Vlora, Fieri, Tirana… për qytetet që nuk janë më fshatra

Nga Edmond Arizaj

Kam një imazh të imagjinuar të Edi Ramës ku teksa i flisnin në vesh për kritikat, akuzat dhe sulmet ndaj shëtitores në Vlorë anës bregut të detit, do të ketë thënë: “Mos më çani kokën (më e pakta – shënim i autorit) me gjithë ata, vazhdoni, e dua të mbaruar!”

Ka bërë mirë. Teksa e sheh sot funksionale, atë që e quajnë Lungomare, thjesht e shijon. Sigurisht që ka vend për plot kritika, meqë jemi të aftë në çdo fushë, por nuk do ta bëj. Ajo e ka zbukuruar vendlindjen time, e ka sjellë në qytetërim, e ka nxjerrë nga zgafellat e rrëmujës, grabitjes e trimërisë së kotë dhe i ka dhënë hijeshi. Një zhvendosje e plotë e qytetit përballë Karaburunit dhe Sazanit. Është vepra e parë e vërtetë për Vlorën që prej kohës kur isha “Pioner i Enverit”. Dhe është e bukur. Nëse është abuzuar me fondet, kjo është punë për Erion Braçen. Vlonjatët kanë diçka të bukur me të cilën mund të mburren më në fund. Tanimë u duhet ta mirëmbajnë dhe mos të hedhin ç’kanë në duar në tokë. Bashkë me Bashkinë. Sepse pastërtia është bukuri më vete.

Bukuri them! Pastërtia të mbush me frymë, të pastron sytë e të lezeton lëvizjen. E ndjeva në Korçë. Ai parku i Korçës… e pata zili sepse nuk mund ta kem përditë. I rregulluar si me dorë, i pastruar si me kompjuter. Ishte vërtet bukur, mrekullisht bukur. Korçarët kanë qenë përherë qytetarë, por tani kanë edhe një qytet ku mund të “shprehin” qytetarinë e tyre. Punë e mirë. Aq e mirë sepse edhe “zgarat korçare”, një shprehi gastronomike jo dhe aq simpatike e jetës tonë urbane, nuk dukeshin askund. Si duket janë zhvendosur të gjitha në Tiranë. E në fakt, ndryshe nga zgëqet, cepat e bodrumet e pallateve ku ushtrohej “zgara”, aty tek Pazari Ri dhe ja vlen.

Ka më në fund kryeqyteti një pikë orientimi përveç atyre të komunizmit bashkë me Skënderbeun. Po edhe sheshi është më bukur se ajo gjëja që ishte. Qindra e mijëra njerëz në ditë që kalojnë kohën aty, na e thonë këtë pa folur. Sikur e ka lehtësuar peshën e liqenit articial.

LEXO DHE :  Rama në ditën e Kurban Bajramit: Po rimëkëmbim xhamitë në të gjithë vendin

Ka abuzime? Drejtohuni tek Braçe, ai të jep përgjigje të saktë.

Duhet ta mbyll shpejt me Tiranën, sa pa u kujtuar kush është kryetar bashkie, që mos të prish premtimin e shkrimit, sepse dreqi e marrtë është votuar për kryetar bashkie, jo për showman. Bëje mor burrë një ditë pushim! E prisha, por fare pak besoj.

Qyteti tjetër që desha të përmend nga ata që pashë këtë verë, është Fieri. Nuk ishte më një qytet i vjetër e i rrjepur. Me përjashtim të shoferëve që kishin marrë zakonet e vlonjatëve, Fieri kishte një pamje të re. Nuk ishte “vënë dorë” sa për të kaluar rdhën. Po kthehej edhe Fieri nga një qendër e madhe fshati, në një qytet me erë, pamje dhe ngjyra.Por pa u bërë bypassi, më mirë të vizitohet në dimër, në ndonjë ditë me diell…

Çfarë është tokësore, sado perfekte të duket, ka gjithnjë vend për “më mirë”. E nëse është fjala për punë shqiptare, kjo është e paevitueshme, përfshirë këtu dhe prirjen e madhe për ta parë cinikisht çdo punë të mirë që bëhet. Dhe unë s’kam hiç dëshirë ta bëjë këtë. Qytetet, ato që pashë unë, kishin ndryshuar pamje. Sikur po u hiqej ajo veshja gri rurale që mbanin prej vitesh nën tranzicion. Njerëzit kishin nisur të përshtateshin me të renë, po ndryshonin edhe ata.

Gjithmonë kam qenë i bindur se njeriu nuk ndryshon duke parë përditë bajga lopësh, s’ka rëndësi nëse i sheh në kalldrëmin e katundit, apo asfaltin e qytetit. Dhe ne na nevojitet kaq shumë ky ndryshim! Nuk do bëhet shpejt, por të paktën ka një hap. Një hap të mirë që mund ta prekim, ta shohim dhe ta shijojmë. Pas 25 vjetësh, qytetet po dalin nga e hirta e mureve, rrëmuja e fshatit, dhe punimet e nxitimta sezonale. Bashkë me to duket se edhe shqiptarët do nisin të heqin shajaket dhe opingat. Gjë e mirë.



Lini një koment

Adresa juaj e-mail nuk do te publikohet.


*


This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.