Të njohim me Gjakovën, qytetin me tre lumenj!

Nga Mrika Dujaka

Gjakova në shekullin e kaluar më shumë ka qenë e orientuar me mish e me shpirt, mbi te gjitha me tregti me Malësinë e Gjakovës e cila shtrihet nga Ereniku e maleve përpjete për të trupuar dy gryka në drejtim te Shqipërisë -atë të Qafës së Prushit dhe tjetra Qafa e Morinës e që të dyja të shpijnë në Malësi të Gjakovës- në Bajram Curr, Kolgecaj, Tropojë e deri në Kukës por ajo lidhja më e fuqishme është dhe ka qenë sot e kësaj dite ngel e lidhur si mishi e thoi është Shkodra!

Nuk dihet pse dhe qysh, por për nga temperamenti Shkodra e Gjakova janë thuajse si dy degë të një peme: Me këngë e humor, por edhe me zejtari. Zaten në shekullin 19-të e 20-të rruga Gjakovë-Shkodër ka qenë e njohur si rrugë lidhëse e tregtisë ndërmjet këtyre dy qyteteve shqiptare…Ato thuajse marrin frymë me një zemër, për t’ua pasur zili.

Gjakova (serbisht: Ђаковица, Đakovica) është qytet në pjesën perëndimore të Kosovës. Po ashtu Gjakova është qendër e komunës dhe e rajonit me të njëjtin emër.

Qyteti përmban një sërë monumentesh nga e kaluara e pasur kulturore. Lagjja historike e qytetit është Mëhalla e Hadumit ku edhe gjenden tregu i vjetër dhe ndërtesa më e vjetër e cila ende ekziston në qytet, Xhamia e Hadumit. Tregu i vjetër apo siç njihet Çarshia e Madhe ishte zemra e funksionimit ekonomik për Gjakovën, një qytet i tregtisë dhe artizanaleve që shërbente fshatrat përreth nga komuna e Gjakovës, zona e Junikut, dhe Malësia e Gjakovës në kufirin Kosovë-Shqipëri. Qyteti dhe rrethina luajtën rol të rëndësishëm gjatë lëvizjes kombëtare të Lidhjes së Prizrenit.

Qarshia e Madhe u dogj e u shkatërrua gjatë Luftës së fundit në Kosovë, por tani më është rindërtuar. Ndërsa Xhamia e Hadumit bashkë me bibliotekën e saj u dogj gjatë natës së parë të sulmeve ajrore të NATO-s nga forcat paramilitare serbe duke zhdukur kështu dokumentet e rralla që datonin që nga koha e themelimit.

Qyteti i Gjakovës është i vendosur në kryqëzimin e rrugës së rëndësishme transversale Via de Zenta, ose të Zetës (Shkodër-Kosovë) me atë longitudale të Rrafshit të Dukagjinit.

Në bazë të defterit të vitit 1571, Gjakova ishte ende fshat, ishte qendër pazari. Me një status të këtillë, ajo jetoi deri më 1582. Dhjetë vjet më vonë, prej 68 familjesh shqiptare, sa kishte atëherë Gjakova, 13 ishin të islamizuara e të tjerat të krishtera. Gjakova si fshat i reduktuar me qendër të vogël, kryente funksionin e tregut lokal. Ky treg lokal ishte një specifikë për Gjakovën si dhe qytetet shqiptare gjatë shekullit XV, deri në fillim të atij XVI. Xhamia e Hadumit, sipas traditës, u ndërtua në fushën e Jakë Vulës, prej nga edhe do të bëhej emërtimi i qytetit – Jakovë.

Tregu lokal, Xhamia e Hadumit në shekujt e mëvonshëm luajtën rol të rëndësishëm në karakterin urbanistik të qytetit, Çarshisë së Madhe të Gjakovës, me se lidhet ndërtimi i këtij kompleksi urbano-arkitektonik. Pra, koha e ndërtimit të kompleksit në fjalë, lidhet me paraqitjen e zejtarëve dhe të përpunimit të prodhimtarisë së zejtarëve, që zunë të vendoseshin rreth mureve të Xhamisë së Hadumit. Me këto lidhet edhe rritja e banorëve të Gjakovës, e cila numerikisht fillon të shtohet qysh nga shekulli XVII.

