Kthimi i eshtrave të Mit’hat Frashërit në atdhe sipas një vendimi qeveritar risjell përsëri në qendër të debatit qëndrimin e forcave politike shqiptare dhe drejtuesve të tyre gjatë Luftës së Dytë Botërore, si kundrejt njëri-tjetrit, ashtu edhe kundrejt pushtuesve dhe aleatëve. Që diskutohet për luftën nuk është gjë e re, madje është mëse e nevojshme. Risia në këto zhvillime është se procesi i revizionizmit të historisë së luftës ka hedhur një hap më tej. Në pikëpamje historike është e drejtë që eshtrat e Lumo Skëndos të prehen në Shqipëri, po aq sa është e gabuar që të kthehen me ceremoni shtetërore eshtrat e Mit’hat Frashërit në atdhe. Sigurisht që do të ishte tjetër gjë, nëse ky veprim do të ndërmerrej nga familjarët në rrugë private. Duke pasur parasysh se në të dy rastet bëhet fjalë për të njëjtin person shtrohet pyetja nëse mund të rivarroset në Shqipëri me ndere zyrtare një ish-bashkëpunëtor i nazizmit, pavarësisht meritave të tij të pamohueshme për shqiptarinë deri në vitin 1939?
Këtu qëndron thelbi i diskutimit. A është antikomunizmi një vlerë përgjithësuese që zeron bashkëpunimin me nazizmin? A mund të nderohet një ish-bashkëpunëtor i nazizmit, pavarësisht meritave të pamohueshme që ai ka në disa momente shumë të rëndësishme të historisë sonë, duke filluar nga Kongresi i Manastirit, shpallja e Pavarësisë, Konferenca e Paqes së pas Luftës së Parë Botërore etj. Pa përmendur këtu veprimtarinë letrare e publicistike të Lumo Skëndos!
Përsëri përgjigja është e vështirë, nëse nuk përcaktohen kriteret e vlerësimit të një figure historike. Kriteri bazë i vlerësimit është qëndrimi ndaj çështjes kombëtare dhe nëse veprimtaria e tij politike ka dëmtuar vendin dhe ka vënë në rrezik të ardhmen e tij. Dhe këtu pesha më e rëndë e akuzave ndaj M. Frashërit bie mbi bashkëpunimin me pushtuesit – kryesisht ata gjermanë – gjatë luftës, i cili është i faktuar qartazi dhe për të nuk ka asnjë dyshim. Që të arrijmë në një përfundim më të qartë për këtë problematikë, duhet t’i bëjmë një analizë nacionalizimit shqiptar gjatë Luftës së Dytë Botërore, përfaqësuesi më i spikatur i së cilit ishte pa dyshim Mit’hat Frashëri.
***
Sipas perceptimit dhe botëkuptimit të tyre, për pjesën më të madhe të nacionalistëve shqiptarë që bashkëpunuan me pushtuesit italianë, e më pas ata gjermanë, ata ishin duke kryer veprimin e duhur për të mirën e vendit. Gjithsesi, mes këtij grupi duhen bërë diferencime. Një pjesë e tyre ishin idealistë dhe bashkëpunonin me pushtuesin vetëm e vetëm për t’ju kundërvënë komunizmit, ndërkohë që pjesa tjetër kishte edhe interesat e saj në këtë bashkëpunim. Por, ajo që mund të thuhet pa ngurrim është se, kjo klasë politike mendonte se, sido qw të vinte puna, përsëri ata do të ishin në krye të vendit, qoftë në mënyrë të vetëkuptueshme si vazhdim i traditës drejtuese, qoftë edhe nëse Aleatët do të kërkonin dikë për t’u marrë vesh pas luftës. Çka ata nuk kuptuan ishte se, si pasojë e bashkëpunimit me gjermanët, ata u shndërruan që gjatë luftës të papranueshëm nga bashkëkombësit e tyre. Rrjedhimisht, si gjatë luftës ashtu edhe pas saj, për pjesën tjetër të popullsisë ishte e vetëkuptueshme që ata duhej të dënoheshin për qëndrimin e tyre. Kështu ndodhi edhe në vendet e tjera, duke filluar nga vendet Skandinave, Europën Qendrore e Lindore si edhe në atë Juglindore. Sigurisht që gjatë këtij procesi pati edhe hakmarrje politike e personale, që finalizoheshin me humbjen e jetëve të pafajshme.
