së Brendshme. Sipas të njëjtës komunikatë, vrasësit kanë ikur të hipur në katër vetura me targa të Vlorës, të qytetit të Shqipërisë jugore, i cili vitin e shkuar ishte teatër i kryengritjes që çoi në rrëzimin e vetë Berishës.
“Corriere della Sera”: “Vrasësit, të mbërritur para selisë së partisë me një autoveturë, pas kryerjes së krimit kanë lënë në vend dy mitraloza kallashnikovë dhe janë larguar të pashqetësuar”.

Referuar shtypit italian reagimi i qeverisë shqiptare ishte ky: “L’Unità” (“Nga Ministria e Brendshme kufizohen të thonë se deri ku kanë shkuar hetimet dhe japin një version krejt tjetër të asaj që ka ndodhur. Kanë qëlluar tre të rinj që kanë ikur me një veturë në drejtim të veriut të vendit…”); “La Stampa” (“Ministria e Brendshme ka thirrur një mbledhje, ndërsa qeveria, me një komunikatë të shpërndarë në Tiranë, e ka cilësuar atentatin ‘një akt të rëndë kriminal’ dhe i ka bërë thirrje popullit që të bashkëpunojë për të kapur përgjegjësit”).

PËRSE DUHET TA KENË VRARË?

“Il Giornale”: “Në javët e fundit, pas arrestimit të gjashtë eksponentëve të ish-qeverisë demokratike, gjendja politike në Shqipëri është bërë shumë e tensionuar dhe Hajdari ishte ndër kryesorët organizatorë të të gjitha manifestimeve në shesh që përditë po zhvillohen në të gjitha qytetet e vendit”, “Midis themeluesve kryesorë të Partisë Demokratike të Sali Berishës, muajt e fundit ishte në krah të ish-kryetarit të shtetit, udhëheqësit aktual të opozitës, në një numër manifestimesh në shesh, ku kërkohej me forcë dorëheqja e qeverisë së tanishme të kryeministrit Fatos Nano”.
Efekti i ngjarjes: “La Stampa”-”Një turmë në revoltë kërkon armë në selinë e Partisë Demokratike”, “Shqipëria po fillon të dridhet…e gjithë Shqipëria u trondit nga lajmi që në pak minuta u fut në shtëpitë e tyre nëpërmjet radios dhe televizionit… Dhjetëra njerëz janë mbledhur përpara selisë së Partisë Demokratike, duke thirrur në mënyrë kërcënuese: “Na jepni armë”. Krimi rrezikon të shndërrohet në një tërmet në jetën politike tashmë të nxehur në Shqipëri”.

LEXO DHE :  U bllokuan nga batica, policia dhe FNSH shpëtojnë dy peshkatarët

Kush kishte tentuar më parë për ta vrarë?

“Corriere della Sera”: “Hajdari më 8 shtator të vitit të kaluar u plagos me armë zjarri në sallën e parlamentit nga një deputet socialist”. “La Repubblica”: “Azem Hajdari u plagos me pistoletë vitin e shkuar në sallën e parlamentit nga një deputet socialist…”. “La Stampa”: “Majin e kaluar Hajdari i shpëtoi një atentati në qytetin verior të Tropojës, prej nga ku ai ka origjinën”.

ORA 11.00

Qeveria në Tiranë ishte në mbledhje kur drejt dritareve shpërthyen breshëritë e para të armëve dhe gurëve. Pastaj zjarri përfshiu makinat që rrethonin godinën e Këshillit të Ministrave. Turma ngjiti shkallët dhe të armatosur e të revoltuar bashkë u futën brenda ndërtesës. Zunë të gjithë katin e parë. Ushtarët e gardës qëlluan vetëm në ajër. Civilë të tjerë krijuan një perde zjarri për të penguar ngjitjen e turmës në katin e dytë.

Pikërisht në një nga sallat e këtij kati po bëhej mbledhja e qeverisë. Disa arritën të vënë këmbë edhe në korridorin e tij të gjatë, por mbrojtësit arritën t’i zmbrapsin. Po të hyhej në sallën e mbledhjes së qeverisë bodigardët kishin vendosur të qëllonin në mish të sulmuesve. Ndërkohë prapa godinës tashmë u ishte vënë zjarri të tetë makinave të parkuara aty, shumica të ministrave të futur në mbledhje. “T’i kapim me dorë!” thërriste një demonstrues.

