Te bujtina e Kolës, në Valbonë

 Foto nga Kostandin Poga

Nuk e njeh Bujtinën e Kolë Gjonit në Valbonë? Epo ç’pret? Ne dritare.net do të të tregojmë, nëpërmjet fotove të mjeshtrit Kostandin Poga, çfare të pret te Kola!

Bujtina e Kolës është shtëpia e turistëve, prej 12 vjetësh.

I pyetur nga dritare.net se, çfarë ofron ai, që ka kaq shumë turistë në bujtinën, Kolë Gjoni thotë:

“Kjo imja është një bujtinë puro tradicionale, që në njëfarë mënyre është agroturizmin. Pra kam pothuajse 80% prodhimet e mija, që i konsumoj këtu me turistët, që i pëlqejnë shumë, gatimet dhe ushqimet të gjitha bio, duke filluar që nga mishi, djathi , mjalti, etj”

Kur thotë 80% e ushqimeve që konsumohen në bujtinë, janë bio, e ka fjalën për gjithçka, përjashto ato perime që nuk i prodhon toka, pasi janë afro 1000 metra mbi nivelin e detit dhe malet janë ende me borë.

Dritare.net e ka pyetur Kolën edhe në lidhje me mobilimin e dhomave, mobilet tradicionale dhe aromën e pastërtisë që mban gjithçka.

“Atëherë po të them diçka që është puro e vërtetë, unë nuk kam shëtitur askund, kam lindur dhe rritur deri sot këtu, edhe në qoftë se kam shëtitur, kam shkuar vetëm për qejf, për të parë një natyrë ose një vend tjetër, jo për të kopjuar diçka. Çdo gjë këtu, është puro e vendit, ajo që në realitet, më vjen keq ta them , por sot në Shqipëri po zhduket në mënyrë graduale.”

Bujtina e Kolës ka 8 dhoma, ai jeton aty bashkë me gruan, djalin dhe të motrën. Për pastrimin dhe mbarëvajtjen e bujtinës, kontribuojnë si familje, por ndonjëherë gjatë verës, nga puna e madhe, marrin edhe ndonjë person tjetër për ndihmë.

Kola edhe rrugën përpara bujtinës përpiqet ta rregullojë vetë, pasi siç shprehet ai për dritare.net, bashkë me rrugën, ai është i detyruar të blejë edhe një gjenerator, që t’i garantojë klientëve energji elektrike.

LEXO DHE :  Kofi Anan, ja çfarë pashë kur e takova!

 “Këtu nuk desha të shprehem, gjithsesi do të them diçka, gjithsesi ky është realiteti, që bashkë me rrugën unë jam detyruar që të blej edhe gjenerator që të garantojë klientin për energji elektrike, në fakt fillova që me bujtinën edhe deri tek rruga që po thua ti, tek gjeneratori që shikohet nuk është diçka që nuk shikohet, edhe shumë probleme të tjera. Do kërkoja ndihmë nga shteti ku të ndihmonte këta persona që bëjnë çmos, të ruajnë traditën.”

“Njeriu përpara se t’i thotë , malësorit në përgjithësi, hajde bujrum, duhet t’i ofrojë diçka, që të ketë mundësi t’i thotë hajde bujrum. Pra të ketë këto, pas kësaj fjalët, sepse në qoftë se nuk ke  këto, e ke të vështirë t’i thuash tjetrit mirëserdhe.”

Të gjithë bujtësit te Kola, pavarësisht moshës, i shikoje tek ngjiteshin malit, për të marrë ajër edhe më të pastër. Kola na thotë se: “Shqiptarët në përgjithësi janë dembelë, ndërsa të huajt që duket se janë ngopur me qytetërimin, me asfaltin me stresin e asaj, ata shprehen shpeshherë, që, kur shkojnë në pyll harrojnë komplet që ku kanë jetuar, harrojnë atë stresin e njerëzve, të asfaltit, dhe kënaqen me pyjet, insektet, zvarranikët, apo dhe ndonjë kafshë të egër që mund ta shohin, ndonjë dhelpër, ujk mbase dhe ari, ose dhe dhi të egër, lepur dhe në këtë moment ata kalojnë komplet në një botë tjetër dhe shijojnë një kënaqësi tjetër të jetës së tyre.”- e mbyll Kola rrëfimin, ndërsa një grup turistesh ulet në tavolinë dhe ai shkon t’u shërbejë, siç di vetëm ai, i zoti i Bujtinës më të bukur të Valbonës./dritare.net

 



1 Comment

  1. Doni te kaloni nje dite te pa haruar shkoni te bujtina e Koles.
    Doni te shiko i cdo te thote BIO shkoni te bujtina e Koles.
    Doni te shikoni se ceshte bujaria e malsorit shkoni te bujtina e Koles.
    Njihuni me Kolen se eshte kristal si uji i ketyre bjeshkeve vetem kontaktoni se vetem te huaj gjen te cilet e kane pushtuar kete bujtine tradicionale Shqipetare.

Lini një koment

Adresa juaj e-mail nuk do te publikohet.


*


This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.