Tarifa në Rrugën e Kombit, do ndalojë kosovarët, të vijnë ketë verë

Javët e ardhshme pritet të rinisë aplikimi i tarifës së kalimit në Rrugën e Kombit, pagesë që u pezullua pas protestës së dhunshme të banorëve të Kukësit. 1.7 miliardë euro, sipas ish-Kryeministrit Sali Berisha, kanë hyrë në ekonominë shqiptare vetëm në tre muajt e fundit. Për Berishën, këto janë para të pista, të cilat janë futur në ekonominë shqiptare me qëllim pastrimin e tyre. Koncesionari që do të bëjë mbledhjen e pagesës për kalimin në Rrugën e Kombit, prej disa javësh, ka nisur të rikonstruktojë zonën ku do të paguhet “toll-i”.

Investimi i ri konsiston dhe në zgjerimin e postancioneve ku do të bëhet mbledhja e pagesës së taksës, në mënyrë që, gjatë fluksit të verës, të mos krijohen radhë të gjata në kufij. Burime nga Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës thanë për “Panorama” se ende nuk është vendosur se sa do të jetë tarifa që do të paguajnë banorët e Kukësit, duke theksuar se kjo është në proces diskutimi. Por mësohet se Ministria e Transporteve do të paraqesë në mbledhjen e radhës së Këshillit të Ministrave formën e re të pagesës për përdoruesit e “Rrugës së Kombit”, si dhe lehtësitë që do të krijohen veçanërisht për banorët e zonës.

INSPEKTIMI

Pas përfundimit të muajit të Ramazanit, Rruga e Kombit pritet të shoqërohet me fluks të konsiderueshëm turistësh, kryesisht nga Kosova. Për të inspektuar punime në pikën doganore të Morinës dhe Shishtavecit, dje ishin në terren ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Bejtush Gashi, i shoqëruar nga ambasadori shqiptar në Kosovë, Qemal Minxhozi. Në këtë inspektim, Bejtush Gashi ka deklaruar për mediat se “qëllimi i vizitës në këto pika të kalimit të kufirit është që të lehtësojnë qarkullimin e shpejtë të qytetarëve që kanë objektiva për të shijuar bregdetin shqiptar, apo edhe vizita të karaktereve tjera”.

LEXO DHE :  Ky vendim i fundit i qeverisë, revolton PD: Rama, buratin i diktatorit!

Ai ka thënë se janë në proces nënshkrimi të një marrëveshjeje për patrullimet e përbashkëta mes Kosovës dhe Shqipërisë. “Jemi në proces të nënshkrimit të protokollit të përbashkët me Ministrinë e Brendshme të Republikës së Shqipërisë, për patrullime të përbashkëta. Ne duhet të jemi maksimalisht në shërbim të qytetarëve për të ndihmuar lëvizjen e lirë”, theksoi ministri kosovar. Gashi shtoi më tej se “do të shikohen të gjitha mundësitë, në rast nevoje, për shtim të kapaciteteve për pikat e kontrollit të kufijve, me qëllim të eliminimit të radhëve të pritjes së qytetarëve në kufi”.

TURIZMI

Nga ana tjetër, ambasadori i Shqipërisë, Qemal Minxhozi, theksoi se këtë vit pritet të ketë një numër të lartë turistësh. Sipas tij, fluksi i turistëve që do të përdorin Rrugën e Kombit parashikohet të jetë 20% më shumë se vitin e kaluar. Minxhozi tha se ka një shtim të qytetarëve të Shqipërisë që vizitojnë Kosovën dhe për këtë duhet të ketë një liberalizimin të kontrolleve kufitare, sidomos të transportuesve publikë. Në këtë inspektim, drejtori i Kufirit të Gjakovës, Faton Alia, theksoi se “në këtë rajon janë katër pika të kalimit kufitar dhe tri pika sezonale, pika e Morinës është më e madhja në Republikën e Kosovës. Vitin e kaluar ka pasur rreth 6 milionë qytetarë, që kanë hyrë dhe dalë, që janë regjistruar në këto pika. Fluksi momental është 10 mijë qytetarë në ditë hyrje-dalje, ndërsa ky fluks shkon deri në 20 mijë”./Panorama/

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.