Te restoranti i sirianëve në Vorë

Nga Edlira Ruzi

Shoqja ime Fjolla, një vajzë myslimane, që menaxhon së bashku me bashkëshortin një kafene alla turka, duke bërë muhabet shtruar, na rrëfeu për një restorant të veçantë. S’mu durua dhe sapo gjeta kohë, shkova për të parë se ç’bëhej atje. Restoranti quhet “Arabesque”, gjendet pranë Vorës dhe menaxhohet nga 2 vëllezër siriane.

Më ngacmoi shumë emri dhe para se të shkoja krijova një përfytyrim timin për orenditë, ornamentet, shiltet apo divanet, si ne përrallat e “Njëmijë e një net”. Por në fakt “Arabesque” ishte një zhgënjim në pamje. Një sallë e madhe e ftohtë, me tavolina po aq të mëdha e të ftohta. Ishte si një lokal dasmash fshati, i dalë mode.

Për nja 2 minuta thamë se na shkoi rruga dëm, por jo. Ushqimi ishte fantastik dhe po aq ekzotik sa ç’e kisha imagjinuar.

Duke parë këtë diferencë të madhe mes arredimit të restorantit dhe përmbajtjes së pjatave, s’na u durua dhe i thamë njërit prej vëllezërve siriane mendimin tonë. Ishte vërtet shumë mikpritës e nuk e mori për ters vërejtjen. Përkundrazi, na falënderoi dhe na shpjegoi se restorantin e kishin marrë 10 muaj më parë dhe nuk kishin mundur të bënin investime.

Inshallah i bëjmë para Bajramit, tha Muhamedi duke buzëqeshur. Erdhi disa herë për të na pyetur nëse na pëlqenin pjatat dhe sa herë largohej buzëqeshte e thoshte ‘ju bëftë mirë’, në shqip.

Fillimisht porositëm antipastën, e cila konsistonte në 3 lloje salcash: Baba Ghanoush, Humus dhe Patëllxhan Mutabal. Të tria këto salca bashkë me sallatën Tabbouleh, mbështilleshin nëpër pite arabe dhe rezultati ishte fantastik.

LEXO DHE :  I ikën gruaja nga shtëpia, burri kërkon ndihmën e policisë

 

Provuam edhe pak Falafel, qoftet e famshme të qiqrave, si edhe Sanbuske me mish e djathë. Këto ishin tip byreçkash të vogla. Por pjata më e rëndësishme ishte pilafi basmati me fruta të thata, shoqëruar me Kebab Halepi, që ishin qofte me mish qengji, të pjekura në zgarë.

Na u shërbye bukur dhe ishte shumë i shijshëm. Të vetmen vërejtje që patëm ishte se e sollën shume shpejt në tavoline, pa na dhëne kohën të përfundonim pjatën e parë. Por edhe kjo e kishte një shpjegim.

Kamerieri na tregoi se ishte mësuar me klientët e zakonshëm, kryesisht myslimanë, praktikantë si dhe staf i ambasadave të vendeve arabe. Duke qenë se nuk e konsumojnë alkoolin, ata nuk shtrohen gjatë në tavolinë, kështu që ushqimi konsumohet më shpejt, se në restorantet e tjera. Neve zgjodhëm ta shoqëronim ushqimin me dhallë duke qenë se alternativa tjetër, mushti, na u duk se do të ishte një kombinim shumë i çuditshëm me mishin.

Muhamedi na tregoi se në fundjavë, tek “Arabesque”, mishi i qengjit, pulat dhe pilafi piqeshin në pus.

Si përfundim, ne vendosëm të kthehemi tek “Arabesque”, nisur nga ushqimi, shërbimi dhe pastërtia. Por shpresoje që në kthim të gjejmë një arredim më pranë Sirisë sesa Vorës./Dritare.net

 

 

Lini një koment

Adresa juaj e-mail nuk do te publikohet.


*


This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.