Torta e gjyshes, një mrekulli me 5 përbërës

Receta që kemi vendosur t’ju paraqesim këtë herë është një tortë tipike italiane me mollë. Ka shumë receta torte me mollë, por kjo është e veçantë, pasi është torta e vjetër e gjyshes, ashtu siç bëhej dikur.

Torta ka një shtresë keku poshtë dhe sipër ka mollë, të cilat qëndrojnë të butë, por të pjekur.

Kjo tortë është ushqimi ideal për të nisur mëngjesin. Dritare.net ju tregon sesi përgatitet.

Përbërësit:

250 gr gjalpë

250 gr sheqer

250 gr miell

3 vezë

1 bustine maja

Pak kripë

Sheqer pluhur

3-4 mollë

Përgatitja:

Në një enë qelqi hidhni gjalpin e shkrirë dhe sheqerin. Përziejini mirë këto dy përbërës derisa sheqeri të jetë tretur. Shtoni të kuqet e vezëve dhe përziejini përsëri. Ndërkohë, të bardhat e vezëve vendosini në një enë tjetër duke i përzier me pak kripë. Njëkohësisht, në një enë tjetër, hidhni miellin i cili duhet përzier me bustinën e majasë.

Tek ena ku përgatitët gjalpin me sheqer dhe vezë, shtoni gjysmën e masës së vezëve të bardha. Përziejini mirë dhe shtoni gjysmën e masës së miellit. Vazhdoni përzierjen. Përsëriteni këtë veprim me gjysmat e tjera të vezëve të bardha dhe miellit.

Pasi të keni përfunduar këtë proces, brumin e përftuar hidheni në enën e pjekjes, nga ato që kapen anash, të cilën duhet ta keni lyer me pak gjalpë dhe spërkatur me pak miell. Nëse nuk keni një enë të tillë, atëherë përdorni tepsinë e zakonshme, me letër kuzhine të vendosur brenda, që mos të ngjitet. E rëndësishme është që përmasa e enës së pjekjes të jetë e madhe, në mënyrë që torta të dalë e madhe dhe e hollë.

Në fund përgatisni mollët. Nevojiten 3-4 mollë, të qëruara paraprakisht, të cilat duhen prerë në feta të holla. Vendosini të gjitha fetat e mollëve mbi brumin në enën e pjekjes, në formë rrethore.

Vendoseni enën në furrën e pjekjes në 180 gradë për 30-40 minuta. Si përfundim, hidhini pak sheqer pluhur sipër. Ju bëftë mirë./dritare.net

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.