Tri arsye për të lexuar Dalinë!

Arta Marku

Nga Arta MARKU

Mes autobiografive të shumta, në vitrinat e librarive gjendet edhe ajo e Salvador Dalisë (1904-1989), një prej figurave më origjinale dhe provokuese të artit botëror të shekullit XX.

Piktori – autobiograf e fillon rrëfimin e tij qysh në moshë të hershme, kohë nga e cila shumë prej kujtimeve i janë ruajtur të gjalla, dhe e mbyll rreth fundit të të tridhjetave. Bëhet fjalë për një libër interesant, padyshim, përsa kohë është interesante vetë figura e artistit, jeta e tij, përtej apo e lidhur me veprën. Aq më tepër e bën interesant fakti që rrëfimin e bën ai vetë, duke e bërë të dallueshëm nga libra të shkruar për artistin nga të tjerë. Ja cilat janë tri ndër arsyet për të cilat, libri ia vlen të lexohet.

1-VETËRRËFIMI

Ka dy këndvështrime për të parë një njeri: këndvështrimi i vetë individit dhe ai i tjetrit. Biografitë rëndom, janë këndvështrim i autorit mbi jetën apo veprën e protagonistit të biografisë. Kjo lejon interpretimin në mënyrë të distancuar, ndoshta edhe të ftohtë që ndryshe do të thotë (edhe pse jo gjithmonë), të saktë. Por, shpesh, vetërrëfimi, ose autobiografia, ka një vlerë të patjetërsueshme, pikërisht ngase fillon prej së brendshmi. Sigurisht, kjo varet nga sinqeriteti. Vetërrëfyesi, tek flet për veten, ka mundësi jo vetëm të japë detaje apo ndodhi të jetës vetjake që të tjerët mund të mos i dinë, e mund të mos kenë pasur rastin t’i mësojnë ndonjëherë, por edhe të shprehë ndjesitë apo interpretimet e brendshme. Kësisoj Dalia, mundet të bëjë një autoanalizë të jetës së vet. Ai shkruan: “1936… duhej të operohej Gala… Operacioni ishte shumë serioz… E lashë Galan në klinikë dhe u nisa për në shtëpi. Hëngra darkë me oreks, midhje dhe pëllumb të pjekur, piva tri kafe… mezi po prisja t’i kthehesha punës… Po më habiste pandjeshmëria ime ndaj gruas dhe operacionit të saj. Si kështu? Nuk lija rast pa e përsëritur se e doja Galan e megjithatë po tregohesha shpërfillës ndaj vuajtjeve të saj…”.

LEXO DHE :  Lajm i mirë për “Gjuhën Shqipe”, futet në universitete!

Aftësia e Dalisë për të shkruar, është e njohur dhe e padiskutueshme. Por, duket edhe sinqeriteti, mund të konsiderohet i tillë.

2-PAZAKONSHMËRIA

Nuk do të thotë aspak që pas një vepre të jashtëzakonshme të fshihet një jetë gjithaq e jashtëzakonshme e autorit të veprës. Por në rastin e Dalisë do të thotë. E pazakonshme vepra e Salvador Dalisë, po aq e pazakonshme jeta e tij. E çuditshme, e papritur, e paimagjinueshme. Ja një rast: në moshën 5 vjeçare, Salvadori i vogël, tek luante me një fëmijë më të vogël se ai, mbi biçikletë, iu drejtua një ure pa parmakë, dhe pa ngurrim e shty të voglin poshtë. Pas kësaj, nuk dukej aspak i shqetësuar, madje, edhe nga legenët me gjak që nxirrnin nga dhoma e të aksidentuarit, të cilit iu desh të rrinte shtrirë për një kohë të gjatë, për shkak të marrisë së artistit të ardhshëm. Pazakonshmëria vijon, padyshim, me detaje të njëpasnjëshme të paraqitura në libër…

3-TË FSHEHTAT PA VEL

Zbulimi i të fshehtave gjithnjë josh. Çfarë është fshehur? Si duhet të jetë fshehur? Pse? Përderisa ajo pjesë e njohur e Salvador Dalisë është kaq intriguese, po e panjohura e tij? Duhet thënë se: Togfjalëshi “jeta e fshehtë”, nuk është përdorur thjesht me qëllime komerciale, por shpreh të vërtetën e përmbajtjes së librit autobiografik, ku janë përzier pjesët e dukshme të jetës të zhvilluara nën dritën e diellit e të tjera që kanë të bëjnë me gjysmëerrësirën apo me errësirën e nënvetëdijes së tij…

Një libër grishës, një personazh ngacmues, një rrëfim që nuk duhet shpërfillur.

TITULLI – Jeta e fshehtë e Salvador Dalisë e treguar nga ai vetë

Gjinia – Autobiografi

Përktheu – Guri Shyti

Botues – Onufri

Çmimi 1500 lekë./Dritare.net

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.