“Vetting”-u, sot mblidhet Komisioni i Posaçëm e Konferenca e Kryetarëve
Dritare.net
Procesi i ‘vetting-ut dhe parimet e procesit të rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve, përmendur si vija të kuqe nga misioni EURALIUS, pritet të jenë në qendër të mbledhjes së Komisionit për Reformën në Drejtësi. Anëtarët e komisionit do të njihen me propozimet e ekspertëve lidh-ur me vërejtjet e EURALIUS dhe OPDAT, për përkufizimet teknike për ligjin e në fjalë. Janë 4 parime që kanë të bëjnë me afatet, institucionet, rolin e vëzhguesve ndërkombë-tarë dhe rolin e bashkë-punëtorëve të drejtësisë, të cilat ndajnë në qëndrime sërish misionin EURALIUS dhe opozitën, pasi misioni ndërkombëtar u ka bërë një vlerësim vërejtjeve të PD-së. Për opozitën, këto 4 parime, të cilat do të përkthehen bashkë në një ligj të vetëm, atë të ‘vetting’-ut, janë të nevojshme në më-nyrë që ky proces të jetë i drejtë, efikas dhe të kthejë besimin te drejtësia.
Pjesë e agjendës së diskutimeve do të jetë edhe gjyqësori, por edhe ligji për Prokurorinë Antikorrupsion, në nenin e të cilit nga OPDAT janë parashikuar ndëshkime edhe për median, shtesa këto që janë bërë javën e shkuar. Pas mbledhjes së komisionit, në orën 18 do të mblidhet Konferenca e Kryetarëve, e cila do të vendosë datën kur do të thirret seanca e parë e sesionit të ri brenda gushtit, e cila me shumë gjasë do t’i hapë rrugë miratimit të ligjit të ‘vetting’-ut. Duket se palët në tryezë duhet të dëshmojnë edhe një herë vullnetin politik të 21 korrikut për zbatimin e reformës dhe ligji i ‘vetting’-ut konsiderohet më i vështiri, por edhe më delikati i saj.
Shorti
Pas presidentit, skadoi dje edhe afati i përcaktuar në Kushtetutën e re, të miratuar në 21 korrik, të hedhjes së shortit nga kreu i Kuvendit për përzgjedhjen e anëtarëve të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi. Pas hyrjes në fuqi të amendamenteve kushtetuese më 11 gusht, kreu i shtetit kishte 10 ditë kohë të hidhte shortin, edhe pse në mungesë të ligjit, i cili përcakton kriteret mbi të cilat zgjidhen kandidatët. Ishte ngërçi i parë i shkaktuar nga miratimi i amendamenteve kushtetuese të seancës plenare të 21 korrikut, të cilat nuk u shoqëruan me miratimin e projektligjit për organizimin e pushtetit gjyqësor.
Në mungesë të këtij të fundit, i cili ndodhet ende në fazën e diskutimit në Komisionin e Reformës në Drejtësi. Kreu i shtetit zgjodhi të mos e hedhë shortin për përzgjedhjen e anëtarëve të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi. “Brenda 5 ditëve nga hyrja në fuqi, presidenti duhet të zgjedhë me short anëtarët e KED. Neni 149 në pikën tre përcakton që bëhet me 9 anëtarë. Në pikën 5 thotë se duhet të zgjedhë përmes kritereve që përcaktohen me ligj, por ndërkohë ligj nuk ka të miratuar. Jam në situatë kontradiktore”.
Por, edhe mekanizmi zhbllokues për hedhjen e shortit, i parashikuar në nenin 149 të Kushtetutës së re të Republikës së Shqipërisë, i cili parashikon hedhjen e shortit nga kreu i Kuvendit brenda 10 ditëve, në rast se kreu i shtetit nuk përmbush kompetencën e tij brenda 5 ditëve nga hyrja në fuqi e 11 gushtit, duket se nuk do të ndodhë.