Udhëtim në Izrael/ Ju tregoj takimin, me Zotin!

Nga Hermes Kala

-“Ti Hermes ke shumë pritshmëri!”, –dëgjova të më thoshte një shoqe.

-Të pres të më duash, konsiderohet shumë?

-Jo vetëm aq. Ke pritshmëri të mëdha nga jeta, nga njerëzit. Edhe një miku im kështu më tha për ty.

-Nëse nuk do të kem pritshmëri nga njerëzit, nga kush do të kem atëherë? Nga kafshët? Edhe macja ime që e kisha prej 17 vjetësh ndërroi jetë para 3 javësh. Të vetmit që mbeten janë vetja ime dhe zoti.

Sa i përket vetës, unë jam njeri i botës, njeri i njerëzve dhe nuk mund të ekzistoj pa shkëmbim shikimesh, shtrëngimesh, puthjesh, fjalësh, zënkash, fluidesh. Edhe besimin te Zoti e kisha humbur kohë më parë. Nuk e mbaj mend pikërisht se kur apo ku, çfarë kisha veshur apo çfarë isha duke bërë. Di vetëm se e kisha humbur, humbje e ngadaltë që mendoja se nuk rikuperohet më. Më braktisi në çastet më të vështira, ndoshta sepse unë e braktisa në çastet e mia më të mira. Dhe për ta rigjetur besimin te Zoti, vendosa të udhëtoj drejt Izraelit.

Nga Bergamo drejt Eilatit, qytetit modern të Izraelit të vjetër, bileta kushton 32-45 euro vajtje-ardhje me Ryanair. Ndodhet në pjesën jugore të vendit, në kufi me Egjiptin dhe Jordaninë dhe pamje ballore nga Deti i Kuq.

Ndonëse fluturimi ishte i lirë, gjithçka tjetër ishte e shtrenjtë. Hoteli më i lirë kushtonte 60 euro nata, një drekë me ushqim tradicional izraelit minimumi 10 euro për person, një lëng shege apo karote e shtrydhur, 5-7 euro. I kisha bërë naze pastave italiane dhe tani kisha aq mall për atë ushqim të mirë e të lirë. Të shpenzuarit ishte e pashmangshme, ndaj bëni mirë të provoni falafel me qofte, salcë humus, pite të mbushura dhe turshi.

Mëngjesin e ditës tjetër bëmë plazh. Me peshqirët shtrirë në rërë, avionët që kalonin mbi kokat tona(aeroporti kryesor gjendej në qendër të qytetit), një lëng shege të shtrydhur dhe me ujin e freskët të Detit të Kuq të zjarrtë kaloi dhe një tjetër paradite.

Pasdite morëm autobusin dhe shkuam tek ‘Observatoti’, akuariumi më i njohur ku mund të shohësh lloje të ndryshme peshqish, peshkaqenë, koralet dhe jetën nëntokësore, biletë që bënte vetëm 20 euro.

Transporti publik kushton rreth 1 deri 2 euro, ndërsa taksitë pak më tepër, por një diferencë që nuk ndihet shumë.

Ditën e tretë rezervuam një tur me autobus nga Eilati, drejt Jerusalemit, nga mëngjesi në darkë, që kushtoi 100 euro për person. Udhëtimi zgjati 4 orë, bëmë një ndalesë në Detin e Vdekur, u lamë për 1 ore. Ishte një mrekulli më vete teksa qëndroje pezull në ujë.

Përpiqesha të zhytesha e të ’mbytesha’, por ishte e pamundur. Uji vazhdonte të të ngrinte lart në sipërfaqe. Sa do të doja që të gjithë ujërat e kësaj toke, të gjitha vendet, njerëzit e fjalët të kishin të njëjtin efekt te njerëzit, atë të të ngriturit lart, por fatkeqësisht me disa, ‘të rrëzuarit’ është e pashmangshme. Në total, udhëtimi kushtoi 300 deri 400 euro për tre net. U nisëm drejt Jerusalemit. Gjendesha në qytetin më të vjetër në botë. Aty ku nisi historia. Aty ku ekzistojnë tri besimet kryesore: jehudizmi, krishterimi dhe islami.  Aty ku janë zhvilluar luftërat më të mëdha.