Ndërkohë qeveria kishte ndërprerë mbledhjen dhe kryeministri pati ngarkuar ministrin e Brendshëm të shkonte menjëherë në selinë e tij për të administruar situatën. Pastaj Fatos Nano doli nga dera e pasme e godinës dhe iku me makinën e tij të blinduar. Pas tij edhe dy nënkryeministrat, edhe këta me makinat e tyre të padepërtueshme nga plumbat. Ministrat e tjerë bashkë me ushtarët e Gardës morën vrapin drejt derës së pasme të Hotel Rognerit.
Shumë shpejt në katin e parë shpërtheu zjarri, demonstruesit po u vinin flakën zyrave dhe gjithçkaje tjetër. Mes kaosit një njeri me megafon u thërriste të tjerëve “doktori ju urdhëron të ktheheni”. Manifestuesit e armatosur dhe ata duarzhveshur filluan të zbatonin urdhrin e ish-presidentit.

ORA 12.47

Komunikatë shtypi e Ministrisë së Jashtme Italiane: “Kryeministri Romano Prodi e përsëriti ftesën ngulmuese për t’i dhënë fund çdo lloj forme të dhunës, nga cilado palë që mund të vijë. Komuniteti ndërkombëtar do të jetë i papërkulshëm në gjykimin e qëndrimit të cilitdo që do të ketë lejuar apo inkurajuar përdorimin e dhunës. Kryetari i Këshillit të Ministrave nënvizoi se i takon presidentit të Republikës Shqiptare, si përfaqësuesi më i lartë i unitetit kombëtar, të gjejë, përmes konsultimeve me të gjitha forcat politike të vendit, një zgjidhje demokratike që të jetë e aftë të sigurojë zgjidhjen e krizës…

Qeveria italiane dhe bashkësia ndërkombëtare do të respektojnë dhe do të mbështesin vendimet që do të marrë Presidenti i Republikës Shqiptare…”.

MOTRA E FATOS NANOS TELEFONON AMBASADËN

E motra e kryeministrit shqiptar, e cila prej disa vitesh jetonte në Romë, fillimisht kishte nguruar të merrte në telefon ambasadën shqiptare, por pastaj ngriti receptorin. Fjalët e saj herë i përngjanin kujës dhe ishin mjaft të kuptueshme, herë dukej sikur visheshin me ngashërime të gjata dhe nuk ishin aspak të qarta. Qante sepse që prej dy orësh nuk kishte më lajme nga familja e saj dhe nga i vëllai. Nuk lidhej dot në telefon me ta, sepse nuk i përgjigjeshin më. As i ati afro tetëdhjetëvjeçar, as kunata, as motra tjetër, as…

“Mos dini ju se ku gjenden, se unë po shkalloj”, ngashëreu ajo. Përgjigja nga punonjësi i ambasadës u mbush me fjalët e pasigurta: “Kjo gjendje do të dominohet shpejt nga qeveria”.

Ajo ngashëreu gjatë dhe vazhdoi t’i përsëriste merakun për jetën e babait plak, të vëllait, të kunatës së saj të mirë, të motrës së dashur… Megjithatë tashmë dukej më e vetëpërmbajtur. Ai e përfytyronte ato çaste në apartamentin e saj të ngushtë në një lagje në jug të Romës, të rrëzuar në shtrat dhe me fytyrë të ënjtur nga lotët, tek në njërën dorë mbante dorezën e telefonit dhe në tjetrën shtrëngonte një fëmijë-kukull, i cili çdo mbrëmje i zinte njërin skaj të jastëkut.

Pas dhjetë minutash e motra e kryeministrit u ndje më e qetë dhe e mbylli telefonin.

