Ulje drastike e nxënësve në klasën e parë, 50% më pak se para 10 vitesh
Dritare.net
Sipas statistikave gjatë 20 viteve të fundit diferenca është 47 mijë nxënës në pak. Kjo ulje drastike vjen për një sërë arsyesh, si planifikimi familjar dhe emigracioni.
“Ka një reduktim, mund të themi te ndjeshëm të nxënësve të regjistruar krahasuar me 10 apo 20 vjeçarin e fundit. Por ti referohemi periudhës 1994-1995 numri i të regjistruarve në klasë të parë ka qenë 77 mijë, gjë që ka ardhur progresivisht në rënie duke kaluar në shifrën 60 mijë dhe më pas deri në ditët e sotme regjistrimet operative të ditës së sotme kapin shifrën 30 mijë. Natyrisht që ka ulje dhe kjo lidhet me faktorët që edhe INSTAT i njeh si planifikimi familjar, martesat e vonuara dhe emigracioni që janë faktor që japin këtë ndikim në arsim. Në 10-vjeçarin e parë ka pasur një reduktim nga 77 mijë në 60 mijë, po kaq edhe në 10 vjeçarin e dyte. Reduktimi midis 2 dhjetveçarëve është unik, ka pasur një reduktim afërsisht 15-20 mijë nxënës më pak të regjistruar,” deklaroi Ornela Koleka, drejtore për teknologjinë e statistikat, në Ministrinë e Arsimit.
Devolli është një nga rastet tipike ku numri i nxënësve është shumë më i ulët se një vit më pare.
“Në zonën e Devollit nga 269 të regjistruar vjet, sot në regjistrimet operatore janë regjistruar vetëm 68 persona. Ka një reduktim por raporti i plotë deri në përfundimin e etapës së regjistrimit. Tiranë, Berat dhe Fier ka një lloj stanjacioni të regjistrimit të fëmijëve në klasë të pare,” deklaroi Koleka.
Ndërkohë që qytete e mëdha janë thuajse në një lloj stanjacioni, pasi shifra e fëmijëve në klasën e parë janë identike çdo vit. Sipas raportimeve të INSTAT popullsia e Shqipërisë po plaket me ritme të shpejta për shkak të uljes së lindshmërisë, që po ndodh vitet e fundit.
Numri i nxënësve që shkojnë në klasën e parë ka pësuar ulje drastike 20 vitet e fundit. Statistikat e Ministrisë së Arsimit flasin se në 10 vjeçarin e fundit janë regjistruar 30 mijë nxënës më pak per t’u ulur në bankat e shkollës dhe kjo për shkak te uljes së lindshmërive dhe emigrimit të shqiptarëve. News 24