Të njoh me Marian, të lutem takoje!

 

Po të bie rruga te kryqëzimi i “Sami Frashërit” , ke parë patjetër një vajzë të ulur në karrocë, që nuk ndryshon kurrë vend. Nuk ka sesi, kjo.

Është rruga e Marias, vajzës 23 vjeçare nga Kombinati, që është e detyruar të qëndrojë plot 6 orë mes zhurmave të makinave, pluhurit, vapës dhe shirave të furishëm që s’kanë të ndaluar gjatë dimrit, në Tiranë.

Kur kalova dje, rreth orës 9, Maria po hante mëngjesin. E ëma, sapo e kishte sjellë dhe e kishte lënë aty në rrugë, ku e lë çdo ditë.

E pashë duke ngrënë një panine dhe nuk ju afrova, sepse pashë  që po i shijonte aq shumë edhe pse po e hante thatë.

Kur mbaroi, i fola. Me zor arrita ta kuptoja, kur mundohej të më thoshte se këtë që hëngra, ma solli një vajzë e mirë.

Maria nuk fliste dot, s’mundej  të fliste.

Në fillim më drejtohej vetëm me shenja, duke refuzuar të hapte gojën, lëvizte  majtas djathtas vetëm gishtin tregues.

 

Por kur e pyeta si quhej, qeshi, dhe me vështirësi artikuloi emrin e saj, Maria.

Gjatë gjithë kohës drejtonte duart drejt këmbëve dhe më thoshte kam dhimbje, nuk eci dot.

Sikur donte të më tregonte gjithë problemet që kishte.

Nuk kishte shkuar asnjëherë në shkollë, që prej 10 vjetësh puna e saj ishte të rrinte në rrugë të lypte për t’u ushqyer. Sot Maria është 23 vjeç, dhe ishte fare  e vogël kur doli në rrugë për të punuar.

Këtë na e tregoi nëna e Marias, kur erdhi te rruga Sami Frashëri pas orës 15:00 për të marrë vajzën e saj.

Dukej një grua e vuajtur shumë, e veshur me rroba të vjetra e të palara prej kohësh, si njëra nga ato gratë që mund t’i keni parë nëpër  Tiranë, të mbledhin bidona plastikë në kazanët e mbeturinave.

Edhe nëna refuzoi të fliste, ashtu siç bëri në fillim Maria, por ndërkohë që po bënte gati Marian ta çonte në shtëpi, me zë të ulët filloi të belbëzonte ca fjalë.

Ne këtë jetë bëjmë, askush nuk na ndihmon, Maria kështu me probleme më ka lindur. Sa ishte e vogël ne nuk arritëm të kuptonim se kishte probleme si me këmbët edhe me të folurën. Kur filloi të rritej nuk kishim mundësi  ta çonim në spitale.

LEXO DHE :  Rama nuk ofendon gazetarët, fyen të vërtetën

Kam dhe një vajzë tjetër, por as atë nuk e kam çuar në shkollë, unë me burrin mbledhim bidona e kanaçe, Maria e sëmurë na ndihmon me punën e saj këtu në rrugë. Në këtë mënyrë punojmë të gjithë për të mbijetuar.

E pyetur nga dritare.net se si sillen njerëzit, a të mërzisin, Maria buzëqeshi dhe sytë i shkëlqenin, kur tregonte me duar e këmbë se të gjithë sillen shumë mirë, nuk e mërziste kurrë, njeri. Njerëzit janë të mirë- thoshin sytë e Marias.

Ishte ora 9 e 30 minuta kur po flisja me Marian , ditën e parë, në mëngjes, kishte kaluar vetëm gjysmë ore pasi ajo  kishte nisur punën, dhe në kartonin që mbante në prehër për lekët që njerëzit i hidhnin, pa dashur të rrëmoja  në sendet e saj, nga distanca që po bisedoja me të, pashë që  kishte rreth 2 mijë lekë të vjetra.

Por kur e pyeta Marian se a të mjaftojnë lekët që të japin njerëzit, më thoshte me vështirësi, se këto nuk më dalin as për bukë.

Kaq kanë, kaq japin, më tha nëna  e Marias, – njerëzit kanë halle.

Nëna e Marias, nuk foli gjatë, për ato dy tre minuta që mblodhi paratë  nga kartoni, frutat dhe bukën që njerëzit i linin Marias pranë karrocës, u zhduk sa hap e mbyll sytë duke shtyrë e lodhur, karrocën.

Nuk e pashë t’i fliste Marias, nuk e përqafoi të bijën, kur erdhi, ndoshta s’donte të dinte si i shkoi dita në mes të rrugës, e ulur në një karrocë dhe në qiell të hapur.

Ndërsa unë ndjeva se doja ta përqafoja atë vajzë, që ikte me kokën pas, si për të më thëne: hajde nesër. Do shkoj nesër, t’i tregoj shkrimin.

Edhe ti kur te kalosh andej, përshëndete. Kushedi, mbase dhe e ndihmon Marian në karrocë që as flet as ecën, vetëm rri e pret, këmbë që ndalojnë dhe duar që hedhin diçka mbi karton./A.C/dritare.ne

 

 

 


 

 


 

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.