Top Channel në kërkim të drejtorit të lajmeve. Ja kandidatët!
Dritare.net
Endri Xhafo i cili mbante detyrën e drejtorit të komanduar të lajmeve , është shkarkuar para pak ditësh nga ky post, dhe të shtunën pas një debati të ashpër me Blushin është larguar përfundimisht nga Top Channel.
Kontrata e tij përfundonte më 15 Mars të këtij viti. Me herët ai mbante detyrën e producentit të lajmeve në Top Channel, të cilën e la, pasi pronarja Vjollca Hoxha vendosi ta emërojë Drejtor të komanduar të redaksisë së informacionit, pas shkarkimit, prej saj , të Sokol Ballës nga ky funksion.
Largimi i Endri Xhafos lë bosh vendin e drejtorit të informacionit në Top Channel, por mësohet se Blushi nuk ka ndenjur duarkryq në këtë drejtim.
Burime për Dritare.net bëjnë me dije, se ai ka kontaktuar dhe biseduar disa prej emrave të medias televizive dhe asaj të shkruar, dy prej të cilëve janë Enton Abilekaj dhe Alfred Lela.
Por deri tani asnjë rezultat. Bisedat në parim nuk janë konkluduar me oferta konkrete nga ana e Blushit dhe çdo gjë për momentin ka mbetur në ajër.
Asnjë televizion më parë nuk ka prodhuar kaq shumë lajme për të tjerët, duke lënë bosh lajmet e veta./dritare.net