Veliaj thirrje banorëve: Regjistrohuni me vendbanimin e saktë
Dritare.net
Gjithashtu , mes të tjerash, Veliaj u ka bërë thirrje banorëve që të regjistrohen me adresën e saktë të banimit, në mënyrë që zona të përfitojë nga shpërndarja më e mirë e fondeve dhe e investimeve.
“Rikthehemi në një zonë totalisht të transformuar. Këtu projekti nuk është vetëm logjistik: asfalt, llaç e tulla, por edhe pak në mentalitet. Kemi bashkuar energjitë: qeveria bën legalizimin, kurse bashkia urbanizimin. Pa legalizim nuk ka urbanizim; pra, është shumë e rëndësishme që fillimisht banorët të marrin hipotekën dhe në fund, pasi të kanë marrë pronën, ne ndërhyjmë në gjithë rrjetin rrugor, kanalizime dhe ndriçim. Dua të falënderoj, së pari banorët që kanë lënë pak nga territori i tyre i sapolegalizuar për t’ia dhënë bashkisë për trotuaret. Qytetarët duhet të kuptojnë se në fakt trotuari nuk është i bashkisë, por një barrierë sigurie për ata dhe fëmijët e tyre. Kur kemi ardhur këtu ka qenë një monopat i ngjashëm me një shteg dhish dhe rrëketë e lumenjve që vinin nga kodrat. Sot është dita me natën. I ftoj banorët të vijojnë me regjistrimin në zonë. Sot janë të gjithë qytetarë të Tiranës dhe duhet të regjistrohen këtu. Fakti që marrim taksa nga pjesa e vjetër e Njësisë 5 për t’i sjellë në zona ku vetëm së fundi, pas legalizimit, ka filluar të paguhet pak taksë prone, do të thotë se automatikisht Bashkia e Tiranës i ka privilegjuar. Tani ka ardhur koha që edhe ata të sillen si qytetarë të Tiranës dhe të bëhen pjesë e kësaj bashkësie që paguan diçka modeste, por në fund fare kontribuon në të mirën e përbashkët.”,- u shpreh Veliaj./K.C/dritare.net