Të martuara nga 2-3 herë, historitë e kosovareve të kthyera nga Siria
Dritare.net
Shteti i Kosovës ka arritur të kthejë të shtunën në mëngjes 110 qytetarë që ishin duke qëndruar në zonat e konfliktit në Siri. Në mesi ne tyre, katër luftëtarë, 32 gra dhe 74 fëmijë.
Disa nga gratë kanë rrëfyer historitë e tyre, duke treguar sesi kanë qenë martuar disa herë.
Duke iu bindur fjalës së burrit, E.Sekiraqa thotë se kur ishte vetëm 19 vjeçe u nis për t’iu bashkuar kampeve të ISIS’it në Siri. Por, pas 5 viteve qëndrim, në moshën 23 vjeçare, ajo u kthye në Kosovë bashkë me dy fëmijët e saj. Burri i kishte vdekur në frontin e luftës. Në Siri kjo 23 vjeçare i kishte pasur edhe dy martesa të tjera. Të tre bashkëshortët e saj kishin qenë shqiptarë. Nga tri martesa kjo 23 vjeçare ka dy fëmijë me të cilët tashmë është kthyer në Kosovë. Express ju sjell rrëfimin me deklaratat e tri të riatdhesuarave nga Siria për në Kosovë. Tregohet se si një 27-vjeçare tjetër e riatdhesuar burri e kishte gënjyer se po shkonin në Gjermani dhe e kishte çuar në Siri
Ishte 19 vjeçe kur e kishte marrë rrugën për në Siri, aty ku në vitin 2015 po zhvillohej një luftë e ashpër. Por, as lufta që bëhej atje nuk e ndali tashmë 23-vjeçaren E. Sekiraqa dhe burrin e saj nga Prishtina që të niseshin për të dhënë pak “kontribut” në Lindjen e Mesme.
Tmerri për të filloi në momentin kur ajo hyri në kampet e luftës. Aty 23-vjeçarja Sekiraqa e pa se Siria nuk kishte qenë siç ajo e kishte paramenduar. Andaj që nga java e parë kur ajo u fut në kampet e luftës, thotë se i kishte kërkuar bashkëshortit të saj që të ktheheshin në Kosovë. Por, kjo gjë kishte qenë e pamundur.
“Burri me thoshte po shkojmë në emrin e Allahut. Edhe nuk do të kthehemi”’, kështu ka deklaruar para avokates së saj, e rikthyera nga Siria për në Kosovë.
23-vjeçarja martohet dy herë në kampet e luftës në Siri
Por, pas disa muajve qëndrim në kampet e luftës së Sirisë, E.Sekiraqës i vritet burri.
Ajo detyrohet që të martohet me një person të dytë, i cili kishte nënshtetësinë shqiptare. Por edhe ai vritet në frontin e luftës. Burrin e tretë 23-vjeçarja e gjeti para pak kohe. Por, edhe ai u burgos para disa muajve. Këto dy martesa në Siri, E.Sekiraqa ka deklaruar se i ka bërë vetëm që t’i shmanget qëndrimit në kampet e ISIS-it, aty ku qëndronin vetëm gratë dhe ku kushtet kishin qenë të mjerueshme.
Këto detaje i dha sot për Gazetën Express, avokatja e të riatdhesuarës, Fatlume Korqa.
“Klientja ime qe nga vitit 2015 ka qëndruar në Siri. Ajo thotë se burri ia ka kërkuar që të shkojnë në Siri për një jetë më të mirë. Siç ajo ka deklaru atje kanë shku për praktikimin më të lehtë të fesë. Edhe po të donte të kthehej ajo ka thënë se nuk ka mundur”, shpjegon ajo.
Tutje, avokatja jep detaje edhe për tre martesat e klientes së saj.
