Vëzhgim/ Në autobusat e Tiranës, aty ku xhepistët të lënë pa lekë!
Dritare.net
Nga Dritare.net
Ora 7:00, dhe autobusi i linjës së Unazës është i mbushur me njerëz, vështirë të hysh e vështirë të dalësh prej aty. Të gjithë janë me nxitim, dikush për të shkuar në punë e të tjerë drejtohen për në shkolla. Një situatë e tillë e sheh çdo ditë nëpër stacionet e kryeqytetit, një fluks të madh njerëzish.
Por përveç, problemit të tejmbushjes së autobusave, shqetësimi kryesor për qytetarët është të ruhen nga xhepistët. Më së shumti janë femrat të cilat i sheh teksa mbajnë para vetes çantën.
“Këto kohë nuk ka ndodhur ndonjë vjedhje, të paktën jo në turnin tim, por frika është se tani me shtimin e studentëve, do të fillojnë. Unë përpiqem të jem sa më vigjilent, por ti e sheh dhe vet se si bëhet këtu në autobus në orare të caktuara. Dhe është shumë e vështirë të shoh çdo lëvizje të qytetarëve. Është e rëndësishme që njerëzit të bëjnë kujdes, sidomos femrat me çantat e tyre, ti mbajnë me kujdes, pasi asnjëherë nuk i dihet,”- shprehet faturinoja i linjës së Unazës për dritare.net
Ndërkohë qytetarët thonë se kanë frikë se mos bëhen viktima e radhës e xhepistave, të cilët mund të të marrin paratë ose sende personale.
“Të hipësh në autobusët tanë moj bijë, duhet që në fillim të sigurosh mirë çantën e portofolin. Këtu të bëhet gjëma nga një stacion në tjetrin. Mua më kanë marrë portofolin para disa kohësh. Pak lekë kisha, por i bëhet kjo një të moshuare?! Sot njerëzit nuk kanë as dhembshuri dhe as respekt,duan vetëm të përfitojnë nga të tjerët,”- thotë Sania për dritare.net, 76 vjeçe.
Marinela është në fund të autobuzit, e strukur në një cep dhe në dorë mban vetëm portofolin.
“Si jo, dhe mua më kanë vjedhur. Përveç një shumë prej 10 mijë lekë të reja, më kanë marrë çdo mjet identifikimi që kisha në portofol. I kam denoncuar e në polici por kanë kaluar dy vite dhe ende nuk janë gjetur autorët. Prandaj tani mundohem të lëviz vetëm me portofolin në dorë, ku vendos lekët dhe celularin. Kam qenë pikërisht në autobusin e Unazës, kam frikë të hipi por nuk kam rrugëzgjidhje tjetër.”
Por përpos rasteve të vjedhjeve, shpesh këto kanë rezultuar edhe me dhunë, duke e lënduar qytetarin.
“Mua personalisht nuk më ka ndodhur, por mamasë sime i kanë marrë varësen e floririt para disa vitesh. Personi që ia vodhi, në afërsi të një stacioni, ia hoqi me dhunë dhe zbriti menjëherë. Sado që u përpoq ta ndiqte mamaja, ai iku me shpejtësi. Mirë që ia morën, por ia bënë gjak gushën, duke i lënë plagë. Jemi tmerruar kur e kemi parë mamanë tonë në atë gjendje, dhe në ato momente njeriu nuk mendon më për vlerën e humbur monetare, por për shëndetin,”- tregon Erta, 24 vjeçe.
Në një prenoncim për dritare.net, zëdhënësi i Policisë së Shtetit, Genti Mullai, ka treguar se numri i vjedhjeve ne krahasim me vitet e kaluara është reduktuar.
“Është e vështirë të bëjmë një ndarje të saktë të vjedhjeve në autobus, pasi ne i ndajmë në vjedhje ndaj personit ose sendesh. Por di të them që numri i tyre është reduktuar, kjo ka ardhur dhe si pasojë e mobilizimit dhe nga qytetari, pasi janë shtuar rastet kur bëhen denoncimet në rrjete sociale dhe Policia merr masa. Kryesisht, janë gjinia femërore që bien pre e vjedhjeve, ndërkohë xhepistët janë më shumë të moshës 13-19 vjeç.”
Një rast i fundit ka qenë tentativa për të vjedhur portofolin një oficeri policie në autobusin e linjës Kamëz–Tiranë, ku dhe e kanë dëmtuar rëndë.
Sipas Mullai, linjat më problematike janë autobusat e Linjës së Unazës, Kamëz, Tirana e re, kjo e ardhur nga fluksi i madh e njerëzve.
Linjat të kthyera në vatra të xhepistëve, të cilët shpesh akuzohen nga qytetarët se janë në bashkëpunim me faturinot dhe shoferët.
Por, ndërkohë qytetarët vazhdojnë të udhëtojnë, duke shpresuar për të shpëtuar nga vjedhja, deri në stacionin e radhës. Këtë bëra edhe unë, ndonëse i kisha marrë masat. Udhëtova pa çantë në linjat urbane, ku isha për të bërë këtë shkrim /dritare.net