Veseli: Do të jemi të pamëshirshëm ndaj çdo veprimi që cenon moralin tonë
Dritare.net
Seanca e jashtëzakonshme ku do të diskutohet për rastin e të miturës nga Drenasi që u keqtrajtua së pari nga mësuesi e pastaj edhe nga një zyrtar policor do të mbahet në orën 12:00, pas kërkesës së Vetëvendosjes, LDK-së dhe Alternativës.
Pas mbledhjes së kryesisë, kryetari i Kuvendit Kadri Veseli, ka thënë se rasti i vajzës nga Drenasi është rast i rëndë dhe se nuk do të lejojnë që të cenohen institucionet për shkak të njerëzve të krimbur.
“Në Republikën tonë nuk është shumë në traditën tonë, por ka ndodhur një rast i një abuzimi me një të mitur. Ky është rast i rënd, ky është rast i pamoralshëm, në botën demokratike kjo quhet edhe pedofili, është abuzim i pozitës zyrtare, por sido që të jetë ne si shoqëri, po ashtu si institucione kemi fuqi për të përballuar dhe për t’u ballafaquar me njerëz të tillë të cilët na e dëmtojnë imazhin e shtetit, imazhin e institucioneve, por mbi të gjitha na e dëmtojnë edhe etikën tonë nacionale. Këto gjëra nuk do të tolerohen, ky është mesazhi sot do të kemi edhe debat për këtë. Ajo çfarë dua të them si mesazh është t’i mbrojmë institucionet për shkak të njerëzve të krimbur, njerëzve të cilët janë, nuk mund të gjej shprehje për të shprehur edhe mllefin mbi sjellje të tilla.”, -tha ai.
Kreu i Kuvendit ka bërë thirrje që të ruhen institucionet e vendit nga njerëzit që abuzojnë me detyrën zyrtare.
Veseli është shprehur se do të jenë të pamëshirshëm ndaj çdo veprimi që cenon moralin dhe institucionet vendore.
“T’i ruajmë institucionet, në këtë rast po flas për Policinë e Kosovës të cilët ballafaqohen çdo ditë me krimin, të cilët bien në krye të detyrës duke mbrojtur rendin, duke mbrojtur jetën e qytetarëve, nuk ka dy muaj që kemi pasur një rast të tillë. T’i mbrojmë edhe institucionet tjera siç janë mjekët tanë të cilët janë të jashtëzakonshëm, të cilët po bëjnë një punë po ashtu të jashtëzakonshme në shërbimin e qytetarëve, në shpëtimin e jetës së qytetarëve dhe mos t’i dëmtojmë për dikë i cili e meriton deri në fund me i shkuar dhe mos me toleruar edhe gjyqësia. Por, edhe shoqëria të thërras që sa më shumë të distancohen dhe të ndihmojnë institucionet tona që njerëzit e tillë të marrin dënimin e merituar. Mund të ketë edhe të tjerë, fati kjo është emancipim i shoqërisë se ka ndodhur dhe janë identifikuar, por nuk e prej përgjegjësisë as dikë tjetër që mundet edhe sot kur po flas unë q ë të ketë ndonjë abuzim, qoftë me pozitën zyrtare, qoftë me etikën apo ndonjë keqpërdorim material. Do të jemi të pamëshirshëm ndaj çdo veprimi që cenon moralin tonë kombëtar, që cenon institucionet dhe keqpërdor ato.”,- tha Veseli.E.D./dritare.net