Tirana me një kryebashkiak të dytë, ja kush qeveris natën
Dritare.net
Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj ka emëruar këtë të premte, kryebashkiakun e natës në kryeqytet.
Gjatë prezantimit në ambientet e Piramidës e cila sipas Veliajt tani e tutje do të funksionojë si një vend ku zhvillohet arti, ai prezantoi Briken Fejzullai si kryebashkiakun e natës, meqënëse Tirana është qytet që nuk fle.
Fejzullai do të ketë për detyrë të promovojë mundësitë që ofron kryeqyteti, jo vetëm gjatë ditës, por edhe në orët e natës.
Kështu Tirana radhitet midis pesë qyteteve të Europës që kanë një kryetar bashkie për natën.
“Siç ndodh në Amsterdam, në Zyrih apo në Londër, ai do të merret vetëm me promovimin e ekonomisë së natës. Kemi premtuar një qytet që punon me tre turne, por edhe që jeton me tre turne. Në shumë prej vendeve të botës ekonomia e natës, pra e festave, e lokaleve, gjeneron pafund të ardhura dhe vende pune kryesisht për të rinjtë, studentët. Ndaj, duam që kjo të ndodhë në mënyrë të përgjegjshme, të ketë një kryebashkiak nate që rri zgjuar në turnin e tretë dhe menaxhon vetëm këto lloj aktivitetesh", tha Veliaj.