Turizmi, a jemi gati të sfidojmë fqinjët?

Nga Dritan Hila- Editorial i emisionit Arena ne Ora News

Nga Vlora kryeministri Rama ka shpallur hapjen e sezonit turistik. Bashkë me të edhe synimin për të arritur brenda pesë vjetëve shifrën e 10 milion turistëve që do vizitojnë vendin tonë çdo vit.

Objektivi ngjan ambicioz. Në fillim të viteve 90-të Greqia kishte të njëjtin numër turistësh dhe kryesonte në Ballkan me këtë shifër. Por ishte një Ballkan ku turizmi njihte vetëm bregdetin helen dhe shumë pak atë jugosllav. Ishin kohët kur shtresa e mesme dhe punëtorët e perëndimit po shijonin në masë frytet e shoqërisë së konsumit dhe oferta ishte e kufizuar në bregdetin grek, italian, spanjoll dhe atë elitar francez.

Pas kësaj shembullin grek e ndoqën një sërë vendesh mesdhetare. Turqia investoi në resortet e mëdha që mbusheshin nga gjermanë e më vonë rusë; Egjypti me Sharm el Sheik, Tunizia, dhe disi më pak Maroku ishin Mekat e reja turistike të perëndimorëve. Dekada që shënoi fundshekullin e shkuar kishte oferta të pafundme për turistin e çfarëdolloj shtrese.

Por lulëzimni nuk do të zgjaste shumë. Sulmi ndaj kullave binjake do ta shenjonte Lindjen e Mesme si rajon të pasigurtë. Më vonë shtete e Afrikës Veriore do të kapeshin nga radikalët fetarë me pasojë fillesa e shfaqjes së atentateve ndaj turistëve që vizitonin piramidat dhe resortet e begata të Egjyptit.

Pranvera arabe shënoi edhe daljen jashtë kontrollit të  kësaj hapësire. Revolucionet, grushtet e shtetit, e nxorrën jashtë kontrollit. Më vonë atentatet nëpër resorte me qëllim shkatërrimin e prapavijës ekonomike të rregjimeve që qeverisnin, solli boshatisjen e kësaj zone. Rrëzimi i avionit me turistë rusë në Egjypt, atentatet në resortet tuniziane, ishin reklama më e keqe për këto hapësira. Askush nuk donte të nisej për pushime dhe të përfundonte në spotet politike të xhihadistëve duke i prerë kokën.

Kjo ndihmoi Turqinë, por jo për shumë kohë. Lufta në Siri bëri që territori të kthehej në prapavijë të kryengritësve dhe fraksioneve shumëngjyrëshe. Shto këtu edhe tensionet brenda vetë shtetit turk, njerëzit panë në ekrane hedhje në erë kamikazesh, sulme mbi klube dhe deri grushte shteti. Për fat, resortet nuk u prekën. Turqit mbajtën nën kontroll këtë limfë jetike për ekonominë e tyre. Por sidoqoftë perëndimorët nuk janë shumë entuzistë për të kaluar pushimet në Antalia apo Kemer. Madje as lindorët pavarësisht çmimeve të ulëta.

LEXO DHE :  Live/ Studentët protestojnë, para Ministrisë së Arsimit

Kjo ka sjellë që fluksi  turistëve të zhvendoset në vende dhe rajone të tjera të stabilizuara politikisht. Dhe ja ku i ndriti fati Shqipërisë.

Dallëndysheve të mëparshme që vinin nga perëndimi sepse kishin humbur rrugën, filluan dhe iu shtuan para katër viteve autobuzat me turistë polakë, çekë, ukrainas dhe së fundmi rusë. Sot gjithmonë e më shumë struktura turistike po modernizohen dhe operojnë me të huaj. Fillimi ngjan i mbarë. Sezoni turistik nga 40 ditë, po kap 80 ditëshin. Operatorë të fuqishëm polakë dhe ukrainas i këshillojnë Shqipërinë klientëve të tyre. Dhe partnerët e tyre shqiptarë po bëjnë më të mirën për të qenë në lartësinë e duhur

Ndaj objektivi i Ramës nuk ngjan i pa realizueshëm. Por nëse sipërmarësit shqiptarë i kanë bërë detyrat e veta, a mund të thuhet e njëjta gjë për qeverinë? Pavarësisht dëshirës, zonat turistike kanë ende probleme me energjinë elektrike. Hotele me 300 dhoma kërkojnë linja të fuqishme transmetimi. Uji është ende problem për hapësira të tëra. Në qytete kryesore apo plazhe të frekuentuara ende derdhen ujërat e zeza. Ndërkohë pastërtia e plazheve shqiptare le për të dëshiruar. Pa harruar se shpesh administrata nuk i përgjigjet në kohë kërkesave të tregut. Ndaj sezoni turistik është ende 80 ditë edhe për faj të saj.

Problemi i krahut të punës dhe kualifikimit të tij është pika tjetër që kërcënon turizmin shqiptar. Akoma nuk po gjendet formula që të rinjtë shqiptarë të punojnë në resortet e tyre dhe jo në ato greke apo italiane.

Megjithatë ky është vetëm fillimi i hyrjes në industrinë e madhe të turizmit botëror. Sesa do ia dalim në një treg global, kjo nuk varet vetëm nga individë por nga loja në ekip e sipërmarrësve dhe qeverisë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.