Viti 2017/ Presidenca mes Kodhelit e Vasilit dhe surprizat e tjera
Dritare.net
Nga Dritan Hila
Kur një site, periferik, grek publikoi lajmin se Mimi Kodheli, Ministrja e Mbrojtjes e shqiptarëve kishte punuar si kërcimtare në një klub nate, pakkush pati mendjen e ftohtë të pyeste veten sesi ndodhi që një lajm i paverifikuar, papritmas u peshkua nga një site opozitar shqiptar dhe më pas mori eterin. E gjithë prapaskena u sqarua, kur gjakrat u ftohën. Ndihmoi vetë Kodheli e cila në një intervistë deklaroi se posti i Presidentit i pëlqente.
Publikimi nga fqinjët dhe pastaj fryrja në Shqipëri e një lajmi që nxiti zjarrin nacionalist të shqiptarëve, ishte shërbimi më i mirë për të lartësuar figurën e Kodhelit, një kandidate e pëlqyer nga Edi Rama për në Presidencë.
Ndërkohë pak ditë më parë Ditmir Bushati, kishte deklaruar se Ilir Meta do të ishte një President shumë i mirë. Natyrisht që ky nuk ishte opinion privat i tij, kur dihet se në kampin e Ramës askush nuk cicërin pa leje. Ishte sinjal se do të votohej pa probleme nga ata dhe paralajmërim se përveç kandidaturës së Metës, çdo emër tjetër do të ishte i papëlqyeshëm.
Sepse në korridoret e politikës kishte kohë që krahas Kodhelit, si kundërpart, përmendej emri i Petrit Vasilit.
Ashtu si Kodheli edhe Vasili është njeri besnik i shefit të tij, dhe ca më shumë. Ai është njeriu që e ka ndjekur pa mëdyshje Metën në gjithë sipërmarrjet dhe është alteregoja e tij. Vasili është personi që nuk ka asnjë hije në raportin dypalësh me shefin e tij, dhe si i tillë nuk është skenari më i mirë për socialistët me Vasilin në Presidencë dhe Metën në komandën e LSI.
Por loja për Presidencën është vetëm një pjesë e shahut politik. Pjesa tjetër ka të bëjë me aleancat paraelektorale.
Në kampin qeverisës ngjan se Edi Rama e ka të sigurtë mandatin e dytë. Por vetëm ngjan. Pasi ai nuk e di sesa vota do t’i heqë partia e re e Ben Blushit. Pavarësisht se nuk i la mundësi të konkuronte për kryetar partie dhe për këtë bëri një referendum që e nxori fitues më shifra që do të zilepsin edhe Korenë e Veriut, Edi Rama e di se në votimet e përgjithëshme nuk ka një Saimir Tahir që do të kontrollojë çdo kuti dhe as delegatë kongresi që nuk duan të humbasin pushtetin. Përkundrazi. Në bazë, masa e madhe e socialistëve është e pakënaqur për shumë arsye, dhe Blushi është një alternativë për të shfryrë këtë pakënaqësi dhe njëkohësisht të mos votojnë djathtas.
Ndërkohë Koço Kokëdhima është e panjohura tjetër. Si do të reagojnë strukturat e majta në zonën e Vlorës, Sarandës dhe Gjirokastrës ku Kokëdhima për 3 vjet pati dorë të lirë?
E ndërkohë aleati i tij në qeveri, Ilir Meta nuk e ka ndaluar asnjë ditë joshjen ndaj ish shokëve të tij të dikurshëm.
Por vetë Meta ngjan se ka pasur probleme brenda partisë së tij, e cila tashmë nuk është më një çetë socialistësh të inatosur, por partia e tretë, ku përplasen interesa të ndryshme. Ende është mister heqja e Nasip Naços. Po ashtu largimi i Edmond Haxhinastos nga Ministria e Transporteve. A kishte një komplot të dy krushqve, kundër Shefit të Madh, apo Ilir Meta i doli përpara një grupazhi latent që mund ta rrezikonte? Po ashtu, penalizimi i deputetit të Vlorës, Shkëlqim Selami, më shumë se nga ligji i dekriminalizimit, ishte viktimë e ndëshkimit për ndonjë hap të pakonsultuar të tij.
Megjithatë ajo që pritet më shumë nga Meta është aleanca e ardhshme. Llogaritë thonë se i intereson qëndrimi në një koalicion me PS. Kjo i mundëson maksimizimin e votës. Por përveçse samaritan që përhap dashuri dhe qetësi, Ilir Meta është edhe njeriu i kthesave të forta. Heshtja e tij e deritanishme për koalicionet e ardhme, më shumë se lojë me partnerin e tij në koalicion, është përllogaritje e momentit të fundit se ku do të rreshtohet.
Ndërkohë kampi blu po përjeton lëngatën e tranzicionit. Ende Berisha është poli magnetik i demokratëve që nuk po marrin veten nga dhe një pjesë vajtojnë akoma vdekjen e Sokol Olldashit. Berisha është i domosdoshëm për Lulzim Bashën që të mbajë partinë të bashkuar në rast humbjeje, e cila ka më shumë gjasa të vijë, sesa fitorja. Por pas katër vjetësh në krye të partisë, Lulzim Basha ka ardhur në orën e së vërtetës. Pavarësisht nga sa thonë kundërshtarët e tij, katër vjetët që shkuan, në bankat e parlamentit ishin njerëzit e Berishës, të cilët më shumë se të zgjedhur për fitore, Berisha i daroviti për herë të fundit. Tani është koha e Bashës, i cili me siguri do t’i lerë një fetë liderit historik, por nuk mund të lejojë që të vegjetojnë akoma figura që kanë zanafillën politike prej 26 vjetësh. Sa do ia dalë? Në suksesin e tij varet edhe rotacioni i pushtetit i cili është më i mundshëm pas katër vjetësh. Dhe vetëm nëse do të humbiste edhe në 2021-in zgjedhjet, atëhere po, Basha mund të konsiderohej rast më i keq se Berisha apo Rama. Po deri atëhere ka kohë.
Ndërkohë është edhe enigma e partive të reja. Ben Blushi dhe LIBRA e tij kërkojnë pjesë nga elektorati i majtë dhe ai i qendrës. Segment që kërkohet edhe nga SFIDA e Gjergj Bojaxhiut i cili në zgjedhjet lokale për Tiranën ishte potencial kërcënues, nëse do të kishte më shumë eksperiencë. Ndërkohë Agron Duka, politikan dhe biznesmen, është vënë në krye të agrarëve, ku ajo që dihet me siguri është marrja e një karrigeje në parlament nga ai vetë. Por nisur nga profili i tij jokonfliktual, resurset financiare, dhe miqësia me Fatos Nanon, liderin historik të socialistëve, mund të marrë më shumë. Dhe të gjitha këto, aq sa e bëjnë të mundshme një vazhdimësi të skemës politike të derisotme edhe për katër vjet të tjera, kanë brenda edhe tharmin e vitit 2017, Vitit të Surprizave./dritare.net