I pranishëm në konferencën e parë rajonale me temë “Qytetet pa korrupsion të së ardhmes”, organizuar nga PNUD, Kryebashkiaku Veliaj deklaroi se Bashkia e Tiranës po punon për të zgjeruar gamën e shërbimeve që ofrojmë online duke shmangur kontaktin me punonjësit.
“Një pjesë e madhe e popullsisë sonë, në Shkup, në Tiranë, në Moldavi, në Kosovë, e harxhon kohën duke qëndruar në radhë për të takuar një zyrtar i cili duhet t’i japë një letër që dëshmon që ti je ti. Pra që është certifikata jote. Sa orë, sa kapital njerëzor, sa energji e çmuar, kalohet nëpër qytetet tona në radhë për të prodhuar që ti je vetja jote. Nonsens. Ajo që po bëjmë është që 70 dokumente, duke filluar nga janari në Tiranë do të jepen në një kioskë. Që është njësoj si bankomati. Mjafton të futësh ID. Do paguash sa është tarifa dhe do ta printojë një makineri”, theksoi Veliaj.
Kreu i Bashkisë nënvizoi se kjo nismë do t’u kursejë qytetarëve 9 ditë të humbura në vit për të marrë një dokument zyrtar dhe njëkohësisht do të shmangë dhe korrupsionin. Veliaj deklaroi se për të rritur transparencën, Bashkia e Tiranës ka ndërtuar një partneritet të vërtetë me qytetarët.
“Një nga propozimet që kemi bërë në Tiranë është si mundemi që sa më shumë procese të Bashkisë, ne t’i modernizojmë. Një nga gjërat që kemi bërë është që të kalojmë on-line të gjithë lejet tona të ndërtimit. Që nga dita kur lejet e ndërtimit janë on line dhe ku 10 institucione duhet të shtypin atë kutinë e tyre përpara se një leje të aprovohet dhe institucione të pavarur nga njëri-tjetri, kemi shpëtuar. As nuk do njeri të takojë kryetarin e Bashkisë”, u shpreh Veliaj.
Një tjetër projekt shumë i rëndësishëm, i bashkisë së Tiranës ka qenë portali “Open Data”, ku bëhet transparencë e plotë për çdo punë të bashkisë dhe ku qytetarët mund të marrin informacion mbi çdo aspekt të punës tonë./L.P./Dritare.net