LEXO DHE :  Video/ Zgjidhja për xhama të ngrirë? Një qese me ujë!

Rrugët me gurë, kështjellat, portat, rrënojat, njerëzit e paqtë, pazaret me rroba. Quaje efekt palcebo apo ç’të duash, por u ndjeva aq pranë Zotit e aq i lumtur sa për herë të parë nuk ndjeva nevojën për të marrë Berocca(Lexo! Berocca është një suplement multivitaminash që krijon një gjendje energjie, humori dhe lumturie).

Ndalesa e parë ishte te Muri i Lotëve, mbetjet e vetme të tempullit Hebre. Mendohet se quhet muri i Lotëve sepse miliona çifutë kanë qarë prej shkatërrimit të tempullit. Një tjetër hipotezë është se nga muri shihet të dalë ujë, në formë lotësh dhe kjo është e pashpjegueshme nga shkencëtarët. Hera e fundit që muri ka ‘qarë’ ishte në 1940.

Ndoshta e fundit fare ishte kur qava dhe unë bashkë me qindra e mijëra njerëz të tjerë. Në atë pjesë të mbetur, Jezusi ka kaluar dhe ka vendosur dorën e tij. Sot, njerëz nga e gjithë bota, besime të ndryshme, shkojnë aty, prekin murin me të dyja duart, mendojnë vetëm një dëshirë.

Bëjnë tri hapa mbrapa pa e larguar kokën nga muri dhe kështu mendohet se dëshira jote shkon direkt lart në qiell dhe do të realizohet. Sa nevojë kemi për pak besim, pak magji e pak shpresë.

Vizituam të katërta pjesët e qytetit të vjetër; hebre, armene, të krishtere dhe myslimane. Si dikush që i përket besimit të krishterë, ndoqëm rrugën që ka ndjekur dhe Jezusi. Vura dorën aty ku e ka venë dorën Jezusi, preka pllakën ku Veronika i ka fshirë gjakun nga fytyra me shaminë e famshme që gjendet në muzeun e Torinos, derisa u gjendem në kishën ku biri i Zotit është kryqëzuar dhe varrosur.

Varrin nuk munda ta shihja, sepse duhet të qëndroje në radhë për orë të tëra dhe nuk kishim aq kohë në dispozicion, ja pse kam vendosur që ta vizitoj sërish.

Pas Jerusalemit u nisem në Betlehem për të vizituar kishën ku ka lindur Jezu Krishti, vetëm 20 minuta nga Jerusalemi. Qyteti ishte i vjetër, asgjë për t’u parë përveç kishës që mbarte 3 nënkisha më vete; atë armene, katolike dhe ortodokse. Ndjeva të lindte diçka tek unë, teksa ndodhesha aty ku ka lindur Jezu Krishti. Pas dy orësh u nisëm sërish drejt Jerusalemit.

Ja tek isha, në vendin e shenjtë, në qytetin ku ka lindur Jezusi i kinematografisë, Natalie Portman, në qytetin ku ka vdekur dhe është varrosur Jezusi, bir i zotit, profet i Krishterimit, në qytetin që e kanë pushtuar, shkatërruar dhe rindërtuar me qindra herë. Nuk e di se, si a qysh, por di të them se aty takova Zotin. Më foli, më fali dhe më mirëpriti. Kurrë në jetë s’e kisha ndier aq pranë. Të jemi të sinqertë, udhëtimi ishte disi  i lodhshëm, i kushtueshëm ( rreth 400 euro për 3 net), ama ia vlejti. Kam lexuar diku se, Brad Pitt ka paguar një shumë qesharake prej 250 mijë dollarësh për të udhëtuar në hapësirë, një biletë koncerti për të ndjekur Eminem apo Christina Aguileran kushton 200 euro, pra ti po më thua se 350 euro për të takuar Zotin janë shumë?/dritare.net

 

 

 

 

 

 

 

 

 

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.