Kam lexuar historinë që shkruat për këta dy fëmijë që humbën jetën në mënyrë tragjike në rrugët jetëmarrëse të Shqipërisë.
Historia nuk më del nga mendja pasi edhe unë jam nënë. Edhe unë kam dy fëmijë dhe sapo kam marrë patentën.
Dje u nisa për rrugë, për të shkuar te një ditëlindje bashkë me djalin tim të madh. Rruga ishte pak e gjatë dhe në disa vende shpejtësia maksimale shkonte deri në 70 km në orë dhe, si shofere e re, isha nervoze. Kisha frikë se mund të na ndodhte ndonjë gjë, mos humbisja kontrollin në një moment pa vëmendje, frikëra normale për shoferë të rinj. Dhe natyrisht, djali, jeta e tij, ishin vlera më e madhe që doja të ruaja.
Deri në këtë pikë jam e sigurt se mendimet i kisha të ngjashme me nënën e këtyre fëmijëve.
Por midis nesh ka një ndryshim të madh, që përkthehet në siguri jete më pak të lartë për atë nënë. Unë i jepja makinës në Londër, ndërsa ajo në Shqipëri.
Trafikndarëset në rrugët tona nuk janë të çara, sigurisë në rrugë i kushtohet shumë vëmendje, jo vetëm nga pikëpamja fizike, ku autostradat janë të pandërprera nga pika aksesi anësore nga ku mund të dalin lloj pengesash, makinash e problemesh. Por edhe nga pikëpamja e edukimit, vendosjes së fëmijëve në karriget e tyre, të lidhur me rripa sigurimi (që në rast aksidenti e ruan jetën me 50%). Edhe nga shkalla e vështirësisë së marrjes së patentës këtu është e tmerrshme (unë vetë nuk e mora me herën e parë, por me të dytën dhe ka njerëz që nuk e marrin as pas 5 herësh).
Por mbi të gjitha, ashtu siç e ngrini ju, është mbrojtje e disa interesave private që shkaktojnë dëme. Kjo është e pafalshme. Ju mbështes plotësisht që Ministri duhet të japë dorëheqjen e të dënohet.
Mbi të gjitha unë do doja të bëja diçka për atë familje. A e njihni nënën, ia dini emrin, adresën? Ndoshta mund të organizojmë një faqe dhe diçka konkrete, një vigjilje për ata fëmijë. Dhe ndoshta një faqe për të mbledhur fonde për t’i ndihmuar edhe pse nevoja e tyre nuk është për para, por për të përballuar dhimbjen.
Dua vërtetë të ndihmoj me çfarë të mundem, pasi kjo histori më ka prekur shumë.
Gjithë të mirat dhe bravo ju qoftë që e keni ngritur zërin!
L. SH - Londër