Ky është futbolli i Shako-Dukës, i dyti manipulon ndeshje e kompeticione zyrtare të futbollit vendas, ndërsa i pari, një lëpirës i klasit të parë, ka për mision të manipulojë apo fshehë një realitet të degjeneruar të këtij futbolli, që varet në fasadën e ndonjë stadiumi të rikonstruktuar me lekët e qeverisë, apo në imazhin e Ekipit Kombëtar që Duka&co e përdorin për marketing e përfitime personale. Vini re, kudo futbolli është festë, ndërsa në Shqipëri njerëzit ikin nga stadiumet të palumtur dhe të frustruar. Sepse dora, hija e Dukës dhe "dukallukëve" të tij janë aty, kontrollojnë çdo gjë, lojtarë, arbitra, vëzhgues, gazetarë e komentatorë.
Dhe mirë bëjnë sepse në këtë vend nuk ka media dhe prokurori që t'ja zbërthejnë kopsat Dukës dhe manareve të tij, që Duka i tund e shkund sipas tekave të veta dhe ata vetëm qeshin, lumturohen dhe përulen e nënshtrohen si eunukët para sulltanit, sepse i ka tredhur ose janë vettredhur për një pagë a një vend pune dhe një i tredhur s'ka dinjitet, s'ka as sy, as veshë që të shohë e ndryshojë realitetin. Si do mund të ketë një garë të ndershme kur Presidenti i Federatës së Futbollit, ca presidentë klubesh i ka miq e ca armiq, më të parët bën edhe biznes ndërsa të dytët i përdor për biznes. Situata bëhet paradoksale sepse këtë realitet e njohin tashmë jo vetëm tifozët, por edhe politikanë, prokurorë e gjykatës që shkojnë çdo fundjavë në stadiume për të parë farsën e radhës. Dhe këtë farsë Shako-Duka ua shet shqiptarëve për kampionatin më të bukur të futbollit. Dhe i tillë është në fakt, kampionati më i bukur për shëmtinë, shterpësinë e falsitetin që ofron.
Cila është rrugëzgjidhje? Një hetim i thellë i prokurorisë për të gjithë aktivitetin e FSHF-së, klubeve dhe hapja e këtij institucioni për transparencë. Krijimi i mundësive dhe kushteve për një garë të ndershme për organet drejtuese dhe titullarin e federatës në bazë vlerash personale, programore e menaxheriale. Nuk shkohet para me populizma e sofizma me "kuq e zi je ti", me tezën e kombëtares e nacionalizmit. Nuk të mban në këmbë fasada e ekipit kombëtar. Para shkohet duke ndërtuar një ligë futbolli reale e profesionale.
Me klube që të gjithë janë të barabartë në garë pa privilegje, me arbitra të ndershëm jo qokatarë të Presidentit të FSHF-së, me impiante sportive që të justifikojnë standardet bazë që bota i ka prej më shumë se 50 vjetësh. Lirojeni futbollin o pengmarrës. Kthejuani atë profesionistëve dhe njerëzve që e duan me zemër. Vetingu duhet të ndodhë edhe në futboll në këtë çerdhe korrupsioni, injorance dhe mediokriteti.
Mesazh publik i një grupi tifozësh të Partizanit, Tiranës, Vllaznisë e Flamurtarit!/dritare.net