Një arsye tjetër për bashkëpunimin me pushtuesin përbënte edhe mungesa e përvojës demokratike në Shqipëri. Zogu, qoftë si President, por edhe si Mbret, drejtonte në mënyrë autokrate. Shumë përfaqësues të elitës së vjetër, por edhe intelektualë të tjerë ishin përndjekur, dënuar, internuar, por edhe vrarë. Mungesa e demokracisë së prekshme, e kryqëzuar me rritjen e lëvizjes komuniste, i shtonte premisat e bashkëpunimit me pushtuesin. Pavarësisht propagandës komuniste, e cila është e njohur për mirë organizimin e saj, shumë nacionalistë me orientim perëndimor demokratik nuk e mbështetën atë. Kjo gjë ishte e pritshme, nëse vlerësojmë prejardhjen e tyre, kryesisht nga shtresa e lartë feudalo-borgjeze e kohës. Përveçse aspektit ideologjik që nuk përkrahej prej tyre edhe si pasojë e barazimit të klasave që pretendonte kjo ideologji, së bashku me statusin e tyre rrezikohej dhe prona. Në këtë mënyrë, në kuadër të bërjes palë me njërin kamp të luftës, Hitleri ofronte për ta një zgjidhje. Po ashtu edhe modeli shtetëror i Gjermanisë, me një udhëheqës të fortë në krye, ishte ajo çka e impresiononte shumë këtë elitë të shqiptarëve. Tanimë janë studiuar fazat në të cilat ka kaluar bashkëpunimi me Gjermaninë Nacionalsocialiste në gjithë Europën Juglindore. Parë në përgjithësi, përfshirë edhe Shqipërinë, në vitet 1939-1941, shumica e të prekurve, me përjashtim të komunistëve, e pranuan ekspansionin hitlerian. Ndryshimi vjen me betejën e Stalingradit në fillimvitin 1943. Si pasojë e humbjes gjermane, në shumë vende të Europës Juglindore, nga bashkëpunimi kalohet në një gatishmëri të hapur për të luftuar kundër Wehrmacht-it gjerman. Ndryshe në Shqipëri! Pavarësisht sinjaleve të forta që vinin nga fronti kryesor i luftës por edhe politika aleate, pas një hezitimi paraprak, elita shqiptare nuk ngurroi të hidhej në krahët e bashkëpunimit. Ky bashkëpunim nuk kishte një bazë ideologjike, por konsistonte më së shumti në shpresën se, me ndihmën e gjermanëve, do të mund të likuidohej lëvizja Nacionalçlirimtare e drejtuar nga komunistët.
