Te Bollanot, në Himarë

Nga Edlira Ruzi

“Himara prodhon…” këtë shprehje që nuk nënkupton vetëm gjëra të prekshme, thamë me Vasil Bollanon, ndërsa dilja nga dyqani më tradicional dhe mikpritës i Himarës.

Më pëlqen të marr suvenire nga vendet që vizitoj. Por në Shqipëri kjo nuk është gjë e lehtë, sepse këtu prodhohet pak dhe reklamohet akoma më pak.  Pyetëm Nashon, një mikun tonë, se ku të gjenim diçka tipike himariote, ai na sugjeroi dyqanin e zonjës Virada Bollano. Mbiemri më ngriti antenat e vëmendjes. Si do të ishte ky dyqan i Bollanove?

I veçuar nga dyqanet e tjera, në katin e parë të një shtëpie të vogël dykatëshe, në Spile, do të gjeni “Homemade Products-Himara”. Një dyqan i vogël, i këndshëm, me plot ngjyra e shishka gjithfarëllojesh. Zonja Virada, bashkëshortja e ish kryebashkiakut  të Himarës, qëndron pas banakut. Që kur shkëmbejmë përshëndetjen e parë, ndihemi të mirëpritur. Virada rrezaton fisnikëri e kulturë. Një zonjë nga ato që i dëgjon me ëndje. Gjithë sa të zë syri, në dyqan, kanë dalë nga duart e saj, sepse siç thotë ajo “himariotët duan ta bëjnë çdo gjë vetë”. Virada Bollano na tregon si ka kthyer në biznes, pasionin e saj.

LEXO DHE :  Rama uron Pashkët, me foton e veçantë!

Dikur teknologe ushqimi, provoi vështirësitë e emigrimit në Greqi si shumë himariotë të tjerë, më pas zonjë e parë e Himarës, ndërsa tashmë bën gliko, reçel e pije.  Është e vështirë të zgjedhesh në dyqanin e saj, por zonja  Virada nuk të lejon të blesh gjë pa e provuar më parë. Na ofroi aq gliko e pije sa ç’mund të hanim e pinim. Pasi u velëm, zgjodhëm me dhimbje sepse do donim të ngrinim tërë dyqanin. Do të doja t’ju sugjeroja marmelatën e kaktusit, reçelin e panxharit me xhinxher, çokollatën me mjaltë e mollë, reçelin e rrushit me mastike si dhe patènë e agrumeve me miks piperi.

Më tepër se një suvenir, po merrnim me vete shijen e Himarës. Ne shkuam të blinim diçka, por si përfundim qëndruam për të bërë muhabet. Një bisedë me zonjën Bollano, që zgjati ca, por që rezultoi çlodhëse dhe frymëzuese.

Të tillë njerëz pasionantë, punëtorë e gojëmbël do doja të njihja më shumë. Ata i japin kuptim jetës së tyre si dhe ditës së turistëve rastësorë si ne. Pa reklamë, pa bujë, siç dinë veç njerëzit punëtorë./dritare.net



PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.