U ula afër Kristës, vajzës së Vikena Kamenicës, gjatë shfaqjes se "Karmen " , në Pallatin e Kongreseve.
Në aktin e katërt, kur Don Joze e rrihte Carmen dhe në fund e vret, Kristës i rrëshqisnin lotët, faqeve.
Qaj dhe fshi lotët, e vogla, ndërsa e ëma e puthte nga skena.
Mami i Kristës është ylli i operas shqiptare.
E qeshura e saj kumbuese e mbushi atë skenë që duket sikur të ha. Zëri i saj e zotëroi hapësirën, që nuk është hapësira e shtëpisë së Operas.
Nuk kam njohur një tjetër zë që ta dua aq shumë, sa zërin e Vikenës.
Ia shoh modestinë te e bija që qan në heshtje për mamin që këndon "Karmen" dhe shndërrohet në Vikena, sapo i çojnë vajzën në skenë.
Në mamin më të mirë që mund të dëshirojë një vajzë. Që të mbush me krenari dhe frymëzim, që ta bën të bukur këtë mbrëmje kryeqyteti, që të bën të besosh se ca njerëz të këtij vendi, meritojnë gjithë duartrokitjet tona, gjithë admirimin tonë.
Edhe sepse janë thjesht tanët.
Dhe ky nuk është çmim që duhet të paguajnë, që nuk na lanë. Është kurorë që u duhet vënë mbi kokë, sepse nuk na lanë.
Nuk na lanë në vetminë e qyteteve me loto e call center, që pa Vikenat do të ishin tashmë qytete të vdekura. / dritare. net