Veliaj në BBC: Fëmijët, avokatët më të mirë të qytetit

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ishte i ftuari special i kësaj të shtune në “BBC World Service” në Londër, për të folur para dëgjuesve të gjigantit mediatik britanik për ndryshimet që ka pësuar kryeqyteti shqiptar, por veçanërisht për masat lidhur me uljen e përdorimit të makinave dhe nismën për rritjen e cilësisë së ajrit, si mbjellja e 2 milion pemëve të Pyllit Orbital.

Për rreth një orë transmetimi radiofonik, Veliaj diskutoi me gazetarin e BBC World, Julian Worricker dhe gazetaren e njohur, Stefanie Bolzen, për të cilët shpjegoi se përfshirja e fëmijëve në fushatat “green”, siç ishin Ditët pa Makina apo ndërtimi i këndeve të lojërave, solli ndryshimin e shumëpritur në mentalitetin e të rriturve.

Ai tha se avokatët më të mirë të shumë prej nismave të ndërmarra nga Bashkia e Tiranës janë pikërisht fëmijët. Falë tyre dhe Ditëve pa Makina, të rriturit u “dorëzuan” duke lënë automjetet e tyre në shtëpi. “Si politikan, ti rrethohesh nga ekspertë që të thonë fokusohu te votuesit, pasi nëse i mban ata të lumtur mund të kesh mundësinë e rizgjedhjes. Por, unë pyes: e gjithë kjo bëhet për zgjedhjet e ardhshme apo është gjithashtu një sfidë për gjeneratat e ardhshme? Ndaj, në shumë nga sfidat tona ne përfshijmë fëmijët. Ata nuk janë votues, nuk janë taksapagues, por nuk kanë as dogma. Kur organizuam Ditët pa Makina, kjo ishte diçka shkatërruese për prindërit, të cilët u binin pa pushim borive të makinave. Por, fëmijët i donin Ditët pa Makina dhe kur u kthyen në shtëpi pasdite, thanë se ishte diçka e mrekullueshme të bëje xhiro me biçikletë përreth qytetit, ishte e mrekullueshme të luaje me skateboard apo të patinoje nëpër Tiranë. Kështu, publiku u përfshi në këtë nismë. Ndaj, mendoj se përfshirja e fëmijëve si një element kyç i përfshirjes civile ktheu mendjet e disa prindërve që në asnjë mënyrë tjetër nuk do t’i kishin lënë makinat e tyre”, u shpreh Veliaj.

Ai u ndal gjerësisht në politikat e Bashkisë së Tiranës për përmirësimin e mjedisit, ku falë planit urbanistik të hartuar nga arkitekti i njohur italian, Stefano Boeri, qyteti i Tiranës do të rrethohet shumë shpejt me 2 milionë pemë. “Arsyeja pse kemi filluar “Tirana 2030” me arkitektin Stefano Boeri është sepse ai na njohu me idenë e mrekullueshme për pyjet vertikale. Ndaj, thamë pse të mos kalojmë nga ideja e një pylli vertikal, në idenë e një Pylli Orbital, të vendosim limitet e qytetit, të mos shkatërrojmë më, të shtojmë hapësirat e gjelbra”, tha Veliaj. Falë kontributit të qytetarëve dhe shumë kompanive private, sezonin e shkuar u mundësua mbjellja e rreth 126 mijë pëmëve, një objektiv që pritet të tejkalohet këtë sezon.

“Ne u përballëm me faktin se qytetet me makina nuk mund të përballojnë 2 milionë pemë. Por, një ditë menduam: po sikur të gjithë fëmijët e qytetit tonë të mbjellin nga një pemë për ditëlindjen e tyre? Po sikur ta bënin këtë edhe për përvjetoret e prindërve? Apo në kujtim të gjyshërve të tyre? E nisëm pak a shumë si një lojë të qytetit, ku vitin e kaluar mbollëm 126 mijë pemë. Këtë vit kemi të njëjtin synim, por duke përfshirë të gjithë qytetin”, shpjegoi Veliaj.

Por, nismat e Bashkisë së Tiranës për përmirësimin e mjedisit nuk përfundojnë këtu, pasi kryebashkiaku Veliaj foli edhe për një nga projektet më të dashura për të: transformimi i transportit publik në kryeqytet, ku përparësi do t’i jepet atij autobusëve elektrikë, si një hap i madh përpara për uljen e ndojtjes së ajrit.

I pyetur nga gazetarët për nismat për uljen e ndotjes mjedisore, Veliaj renditi suksesin me ndalimin e qeseve plastike dhe rritjen e përdorimit të makinave elektrike, sidomos atyre taksi. “Nuk ka nevojë që të jesh Londra për të ndaluar qeset plastike. Tirana gjithashtu ka vendosur një tarifë mbi qeset plastike dhe funksionoi. Qytetet janë të obsesuara për të ndërtuar trame me kabuj, kur lehtësisht mund të kalojmë te makinat elektrike ose autobusët elektrikë. Unë e di që tani është një revolucion, autobusët elektrikë po ndryshojnë me orë, sa i përket temës së inovacionit. Më kujtohet kur rritesha në Shqipërinë komuniste, kishim vetëm një telefon fiks në të gjithë katin. Të gjithë ishim të detyruar të shkonim në atë shtëpi për të folur në telefon. Pastaj, në kohën e demokracisë të gjithë u bëmë me telefona, por më vonë doli celulari. Menjëherë bëmë kapërcimin e madh dhe të gjithë sot kanë nga një celular. Ndaj, mendoj se duhet të inkurajojmë hemisferën jugore të globit që të tejkalojë disa nga etapat”, tha Veliaj për BBC World Service./ Dritare

LEXO DHE :  Tregoi botës që ne po vuajmë

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.