“Bashkëshorti i saj i parë është vrarë në front. Pastaj ajo është detyruar me u martua prapë, sepse nëse nuk do të martohej është dashur që ajo të jetonte në një kamp me shumë gra, aty ku kushtet kanë qenë shumë të këqija. Andaj ajo u strehua te Kurdët dhe nga aty u martua me burrin e
dytë që është shqiptar. Me të e ka pasur një fëmijë. Edhe ai ka vdekur. Andaj burri i tretë, burri i tanishëm edhe ky është shqiptar dhe për momentin gjendet në burg”.
Sipas avokates, klientja e saj është penduar për rrugën që e ka marrë drejtë Sirisë. Ajo kërkon që në Kosovë të jetojë e lirë dhe t’i rrisë të dy fëmijët e saj. Njërin 1 e tjetrin 3 vjeçar.
“Kjo është penduar që ka qëlluar në vendin dhe kohën e luftës. Por, ajo thotë se nuk është penduar që e ka dëgjuar fjalën e burrit të vet.
“Kam ardhur në Kosovë që ndihma e lirë dhe për t’u ndier e lirë”, ka deklaruar e riatdhesuara, E.Sekiraqa para trupit gjykues, transmeton avokatja e saj.
27-vjeçarja e riatdhesuar: Burri nuk më tregoi ku po shkojmë, u detyrova të martohem atje
Por një histori tjetër kishte pasur 27-vjeçarja nga Prishtina. Ajo nuk e kishte ditur që po nisej për në Siri bashkë me bashkëshortin e saj tashmë të ndjerë.
Në deklaratat që kjo e riatdhesuar nga Siria i dha sot, ka deklaruar se bashkëshorti i kishte thënë se po shkojnë në Gjermani. Në kohën e nisjes për në kampet e luftës, kjo 27-vjeçare kishte qenë shtatzënë. Pas një kohe qëndrimi atje, asaj i vritet burri. Ndërkohë që detyrohet të martohet me burrin e dytë, i cili ishte shqiptar. Nga dy martesa kjo 27-vjeçare ka dy fëmijë.
Këto detaje i dha për Express, avokatja e saj Saranda Beqiri.
“Ajo ka deklaruar se atje ka shkuar pa dëshirën dhe vullnetin e saj. Faktikisht nuk e ka ditë se për ku është nisur. Ka mendu se po shkon në Gjermani për jetë më të mirë. Këtu të gjitha që i kanë pas i kanë shitur. Por në fazën e fundit ajo e ka parë që vetën në kamion e ka ditur që po shkon në Siri. Ajo ka qenë shtatzënë në kohën kur ka shku me burrin e saj”, tregon avokatja Beqiri.
Avokatja thotë se klientja e saj është penduar për shkuarjen e saj në kampet e luftës.
“Ajo kur ka shkua atje ka kërkuar menjëherë me u kthye, por kjo gjë ka qenë e pamundur. Bashkëshorti i saj ka vdekur atje. Andaj ajo është martuar me një person tjetër që është shqiptar. Kjo tash i ka dy fëmijë me dy burra të ndryshëm.”, deklarohet për klienten e saj avokatja.
Klientja ime kërkoi që të kthehej në Kosovë
E versionin për klienten e saj e dha edhe Fortesa Mehmeti, avokate e njërës nga gratë që u kthye nga Siria të shtunën. Sipas avokates, kjo grua është kthyer me vetë dëshirë, madje kishte provuar të kthehet edhe më herët.
“Klientja ime ka qenë prej vitit 2014 atje, mendoj se ka qenë e mashtruar nga ana e bashkëshortit dhe ka shkuar atje. Rrethanat e luftës, presioni i vazhdueshëm, nuk ka mundur të kthehet më. Ajo ka tentuar edhe më herët të kthehet por ka qenë i pamundur kthimi”, tha ajo.
Për shumicën prej tyre, Prokuroria Speciale e Kosovës ka kërkuar një muaj paraburgim. Por, avokatet e këtyre grave janë duke kërkuar që masa e arrestit shtëpiak t’u zëvendësohet me paraqitje në stacionin policor./GazetaExpress