Gjakova prej një fshati në gjysmën e dytë të shek. XVII, – u zhvillua në qytet, ku lulëzonte zejtaria, tregtia, ekonomia. Kjo qe pasojë e migrimit të popullsisë së ardhur nga fshati. Këta të ardhur kishin për qëllim të largoheshin nga fshati dhe t’i iknin shfrytëzimit feudal, prandaj zunë të merreshin me zejtari. Kjo gjë ishte karakteristike për tërë qytetet shqiptare të asaj kohe. Xhamia e Hadumit, vepër e rëndësishme e arkitekturës shqiptare të periudhës osmane, u ndërtua me qëllim të përhapjes së fesë islame të pushtuesit osman, të përhapjes së islamizmit në këtë pjesë të Kosovës. Në fillim kjo ishte intensive veçanërisht në qytete, me synimin për islamizimin e qytetarëve.

Përveç Xhamisë së Hadumit, në shekullin XVII, kur Gjakova tanimë kishte marrë fizionominë e një qyteti, në të u ndërtuan edhe objekte të tjera të kultit-sakrale si dhe profane e publike. Për këto ndërtime si dhe qytetin e Gjakovës, mjaft mirë flet e shkruan edhe udhëpërshkruesi turk Evlija Çelebi, i cili kaloi këndej pari në shekullin e cekur, konkretisht në vitin 1663. Çelebiu, përveç të tjerash, në një mënyrë na paraqet edhe një gjendje statistikore të objekteve sakrale dhe profane të Gjakovës. Sipas tij, në këtë periudhë Gjakova kishte 2000 shtëpi, disa mesxhide dhe dy xhami monumentale, hane të mbuluara me plumb, hamamin e bukur dhe 300 dyqane.

Përshkrimi i udhëpërshkruesit turk dëshmon për një rritje  dhe zhvillim të zejtarisë, tregtisë, ekonomisë si dhe të numrit të banorëve, të cilët u morën me këtë punë. Pra, lirisht mund të nxjerrim përfundimin se Gjakova në shekullim XVII u formua si qytet me plot kuptimin e fjalës. Mirëpo, ekonomia, si dhe numerikisht Gjakova, filluan të binin në fund të këtij shekulli, meqë Gjakova pësoi një rënie të madhe, sikurse edhe qytetet e tjera të Kosovës.

LEXO DHE :  Gjykata e la në burg, i arrestuari i grabitjes në Rinas kërkon lirinë

Në kohën e Rilindjes Kombëtare, qyteti Gjakova, sipas Sami Frashërit ishte qendër kazaje në sanxhakun e Pejës. Numri i popullsisë në këtë kohë nuk dihej saktësisht por llogaritej që të kishte mbi 25 000 banorë nga të cilët së paku 17.000 të moshës madhore. Qyteti kishte disa shkolla fillore, bibliotekën e qytetit dhe rreth 1.000 dyqane dhe godina, si hane, hamame. Rrethina e qytetit përfshinte 149 fshatra, shumica e të cilëve gjendej në Malësi. Gjatë kësaj kohe në arat e fushave dhe luginave pjellore prodhohej grurë, elb, tërshërë, thekër, misër, fasule, si dhe lloje ndryshme pemësh, perimesh. Në malet e saj gjendeshin shumë kullota, ku mbaheshin dhen, dhi dhe bagëti të tjera.

Gjatë periudhës së Luftës së II Botërore kur Gjakova ishte pjesë e Mbretërisë së Shqipërisë nën pushtimin italian, pat kthim të ca familjeve që ikën nga pushtimi serb, për të ikur përsëri në dimër të vitit 1944 e pranverë të vitit 1945 me rikthimin e forcave serbe në Gjakovë.

