Të hyj drejt e në temë? Jemi kënaqur pa masë, tek Spaghetti Western, sa do e mbajmë mend gjatë. Kishim ca kohë që donim të dilnim një natë të gjithë bashkë, ne të dritare.net. Qëlloi që u mblodhëm të enjten e Falënderimeve. Zgjodhëm Spaghetti-n në Bllok sepse përveçse një restorant amerikan, kisha informacion se shefi prej ditësh eksperimentonte me menunë e re dimërore.
Është kënaqësi më vete të provosh diçka i pari. Por pastaj ke nderin e detyrimin që të ndash eksperiencën me të tjerët. Do t’ju tregoj disa nga pjatat e reja, por më shumë dua ta vë theksin tek atmosfera që gjetëm dhe ajo që krijuam tek Spaghetti Western. Preferuam të ishim në sintoni me restorantin. U transformuam në cowboys & cowgirls, ashtu si edhe miqtë e tjerë të restorantit që na u bashkuan, duke thyer barrierat e padukshme që ndajnë tavolinat. Aty ndihem si në mjedisin tim natyror, por u habita se të njëjtën ndjesi u krijoi edhe atyre që vinin për herë të parë. Rudina me Alanën ishin të entuziazmuara për gjelin e Thanksgiving, të tjerë hanin, e të tjerë akoma dëgjonin muzikën Live të Stivit. Një panoramë festive që s’do dija ç’t’i shtoja, por do të sugjeroja t’i hiqja diçka (do e them më poshtë se çfarë).
Kaluam shumë shpejt nga tacos e reja, si vegjetarianë dhe me një mish të marinuar gjatë e të gatuar ngadalë-ngadalë, tek brinjët e gicit me salcën speciale të shef Kledit, nga pjata me gjel deti super të butë e deri tek ëmbëlsira e stinës, të cilën deri sa të velem mjaftueshëm do e mbaj në krye të listës së ëmbëlsirave të mia të preferuara; një recetë e re cheesecake-u me kungull!
Bland Ashiku, njëri nga pronarët e restorantit, më pyeti në fund të mbrëmjes nëse ishim kënaqur. Në vend të përgjigjes, e pyeta nëse kishte foto të pjatave që na ishin shërbyer, sepse ne i kishim boshatisur aq shpejt, saqë nuk na kishte dalë as koha të bënim selfiet e zakonshme me to. Kështu që fotot që do shihni në këtë shkrim janë shkrepur nga Spaghetti, pasi i thashë Blandit, se doja të shkruaja patjetër për restorantin e tyre prej kaubojsësh gazmorë, që nuk qëllojnë me plumba, por me gjona t’mira!
U riktheva tek Spaghetti Western, restorant i cili prej pothuaj 2 vitesh iu është bashkëngjitur lokaleve tashme historike si Serendiville, aka Meksika e vogël në Tiranë, apo Qvo Vadis. Treshja e kaubojsëve të Tiranës Fredi, Blandi dhe Kledi kanë gjetur formulën e suksesit në të gjitha vendndodhjet e biznesit të tyre. Si një ish-gazetare që ka studiuar për regji filmi, më tërhoqi emri i restorantit. Blandi më rrëfeu se kur ishin të vegjël riprodhonin filmat me kaubojsa duke luajtur me të vellanë, Fredin, pastaj kur u rritën gjetën edhe kaubojsin e tretë, Kledin, për të vazhduar aventurën. Spaghetti Western nuk nënkupton vetëm llojin e gatimeve, por është një zhanër kinematografik i viteve ’60-’70, i cili na kujton menjëherë Sergio Leone, Clint Eastwood, Bud Spencer etj. Ky term u përdor fillimisht me ironi nga kritikët, që e lidhnin me makaronat, sepse shumica e filmave kishin regjisorë italianë, megjithëse në fakt ishin produkt skuadrash shumëkombëshe dhe u pëlqyen nga masat. Pikërisht si një skuadër shumëkombëshe funksionon edhe kuzhina amerikane e Spaghetti Western. Blandi më tregon se në restorantin e tyre amerikan reflektohet esenca e kuzhinave të kombeve të ndryshme që gjallojnë Amerikën. Prandaj dhe shef Kledi ka se ç'të sjellë, çdo sezon, pjata të reja.
Pra, tek Spaghetti Western, me kuzhinë amerikane nuk nënkuptohet vetëm burgeri i famshëm dhe patatet e skuqura, por edhe pjatat italiane, greke, meksikane, shqiptare etj., gatime të frymëzuara nga të gjithë kombet të cilët kanë ndihmuar në krijimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të kuzhinës amerikane.
Më pëlqen kreativiteti në këtë Saloon kaubojsësh, që nga arredimi pak retro deri tek loja e Blandit me emrat e pjatave, shumica syresh të frymëzuar nga emra aktorësh dhe tituj filmash western. Ndaj ndoshta do t’ju hynte në punë të rishikonit disa filma me kaubojsa, për të buzëqeshur me burgerin me prodhime deti "Clint Seafood", të frymëzuar nga aktori i famshëm, i njohur dhe për kujdesin për shëndetin dhe ushqimin, ose për seksionin e menusë "For a fistful of Noodles", supën me fasule "Bud & Terence", pa harruar emrat gazmorë dhe paksa “dirty” si Cica Djathi dhe Topet e Arta. Sepse siç thonë vetë sipërmarrësit e Spaghetti-t, u bëhet shumë qejfi kur miqtë që largohen nga Spaghetti marrin me vete jo vetëm shijen e mirë të ushqimit, por edhe aromën e një epoke interesante historike dhe kinematografike.
Natën e Falënderimeve morëm vesh një sekret: së shpejti Spaghetti Western vjen me një menu të re. Në përgjithësi menuja e tyre përbëhet nga ushqim i mirë shtëpie, i gatuar sipas stilit amerikan: kjo nuk do të thotë aspak gjëra të skuqura, por ushqim 100% homemade (që nga petët e deri tek salsat, madje dhe majoneza bëhet në shtëpi), ku spikat metoda e maturimit të mishit për një kohë të gjatë, që në gastronominë botërore quhet “dry aging”. Mishi më tej tek Spaghetti piqet me terezi në furrë, ose në skarë. Me sa kuptuam, dhurata kryesore për fansat është një seksion i ri i menusë, që quhet "New Mexico". Do ju sugjeroja të provonit tacos dhe taquitos e reja të bëra me petët e misrit, që prodhohen për herë të parë në kushte artizanale në Shqipëri. Provojini të tëra kombinimet e ndryshme, si vegjetariane dhe ato me mishin fantastik të furrës.
Nuk do të dija ç'të shtoja më, ndoshta vetëm do doja të hiqja pak… kripë. Sepse për shijen e tavolinës tonë prej 8 vetësh, ajo sikur ishte një çikëz me shumicë. Gjithçka tjetër në menunë e Thanksgiving, ishte një amerikanadë e stilizuar në mënyrë fantastike.
Kur dolëm nga restoranti, akrepat kishin kapërcyer 12-ën. Ishte e premte. Shprehjen e famshme amerikane e transformova në:
"Thank God there's Spaghetti Western!"/dritare.net