Tatimet/ 3545 biznese të reja nuk i kanë paguar duke e çuar totalin në 20,395

Nga janari deri në mes të muajit maj, listës së borxhlinjve të këqij të Tatimeve iu shtuan edhe 3545 biznese të reja, duke e çuar totalin e bizneseve që nuk kanë shlyer detyrimet tatimore në kohë në 20,395.

Që nga fillimi i vitit, lista e borxhlinjve të këqij është zgjeruar me mbi 17%.

Lista e tatimpaguesve me detyrime të papaguara në afat, përfaqëson bizneset ndaj të cilave Administrata Tatimore, në zbatim të nenit 91 të Ligjit nr. 9920, datë 19.05.2008 “Për Procedurat Tatimore në Republikën e Shqipërisë”, ka vendosur marrjen e masave të sigurimit mbi të gjithë pasuritë për ekzekutimin e detyrimeve dhe se ka filluar procedura e mbledhjes me forcë të tyre.

 

Lista është publike me qëllimin që personat e tretë të marrin dijeni për fillimin e këtyre procedurave dhe që organet apo institucionet, të cilët kanë bërë regjistrime të pasurive të luajtshme apo të paluajtshme të tatimpaguesve debitorë, të regjistrojnë detyrimin tatimor të papaguar si barrë mbi këtë pasuri dhe të mos lejojnë kryerjen e transaksioneve për transferimin e pasurive të tatimpaguesve debitorë, deri në momentin që detyrimi tatimor i papaguar të arkëtohet.

 

Sa herë që administrata tatimore konstaton se një tatimpagues nuk ka paguar plotësisht dhe në datën e caktuar detyrimet tatimore, administrata tatimore i dërgon, me postë rekomande, një njoftim me shkrim, ku kërkon pagesën e plotë të detyrimit tatimor. Për njoftimin dhe kërkesën për të paguar, zbatohen afatet dhe procedurat e parashikuara në Ligjin e Procedurës Tatimore.

 

Administrata tatimore, në përputhje me dispozitat e Kodit Penal dhe të Kodit të Procedurës Penale, mund të kërkojë pranë organeve kompetente ndalimin e lëvizjes jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë të administratorit, të personit juridik, ortakut dhe aksionerit të personit juridik apo individit tregtar, i cili ka detyrime të papaguara dhe ndalimin e transferimit jashtë shtetit të shumave të depozituara në llogaritë bankare, në emër të individit tregtar apo të shoqërisë tregtare, që ka detyrime të papaguara.

LEXO DHE :  Era tregon më shumë seç duhet para presidentit, momente sikleti gjatë dekorimit

 

Nëse tatimpaguesi nuk paguan detyrimin tatimor në datën e caktuar, nëpërmjet një urdhri me shkrim, të lëshuar nga drejtori i drejtorisë rajonale, i kërkon çdo banke, ku tatimpaguesi ka llogari në emër të vet, të bllokojë shumat për llogari të tatimeve.

 

Sipas të dhënave zyrtare nga Tatimet, gjendja e detyrimeve të papaguara, të cilat ndiqen deri më 31 dhjetor 2017, rezulton 95.5 mld lekë ose 35% më pak krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2016.

 

Në stokun e borxhit të ndarë sipas llojit të tatimit, TVSH zë peshën më të madhe me 36%, e ndjekur nga Tatim Fitimi me 28%, zëri Të Tjera me 22%, Sigurimet Shoqërore & Shëndetësore me 12% dhe TAP me 2%.

 

Tatimet sqarojnë se deri në fund të 2017, subjektet aktive zënë 45% të numrit total të subjekteve debitore, me një vlerë prej 44,9 mld lekë, ose 47% të masës totale të borxhit, ndërsa subjektet pasive zënë 55 % të numrit total të subjekteve debitorë me një vlerë prej 50,6 mld lekë, ose 53% të masës totale të borxhit./Monitor.al/

Lini një koment

Adresa juaj e-mail nuk do te publikohet.


*


This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.