Dhe, nëse vini në Gjakovë keni se ku të gjeni pushim. Në Çarshinë e Madhe, historike të cilën pushtuesit serbë e dogjën nga hyrja deri në dalje me mllefin më të madh, por që me vullnetin e liderëve vendor që erdhën pas luftës e kanë rinovuar dhe e kanë shndërruar në një muze, qytet muze mu si Bashqarshia e njohur e Sarajevës. Këtu janë disa vende të ashtuquajtura Hane, si ai i Jupave, ai Haraqijave dhe së fundi ai i Kacit. Ishin hane sepse aty nga Mesjeta kur u ngrit ky qytet sunduesit e asokohshe, turqit, hapën bujtina për karvanet që shkonin nga këto anë për tregti në drejtim të Anadollit. Dhe, kështu u ngeli ky toponim.

Në Gjakovë të shkosh e të mos ngjitesh kodrës së Cabratit atëherë thuajse nuk ke qenë fare në këtë qytet. Nga atje lartë shihet si në pëllëmbë të dorës Nahija e Gjakovës deri në Dushkajë, Rekë dhe e deri në Podrime nga gjarpëron Drini i Bardhë, që e ndan tokë shqiptare – këndej dhe matanë Drinit, gjithnjë sipas poetit në zë Dritëro Agollit!

Është edhe një vend atraktiv për pushim e ku dominon freskia por mbi të gjitha rregulli që kanë sjellë gjakovarët por edhe ata që kanë jetuar me vite jashtë vendit kurse tani këtu kanë sjell shprehi të tjera të punës dhe të sjelljes. Pra fjala është për pushimorën tanimë të njohur të Shkugzës ku frekuentojnë aq shumë gjakovarët të cilët pos pushimit këtu bëjnë edhe shëtitje, madje edhe xhoking për të hequr ndonjë kilogramë të tepërt që mbajnë mbi supe… Nga Gjakova mund të shkoni te Ura atraktive e Shenjtë ku mbahen kërcimet e njohura tradicionale nga lartësia 18 metra, garë kjo që me vite organizohet në pjesën e dytë të muajit gusht.

Besojmë se nuk do të pendoheni nëse nga jeta juaj ndani disa ditë për ta vizituar këtë qytet  që fillet i ka nga Mesjeta, por që ishte  një rrugë kaluese ndërmjet trojeve shqiptare gjatë historisë. Që rrugët tregtare e çonin nga Malësia e Gjakovës e edhe Malësinë përherë duke trupuar lumin Ereniku dhe për të dalë në Çarshinë e Madhe e tregtare të Gjakovës…Ose që gjakovarët të shkonin për tregti në Shkodër duke bërë disa ditë rrugë. E kur jemi te Shkodra, viset e tjera thuajse e xhelozojnë ose pse jo edhe ia kanë lakmi Gjakovës sepse ajo ka shumëcka të përbashkët me Shkodrën që nga kënga, sensi për humor dhe shumë doke e zakone të ngjashme ose të përafërta!

Në Gjakovën djepin e kulturës, arsimit, ku nuk u mësua gjuha turke. Vendlindje e këngëtarëve të njohur, poetëve më në zë, piktorëve që iu doli zëri më larg se shqiptaria e deri në Japoninë e largët…Në Gjakovën e Sylejman Agë Vokshit, Bajram Currit, Xheladinë Hanës, të Haki Tahës, të Besim Bokshit, Ali Podrimjes, Teki Dervishit, Dinë Mehmetit, Tahir Emrës, Shyqyri Nimanit, Muslim Mulliqit e shumë figurave të njohura nga e kaluara e këtij qyteti që shtrihet buzë një kodrine që ka emër interesant që asnjëherë nuk u dha shpjegimi tij – Çabratit që thuajse ruan historinë e këtij qyteti dhe të brezave të njerëzve që jetuan në qytetin me tre lumenj… /Dritare.net

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.