Me të drejtë Peter Sturm-i shkruan te “Frankfurter Allgemeine Zeitung” se, fatkeqësia personale dhe politike e shumë ish bashkëpunëtorëve me nazizmin ishte se ata kërkonin një bashkëpunim të ngushtë me ta, por nuk e shikonin këtë marrëdhënie si një varësi apo marrëdhënie koloniale. Në fakt, Hitleri dhe bashkëpunëtorët e tij e shikonin këtë gjë ndryshe. Këtë e tregon më së miri edhe kriza qeveritare e korrikut të vitit 1944, kur Mehdi Frashëri demonstroi krijimin e një qeverie pa marrë më parë miratimin e Përfaqësuesit të Plotfuqishëm të Hitler-it në Europën Juglindore, Neubacher-it. Në lidhje me këtë Neubacher i shkruante më 21 korrik 1944 konsullit gjerman në Tiranë Shliep: „ […] lutemi të vihen në dijeni instancat përkatëse shqiptare, që ne presim nga cilado qeveri pranimin e faktit, që Wehrmacht-i është e vetmja forcë që ruan rregullin në Shqipëri. Çdo gjë që ka ndodhur kohët e fundit për ngritjen e shtetit shqiptar, bazohet mbi faktin e padiskutueshëm të pranisë sonë në këtë vend. Prandaj është një kërkesë tepër e vetëkuptueshme e gjermanëve, që ne nuk lejojmë që në çështje të qeverisë, të vihemi përpara fakteve të kryera. Kjo kërkesë e gjermanëve bazohet mbi faktin fondamental, që asnjë qeveri shqiptare nuk është në gjendje të veprojë dhe të ushtrojë autoritetin e saj pa ndihmën tonë. Ju lutem, kujtojeni edhe njëherë Mehdi Frashërin mbi bisedat e mia të mëparshme me të, ku unë i kam shprehur atij qartë, që gjatë luftës, sovraniteti shqiptar i shtrin kufijtë e tij deri atje ku vihet në rrezik siguria e Wehrmacht-it tonë dhe arritja e synimeve tona luftarake. […] Ju lutem, bëjani Mehdi Frashërit të qartë, që çdo eksperiment diktatorial, pa marrë parasysh paligjshmërinë e tyre, është i gabuar, sepse ato nuk janë kompetencë e aparatit qeveritar shqiptar” (ADAP, Serie E, Bd. VIII, f. 229).
I njëjti koncept ndiqej nga gjermanët edhe për bashkëpunëtorët e tjerë të tyre. Në këtë kontekst, rreshtimi hapur i Ballit Kombëtar në krahët e pushtuesit, i kategorizoi ata qartazi në anën e gjermanëve. Madje, duke djegur bashkë me ta fshatra gjatë operacionit të dimrit dhe atij të Qershorit, duke terrorizuar qytete e duke ekzekutuar jo rrallë edhe njerëz.
Revizionimi i historisë së Luftës së Dytë Botërore nuk ka të bëjë shumë me Enver Hoxhën, apo me të rënët e luftës, por lidhet më së shumti me mospranimin e një realiteti historik, ku një pjesë e mirë e nacionalizmit shqiptar u gjet në anën e gabuar të historisë. Sigurisht që, ana e duhur mund të kishte qenë edhe në krijimin e një blloku të qartë luftarak antifashist, por edhe antikomunist, duke i parë komunistët si rivalë politikë. Por jo si kundërshtarë në frontin e luftës antifashiste! Kësisoj, është e vështirë të besohet se Hoxha, pavarësisht qëllimeve të tij, do t’i kishte luftuar nacionalistët që gjatë luftës. Do ta kishte bërë ndoshta më vonë, por me një kosto shumë të lartë.
Nacionalizmi shqiptar gjatë luftës, jo vetëm që bëri vetëvrasje politike, por po ashtu, në momentin kur pranoi të bashkëpunonte me pushtuesit, e damkosi veten si tradhtar i vendit. Për këtë shembujt janë të shumtë. Edhe në vendet e tjera u shfaq i njëjti fenomen.
Sot ka tendenca studimore, që e trajtojnë njësoj luftën dhe pasluftën. Ajo çka rreken të bëjnë përfaqësuesit e revizionimit të historisë është që përveçse tezës së luftës civile, të bindin shoqërinë shqiptare se, si partizanët ashtu edhe nacionalistët, më saktë ballistët, kishin të njëjtin status, atë të luftëtarit të lirisë. Kjo gjë mund të jetë e vërtetë për elementë të caktuar të Ballit Kombëtar dhe në fazat e para të luftës. Ndërkohë që me kalimin e kohës dhe me konsolidimin e pushtimit gjerman por edhe të Ballit Kombëtar si organizatë, nuk ka asnjë rast kur ndonjë çetë e Ballit Kombëtar lufton kundër gjermanëve por përkundrazi, bashkëpunojnë hapur me ta. Kështu që, me kalimin e kohës, aktiviteti i Ballit Kombëtar orientohet drejt një qëndrese antikomuniste dhe jo antifashiste – çka i vinte për shtat edhe Enver Hoxhës.
