Përpjekja e monologut të sotëm i Kryeministrit Rama për ta shndërruar në një dialog me studentët, dështoi.
Megjithatë, edhe aq sa tha, ishin interesante sepse n jerëzit kuptuan disa gjëra.
Së pari, kryeministri ende nuk ka lexuar ligjin për universitetet dhe nuk është lodhur të mësojë se çfarë kërkojnë ata. Kjo u kuptua nga përgjigja ku ai iu bënte me dije studentëve se do merrte masa që studentët e ekselencës të mos paguanin për provimet e shtyra.
Mesa duket nuk ka këshilltar për arsimin dhe as e pyet ministren e arsimit (nëse ajo e njeh ligjin që ka gatuar), se llogjikisht studentët e ekselencës janë ata që marrin dhjeta dhe nuk kanë nevojë që të shtyjnë provimet për vite të tjera. Askush nuk i ka thënë se deri në tre sezone, askush nuk paguan. Ashtu sikurse në diskutimet me pedagogët e universitetit publik disa muaj më parë, të ardhur për shkak të bllokimit të funksionimit të universitetit nga veprimet e rektorit Koni, edhe këtë rradhë kryeministti kishte shkuar i papregatitur, duke i besuar fuqisë së batutave të tij.
Nuk dihet nëse e ka kuptuar kryeministri se sot po paguan pasojat e një ligji të bërë për të favorizuar universitete private? Me siguri që po. Por ndërkohë njëri prej tyre i ka rrëshqitur në kampin e Bashës, ndërsa tjetri ka zëvendësuar Kristalin dhe pronari i tij real bën ligje në parlament për ekonominë. Nuk dihet nëse politikisht ia ka vlejtur kjo kosto, pasi praktikisht ne kemi një universitet publik i cili është në agoni, ndërsa ato private janë thjesht prodhues diplomash. Asnjeri prej tyre nuk mund të klasifikohet si qendër kërkimi universitar, në kuptimin e mirëfilltë që ka kjo në botë. Nuk bëhet fjalë për laboratorë, por nuk kanë as auditorë të krahasueshëm me ato perëndimorë. Janë vetëm ca ish rrobaqepsi ushtarake apo magazina të kohës së komunizmit, të përshtatura si të tilla.
Së dyti, ajo që nuk kupton kryeministri, mbetet gjithmonë stomaku i shqiptarëve. Me politikat që po ndjek, ia ka dalë që të bëjë opozitën inekzistente, të neutralizojë shoqërinë civile, të monopolizojë jetën ekonomike të vendit, madje të bëjë që një numër i madh i popullsisë aktive si krah pune të ikë, por ka harruar se kjo nuk bllokon dialektikën e zhvillimit të një vendi.
Sado të ikin, sado t’ia mbathin, do mbetet gjithmonë dikush që do ta kundërshtojë. Dhe kjo po i vjen edhe nga brenda kampit të tij. Me siguri nga masa e studentëve, një pjesë e madhe janë me prindër që kanë votuar të majtën. Por situata është e tillë që po i precipiton me shpejtësi. Në këto momente nuk bëhet fjalë për të bërë kozmetikë të ligjit për arsimin e lartë. Ajo tarifë që vendosi, 670 lekë (5.5 euro) për një provim, është e përbalueshme nga kushdo. Mbase edhe vetë pedagogët abuzuan me të, por revolta plasi për perspektivën që ata, studentët, nuk shohin.
Për të kapërcyer këtë situatë, nuk dihet a është apo jo në kohë, por e fundmja gjë që do t’ia heqë lakun nga fyti, është qasja si burrë shteti ndaj problemit kompleks. Dhe kjo nuk fillon nga ligji i universiteteve, por nga qasja ndaj ekonomisë. Rasti i fundit i vjedhjes në unazën e madhe, tregoi se djajtë kanë dalë nga shishja dhe nuk lodhen as për të vënë një gjethe fiku.
Situata ngjan më shumë me Rusinë e Majit 1917 ku pushteti engledisej me një guru si Rasputini, ndërsa revolucioni po vinte tek dera. Dhe Rama nuk ngjan fare me Kerenskin që të paktën mori përgjegjësitë për të bërë reforma, por me Nikollën e II-të që kishte humbur prekjen me popullin.
Ndaj nëse do që situata mos precipitojë vrullshëm, duhet të ndalë dorën me PPP-të, të frenojë investimet faraonike në projekte të rilindjes urbane, të largojë pazhët e mbledhur rreth vetes, të krijojë ekipe profesionistësh pa pasur turp që ata do të dinë më shumë se ai dhe t,ii lerë spektaklet me ditëzinj si Muka.
Forca që ai përfaqëson ka me bollëk njerëz të zanatit që do të dinë të rimëkëmbin godinën e shtetit që ka vite që ose e shembin , ose e lyejnë. Pastaj një nga reformat që duhet të ndërrmarrë është një ligj i ri për arsimin e lartë, ku duhet ta ndajë mendjen që të mos ia jape me koncesion privatit, arsimin, si një përqeshje e madhe me dijen, që ju bë shkollimit në Shqipëri, dhe të ringrejë nga themelet publikun. Me objektivin e qartë që shkollimi shqiptarëve nuk është qokë elektorale, por sipërmarrje për burra shteti.
Kryeministri është në orët e fundit të besimit të elektoratit të tij. Nëse nuk e kupton këtë, nga pas vjen tejzgjatje e tranzicionit. Dhe askush nuk ia ka për borxh këtë./dritare.net