Veliaj: Piramidën do t’ia rikthejmë qytetit dhe të rinjve
Dritare.net
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj përshëndeti vendimin e qeverisë për kalimin në pronësi të Qendrës Ndërkombëtare të Kulturës “Arbnori”, e njohur si Piramida, nga Ministria e Kulturës te bashkia e kryeqytetit. Kjo godinë do të përdoret si qendër shumëfunksionale për organizimin e eventeve sociale e rinore, promovimin e artit, të kulturës dhe të teknologjisë.
Gjatë një pritjeje me mësues të gjimnazit “Qemal Stafa”, organizuar me rastin e festave të fundvitit, kryebashkiaku Veliaj theksoi se pas konsultimit edhe me arkitektë të huaj ndërkombëtarë, ideja e Bashkisë së Tiranës është që ta kthejë qytetin në një qendër kulturore, ku Piramida do të jetë në qendër të aktiviteteve kulturore e rinore në qytet.
“Mezi pres që t’ia rikthejmë qytetit Piramidën. Ideja e Bashkisë, bashkë me arkitektët e huaj ndërkombëtarë që kanë kontribuar, është që ta kthejë qytetin në një qendër kulturore. Ashtu si në kohën time, kur Piramida ishte në fakt qendra e të rinjve dhe vlonte nga aktivitetet e shumta, edhe “RinFesti” të cilin sot e quajmë “Tirana Art-Fest”, bëhej aty, ndaj shpresoj që aty të performojnë edhe kampionët e ardhshëm të artit e të kulturës të shkollës “Qemal Stafa” ose fituesit e radhës të “Tirana Art-festit”. Është një lajm i mirë edhe për të gjitha zyshat që merren kryesisht me artin, kulturën dhe promovojnë super talentet që kemi te ‘Qemal Stafa’”, theksoi Veliaj.
Kryetari i Bashkisë e cilësoi tepër pozitiv edhe vlerësimin që Programi Ndërkombëtar për Vlerësimin e Njohurive të Nxënësve (PISA) i bën reformave të ndërmarra në arsim. Veliaj tha se për herë të parë Shqipëria në 25 vjet bën kapërcimin më cilësor në rezultatet PISA për vitet e para të gjimnazit.