Trajtimi në këtë frymë bëhet me qëllim për të justifikuar bashkëpunimin me pushtuesin. Në këtë kuadër, merr kuptim edhe teoria se, gjermanët ishin kalimtarë dhe jo pushtues. Parë në këtë këndvështrim, Gjermania nuk pushtoi thuajse asnjë vend gjatë Luftës së Dytë Botërore. Me përjashtim të vendeve të trazuara politikisht dhe me një tranzicion të pafund, siç është edhe Shqipëria, nuk ka asnjë vend demokratik sot në botë, ku revizionohen bashkëpunëtorët e nazizmit dhe fashizmit. A mund të “pastrohen” njerëz të tillë nga krimet që kanë bërë krah pushtuesit gjatë luftës kundër bashkëkombësve të tyre? Me të drejtë sot kërkohet vlerësimi i drejtë historik i krimeve të komunizmit për periudhën 1944-1990. Madje, një ndjesë publike e atyre që jetojnë apo pasardhësve të tyre do të ishte jo vetëm e mirëpritur, por edhe një tregues i dukshëm i një demokracie të munguar në Shqipëri. A duhet të kërkojnë falje bashkëpunëtorët e nazizmit dhe fashizmit, qysh nga bashkëpunimi e deri në krime që janë bërë prej tyre përkrah pushtuesit? Si mund të rehabilitohen njerëz të tillë, madje edhe duke ju ngritur buste e përmendore në mes të qyteteve, vetëm sepse kanë qenë antikomunistë? A mjafton antikomunizmi për të justifikuar gjithë dështimin e tyre, i cili hera-herës ka pasur edhe formë kriminale, si në luftë, por edhe vitet e para të pasluftës. E meritonte vdekjen Bardhok Biba, vetëm se ishte komunist? Mos ishte mëkat dhe turp i madh nëse vajzat e Mirditës, apo siç me të drejtë u quajtën, Heroinat e Mirditës, të kërkonin të bëheshin pjesë e emancipimit dhe ndërtimit të vendit? E meritonin ato që, vetëm për këtë gjë të binin viktimë e banditizmit politik, i cili ushqehej më së shumti nga kjo kategori shqiptarësh? Parë në këtë këndvështrim, ndjesa publike dhe reflektimi ndaj të kaluarës duhet të bëhet nga të gjitha palët, secili sipas mënyrës dhe pjesës së tij të fajit. Vetëm një reflektim gjithëpërfshirës jep mesazhin e paqes, vëllazërisë dhe i shërben të ardhmes demokratike të vendit.
***
Riatdhesimi i eshtrave të Mit’hat Frashërit jep një mesazh shumë të qartë. Mund të themi se pas këtij veprimi fshihet dëshira e politikës aktuale për t’u shkëputur nga trashëgimia e antifashizmit të dominuar nga komunizmi, duke përmbysur në këtë mënyrë ekzistencën e periudhës së socializmit në Shqipëri, me qëllim ndërtimin e një narrative kombëtare për konstruktin delikat demokratik që ka Shqipëria sot. Parë në këtë këndvështrim, politika shqiptare mundohet që në dukje të reflektojë lidhjen e saj me vlerat politike të antifashizmit, ndërsa nga brenda saj rehabiliton ish-bashkëpunëtorë të nazizmit, duke u veshur atyre petka antifashiste. Pra, diskreditimi i qëndresës komuniste ndaj antifashizmit i hap rrugën rehabilitimit të bashkëpunëtorëve të pushtuesve. Në këtë kuadër fiton një rol të veçantë edhe demonizimi i komunizmit dhe historisë 50-vjeçare të socializmit në Shqipëri çka duhet të tregojë si jashtë edhe brenda Shqipërisë, se jemi ndarë përfundimisht nga e kaluara komuniste. Sikur të ishte vërtet kështu!
*Titulli është huazuar nga një shkrim i gazetarit Peter Sturm në“Frankfurter Allgemeine Zeitung” më 16.05.2015.