15 SHTATOR, SËRISH SHTYPI ITALIAN

“Në “Corriere della Sera” analisti i njohur Serxho Romano ngulte këmbë që partitë politike italiane nuk duhet të bëjnë disa gabime me Shqipërinë. Më së pari të mos bëjnë në këtë vend një parti më të mirë se tjetrën apo një më të keqe se rivalja e saj. Së dyti, shteti italian duhej të mbështesë atë që aktualisht qeveris. Sipas tij, “bëri shumë mirë që mbështeti atëherë Sali Berishën për hir të stabilitetit dhe bën mirë tani të mbrojë qeverinë e Fatos Nanos”.

Në “La Stampa” shkruhej se në komisionin e Jashtëm të Parlamentit senatori Xhulio Andreoti pati kritikuar ministrin e Jashtëm Lamberto Dini, duke ftuar drejt për drejt shërbimet e fshehta italiane që të hetonin trafikun e armëve midis Kosovës dhe Shqipërisë për të verifikuar lidhjet e mundshme me vrasjen e Azem Hajdarit. Dini dha përgjigje të menjëhershme, duke dashur të përgënjeshtrojë çdo hipotezë lidhjeje midis krizës shqiptare dhe luftës në Kosovë: “Ngjarjet në Tiranë janë frut i luftës së brendshme. As Berisha dhe as Fatos Nano nuk kanë interes për të nxitur përleshjet në Kosovë”.

Në “La Repubblica” atë 15 shtator 1998 botohej edhe një intervistë e nënkryeministrit shqiptar Kastriot Islami me titullin “Tani Berisha duhet të iki, është një kriminel, do ta arrestojmë”.

Midis të tjerash Islami deklaronte se “Sali Berisha nuk është më një bashkëbisedues politik, është një kriminel i kërkuar nga policia dhe rrezikon dënimin me vdekje, sepse është ai që ka përgatitur prej muajsh grushtin e shtetit dhe sulmin ndaj institucioneve”. Më pas shtonte: “Nuk bëhet fjalë për një revoltë popullore. Ishte një grusht shteti i vërtetë. Mes tremijë vetëve që morën pjesë në funeral kishte edhe treqind njerëz të armatosur me kallashnikovë dhe me dinamit në xhepa”. Nënkryeministri shqiptar po ashtu deklaronte për opinionin publik italian se “Ne nuk shpikim asgjë: ka të dhëna të sakta, edhe prej shërbimit të fshehtë italian me të cilin punojmë në kontakt të ngushtë, sipas të cilit grushti i shtetit ka qenë përgatitur deri në hollësitë më të vogla që prej tre muajsh. Kanë lëvizur persona, janë mbledhur mitraloza dhe eksplozivë… E gjithë kjo ka një emër: grusht shteti. Është ish-presidenti Sali Berisha përgjegjësi kryesor dhe i drejtpërdrejtë. Ligji parashikon edhe dënimin me vdekje për krime si ky. Berisha e di: ose të shkojë ose rrezikon ekzekutimin”.

Ndërkaq “Il Giornale” botonte një intervistë me ish-presidentin shqiptar dhe titulli i saj mbante fjalët “Berisha: “Nano është një vrasës”. Duke iu përgjigjur nëntëmbëdhjetë pyetjeve ai rreshtonte argumentet e tij: “Të shtënat i filluan njerëzit e qeverisë…Fatos Nano nuk gjendet, sepse po mobilizon njerëzit e tij për luftë civile, kjo që po ndodh është skenar i tij. Dje nëpërmjet zëvendësit të tij i vodhi gazetës “Albania” linjën “Internet” dhe transmetoi lajmin se unë do të vritesha. Për të provokuar luftën civile…Kam vetëm një kërkesë: Fatos Nano të japë dorëheqjen…jam për një qeveri teknike…Fatos Nano duhet të ikë, unë e njoh mirë, ai është një vrasës…Në rast se Nano nuk dorëhiqet situata do të jetë jashtë kontrollit. Unë nuk bëj gjë tjetër veç u them njerëzve të mos bëjnë dhunë, por ata nuk më dëgjojnë…Nuk është halli që të vijë Sali Berisha në pushtet, por të vendoset rendi publik, institucionet, rregullat, ligjet…”.

Duke u gdhirë e mërkurë, 16 shtator

Këtë ditë kryeministri Fatos Nano mbushte 46 vjeç.(GSH.al)

Lini një koment

Adresa juaj e-mail nuk do te publikohet.


*


This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.